Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ndër “librat pa të cilët nuk mund të jetohet”, mbaje mend këtë titull kur të shkosh në panair

Ndër “librat pa të cilët nuk mund të jetohet”, mbaje mend këtë titull kur të shkosh në panair
November 12
18:30 2018

 

Ditën e mërkurë për të gjithë besnikët e librave në Pallatin e Kongreseve do të nisë Panairi i Librit i cili do t’ju shoqërojë deri më datën 18 Nëntor.  Panairi i 21 i Librit, si zakonisht, do të jetë një ngjarje e rëndësishme kulturore për botën shqiptare. Ai do të ketë si objekt kryesor paraqitjen e botimeve më të mira të hedhura në qarkullim vitin e fundit. Një nga stendat më të preferuara dhe që sjellin autorë dhe përkthime cilësore për lexuesin shqiptar është shtëpia botuese “Pegi”. Çdo fillim panairi ju kemi sugjeruar një listë me librat që duhet t’i përfshini në bibliotekën tuaj por këtë herë duam që t’ju prezantojmë tituj që dalin për herë të parë në shitje dhe që do mund t’i gjeni në panair. Pasi një javë më parë ju sugjeruam “Gurët e Vetmisë“, një roman që i mjaftoi vetëm një javë për t’u njohur nga të gjithë dhe që rrëfente historinë e popullit çam, nga një autor shqiptar ju sugjerojmë një nobelist

“Dita e mbetur”- Kazuo Ishiguro

Një rrëfim i qetë dhe i shtruar mbi mungesën e kurajës për të bërë zgjedhjet,që mund të vënë në rrezik jetën e kontrolluar dhe të planifikuar, për ne, nga të tjerë. Ngjarjet e këtij romani rrëfehen nga mazhordomi Stivens, i cili për më shumë se tridhjetë vjet ka jetuar në Darlington Holl, rezidenca madhështore e lordit Darlington. Stivensi rrëfen një pjesë të jetës së tij, diku nga mesi i viteve ’30, një periudhë e ngarkuar për të personalisht, por edhe për historinë e Anglisë dhe të Evropës. Punëdhënësi i tij është një personazh publik, tejet i angazhuar edhe politikisht. Stivensi, nga ana tjetër, nuk ka njohuri të thella mbi çështje të ndërlikuara politike. Ai është njeri i përmbajtur, i cili krenohet me sjelljen e tij prej xhentëlmeni të mirëfilltë dhe si të vetmen përparësi ka t’i shërbejë sa më me dinjitet punëdhënësit të tij.

Nëpërmjet asaj që tregon, por sidomos, nëpërmjet asaj që nuk përmendet, dalin në pah, pak e nga pak, dilemat e jetës së tij. Në veçanti, në roman dalin në pah ndjenjat e papranuara dhe të papërjetuara për zonjën Kenton, guvernanten, e cila, ndryshe nga Stivensi, është e ndërgjegjshme për pasojat dramatike që vetëmohimi i tij do të ketë mbi jetët e të dyve.

“Dita e mbetur” fitoi çmimin Man Booker Prize në 1989. Mbetet një prej veprave letrare më të njohura dhe të respektuara në Angli. Ndër të tjera, ky roman është përfshirë në listën e përpiluar nga gazeta The Guardian, “Libra pa të cilët nuk mund të jetohet”, dhe është përshkruar nga revista The Economist si vepra më e famshme e autorit fitues të çmimit “Nobel”, Kazuo Ishiguro.

“Dita e mbetur” e Kazuo Ishiguros vjen me përkthimin e mrekullueshëm të Parid Teferiçit. Ky konsiderohet ndoshta romani më i mirë i Nobelistit të njohur.

Komento
Shperndaje