Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Mikesha-regjisore e “Vdiq Mbreti, Rroftë Mbreti”: Një nga aktorët donte të largohej dhe kishte të drejtë. Unë nuk krijoj kast por familje…

Mikesha-regjisore e “Vdiq Mbreti, Rroftë Mbreti”: Një nga aktorët donte të largohej dhe kishte të drejtë. Unë nuk krijoj kast por familje…
January 05
20:56 2018

Viti i kaluar mund të themi se ka qenë një ndër më të veçantët dhe të suksesshmit për regjisoren Elma Doresi. Ajo është një ndër emrat më të njohur të regjisurës në teatrin Kombëtar, personazhi që fshihet pas suksesit të “Zbutja e Kryeneçes” shqiptare,  jehona e së cilës mbërriti deri në Kinë. Këtë vit Elma do të ngjisë në skenën e Teatrit Kombëtar premierën e parë të vitit 2018, një vepër shqiptare e quajtur “Vdiq Mbreti, Rroftë Mbreti”. Në një intervistë për Blitz.al regjisorja e njohur ka rrëfyer detajet e fundit të përgatitjeve dhe bashkëpunimin me aktorët .

Kjo është vepra e parë e vitit 2018 që do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar. “Vdiq Mbreti, Rroftë Mbreti” është një komedi shqiptare. Mendon se për publikun është më e afrueshme një vepër e shkruar nga pena shqipe?

-Absolutisht po. Duke qenë autori shqiptar detyrimisht dhe problematika apo tematika e cila do të trajtoj është diçka e jona dhe e prekshme. Jemi ne, është historia jonë, janë personazhet tona dhe “hallet” tona. Nëse në një vepër të huaj do të themi “ah, kjo ndodh edhe tek ne”,  këtu kjo fjalë bie poshtë.

Promovimi i shfaqjes ka qenë fantastik në rrjete sociale. Na trego diçka më shumë për historinë…

-Jam munduar të mbaj miqtë e mi të teatrit gjatë tërë kohës të informuar. Është një gjë të cilën e bëj me kënaqësi dhe po me kënaqësi e ndaj me ta herë pas here. Dhe fal ndihmës dhe mbështetjes tuaj kam mundur përherë ti jap ZË aktiviteteve tona. Ju falenderoj ju dhe miqtë tanë të teatrit për këtë gjë.

Disa nga aktorët që janë pjesë e kësaj shfaqjeje janë bashkëpunëtorët e tu të përhershëm. Përzgjedhja që ju bëni bazohet edhe në suksesin e tyre, nga Zbutja e Kryeneçes?

-Me disa kam nisur edhe këtë rrugetim, si Devisi dhe Klodi. Kam bashkëpunime nga Kryeneçja natyrisht si Ola Harizaj dhe Sokol Angjeli, Klea Huta. Por kam dhe bashkëpunimin tim të parë me Bujar Asqeriun, Raimonda Bulkun dhe Dritan Boriçin. Gjej momentin që nëpërmjet jush ti falenderoj secilin prej tyre per disiplinën, profesionalizmin, karakteret, bashkëpunimin, kohën. Ia dolëm të ndërtonim shfaqjen fal këtyre elementeve.

Mjafton t’ju ndjekësh në rrjete sociale dhe kupton që Elma nuk është thjesht një regjisore, por një mike-regjisore e cila investon shumë edhe nga vetja e saj me aktorët. Mendon se pikërisht kjo gjë ndikon në suksesin e veprave të tua?

-Unë i dua shumë aktorët. I kam dashur përherë shumë. Jam munduar gjatë jetës sime artistike ti vlerësoj në të gjitha drejtimet. Në prova nuk ka një hirearki, madje herë pas here dhe në shfaqje hedh batutën e para të tipit “të përfitojmë meqënëse nuk ka ardhur regjisorja”(qesh)! Nuk ka mure midis nesh por nuk ka as ligje apo pershkrime. Jam e tillë sepse nuk di të jem ndryshe. Në këtë shfaqje do të mbaj mend një periudhë fantastike prej tyre. Kemi qeshur dhe mezi kemi pritur orarin e provave. Madje ka pasur dhe momente kur kam lënë dikë pushim i cili /e cila është mërzitur sepse ne krijuam një familje e cila krijoj një shfaqje.

Ikën një Mbret dhe vjen një tjetër. “Vdiq Mbreti rroftë mbreti” është një shprehje që nënkupton vazhdimësi, trashëgimi. Na trego me pak fjalë mesazhin e kësaj pjese.

-A mundet një njeri të ndryshojë i vetëm Botën? Aspak. Me gjithë dashamirësinë apo dashurinë e tij te madhe. Kështu dhe Shefi ynë i cili do të vij me qellimin e vërtetë që ka për të ndryshuar strukturën , ndeshet me Klimën. Klima e cila përballë tij nuk mund kurrsesi të humb, sepse është shumicë.

Detaji i letrave të bixhozit duhet thënë se ishte shumë goditës, tërheqës. Nëse secilin prej aktorëve do ta identifikoje me një letër, mund të na i renditësh sipas karaktereve të tyre në vepër?

-Kryesorët janë dyshja jone Ai dhe Shefi e cila është brenda një koncepti, ashtu siç dhe e shohim në poster. Secili nga ne ka letrën e tij. Të gjithë kemi anët tona të errëta të cilat mundohemi ti ushqejmë. Pastaj është në dorën tonë se kë duam të nxjerrim anën pozitive apo atë negative.

Sa e vështirë është të ndryshosh  funksionimin e një administrate në Shqipëri? Si duhet të “luash” për të bërë ndryshimin (bazuar tek vepra)?

-Ah ata janë një treshe fantastike. I dua shumë. Normalisht loja e tyre është ngritur në grotesk dhe si e tillë do të ketë shume momente komike prej tyre. Por jo vetem kaq. Kjo administratë ka nje hall. Administratat, dhe pse na serviret si e tillë ka një rrugëtim deri më sot. Do të ketë dhe momente shpërthimi dhe reflektimi prej tyre. Të cilat mendoj se secili prej nesh do të gjej veten shumë. Nuk dua të flas më shumë sepse do preferoja t’ia lija surprizë miqve të teatrit.

Duhet thënë se ju jeni një nga ato regjisore që i kushton shumë vëmendje detajeve që duken gati të parëndësishme por që kanë peshën e tyre si muzika, skenografia, kostumografia. Je fanatike e krijimit të diçkaje perfekte apo dëshiron që puna jote të jetë mbi të tjerat?

-Janë komponentë të shfaqjes të cilat bashkarisht përbëjnë shfaqjen. Dua dhe fatmirësisht mi kanë krijuar këto kushte Teatri Kombëtar duke mi vendosur të gjitha në dispozicion. Jam e fiksuar tek detajet dhe fatmirësisht me ndihmën e zotit dhe të aktorëve kësaj rradhe ka shkuar çdo gjë mbarë dhe çdo ditë kemi sjellë gjëra të reja.

A të ka refuzuar pjesëmarrjen ndonjë aktor/e?

-Një! Dikush prej tyre në fillim ka dashur të iki. Roli i dukej ndryshe dhe sikur nuk i sillte diçka që ta mbushte. Duhet thënë se kemi bërë laborator teatri me veprën. E verteta është se kishte të drejtë. Por megjithatë nuk e lashë. Nuk më pëlqejnë refuzimet. I premtova se do ta ndihmoja dhe se deri në fund do krijonim diçka të  kundërt me atë. Dhe ashtu ndodhi. Një ditë më tha se ishte kënaqur dhe se tashmë ka një karakter ndryshe nga çfarë kishte bërë më parë. Sekret emri.(qesh)

Përse publiku duhet të vijë dhe të ndjekë nga afër shfaqjen “Vdiq Mbreti rroftë Mbreti”?

-Sepse është një punë që është  hedhur shumë dashuri dhe këtë dashuri duam ta ndajmë me ju.

“Vdiq Mbreti Rroftë Mbreti” do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar më datën 13 janar për të vijuar gjatë gjithë mujit janar.

/Blitz.al/

Shperndaje