Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kujtohet 150-vjetori i lindjes së poetit Ndre Mjeda

Kujtohet 150-vjetori i lindjes së poetit Ndre Mjeda
December 15
16:51 2016

“A është përrallë, a është pikturë, a është tablo muzikore, a është poezi, a është dramë… ajo që mbetet janë vargjet të cilat dikur-dikur m’i recitonte ime më dhe kujtoj se në përfytyrimin tim nuk shihja dy çika, por veç dy qershitë”. Këto fjalë zgjodhi ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, për të përshkruar magjinë e fjalëve në poezitë e Ndre Mjedës, në aktivitetin kremtues në 150-vjetorin e lindjes së poetit, teksa lexoi vargjet: Molla t’kputuna nji degët, dy qershia lidhë n’nji rrfanë, ku fillojnë kufijt’ e Gegët, rrijnë dy çika me nji nanë.

150- vjetori i lindjes së Ndre Mjedës u kujtua në datën 13 dhjetor në Bibliotekën Kombëtare, me pjesëmarrjen e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, të ftuarit të nderit akademikut Sabri Hamiti, si dhe akademikë e studiues të shquar, pedagogë e studentë. Vepra poetike e Mjedës shpalos ende për studiuesit dhe lexuesit e tij të shumtë mundësi e joshje sa estetike, aq edhe shqyrtuese për t’u rilexuar, për t’u interpretuar e për të na shndërruar në lexues të pasionuar të tij. Pikërisht një pasion të tillë, njëkohësisht prej lexuesi e studiuesi shembullor, e përmbledh edhe libri më i fundit i akademikut Sabri Hamiti, me titullin “Ndre Mjedja”, botuar në Prishtinë më 2016-n, si një udhëtim në leximet personale të poetit, ku, nga leximi më i hershëm e intim i “Vajit të bylbylit” më 1982-shin deri te shqyrtimet më të fundit të Mjedjes si “liriku klasik” dhe “poeti ëndërrues” që përmbyllin librin më 2016-n, shpërfaqet mrekullia e leximit, por edhe sfida e përhershme e rileximit dhe riinterpretimit.

Për të sjellë shijen estetike të poezisë së Mjedjes, e ftuara e veçantë, aktorja e mirënjohur Ema Ndoja, lexoi për të pranishmit disa nga poezitë tij.

Aktiviteti vijoi me tryezën e rrumbullakët “Rilexime të Mjedës”, ku u prezantuan shqyrtimet dhe perspektivat më të reja studimore mbi veprën dhe personalitetin e Ndre Mjedës, i cili gjithnjë e më shumë tërheq vëmendjen e studiuesve e lexuesve. /Blitz.al/

Shperndaje