Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Libri bën bashkë emrat e njohur në “Tirana lexon”

September 29
15:09 2016

Nuk i kemi parë kurrë duke lexuar publikisht. Por të paktën për dy ditë radhazi, emra të njohur të letërsisë shqipe, përkthyes e personazhe të ekranit shqiptar, do të lexojnë bashkë me të rinjtë në “Tirana lexon”. Aktiviteti ka çelur siparin ditën e sotme, si një maratonë leximi që organizohet nga IDMC (Instituti për Demokraci, Media & Kulturë), me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.

Në ceremoninë e hapjes kanë marrë pjesë: kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, Jonila Godole, drejtuese e IDMC-së dhe gazetarët e kulturës, Alfred Lela, Ben Andoni, Arta Marku dhe Alda Bardhyli.

Në fjalën e hapjes, Jonila Godole tha: “Nga viti në vit synojmë që “Tirana lexon” ta kthejmë në një ngjarje kulturore për kryeqytetin, duke u përqendruar jo vetëm te letërsia por edhe tek artet e tjera. Në edicionet e ardhshme do të kalojmë nga qendra në periferi, në mënyrë që të përfshijmë të gjithë lexuesit, pa dallim moshe dhe pa dallim shijesh letrare”,- ka nënvizuar Godole.

Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë Tiranë, tha se gradualisht do të hapen të gjitha bibliotekat e lagjeve.

“Pas hapjes së disa bibliotekave, po rikonstruktojmë ndërkohë shumë të tjera. Këtë muaj hapim edhe Bibliotekën e Pezës, sepse libri ndryshon jetën e gjithsecilit”.

Në fund të fjalimit, Veliaj lexoi bashkë me të pranishmit. Nuk kishte se çfarë të lexonte tjetër, përpos se diçka që lidhet me qytetin, veçse jo me Tiranën, por me Gjirokastrën. Libri i tij i zgjedhur ishte “Kronikë në gur” nga Ismail Kadare.

Takimet e “Tirana lexon” do të vazhdojnë deri në mbrëmjen e ditës së nesërme. Ylljet Aliçka, Vera Bekteshi dhe Maks Velo do të diskutojnë për letërsinë si vend kujtese. Në një takim tjetër letrar, të organizuar në bashkëpunim me Departamentin e Letërsisë në UT, do të flitet dhe lexohen pjesë nga vepra e Trebeshinës. Ndërsa në kafenetë-letrare të Tiranës do të jenë të pranishëm autorët e rinj. Në mbyllje të këtij rrugëtimi, në Bibliotekën Kombëtare, do të marrin pjesë përkthyes të njohur, si: Edmond Tupja, Rudi Erebara, Diana Kastrati. Ftesës për të lexuar bashkë me të rinjtë i kanë thënë po edhe Mustafa Nano, Beti Njuma, Eno Popi, Isli Islami, Blendi Salaj, Agim Baçi etj. /Blitz.al/

Shperndaje