Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kinemaja verore më “trendy” tani në Tiranë!

Kinemaja verore më “trendy” tani në Tiranë!
June 18
14:12 2016

Duke qenë se sezoni i verës lejon edhe më tepër hapësira për të apasionuarit pas aktiviteteve në natyrë, një gjetje të këtij lloji kanë bërë dy të reja nga Tirana, Anita Hasanaj dhe Julia Sinanaj, duke krijuar një “Cinema Under the Stars” (Kinema nën yje) në qendër të kryeqytetit.

“Cinema Under the Stars” është shumë e thjeshtë për t’u realizuar, mjafton një video-projektor i madh, një shesh, disa CD me filma dhe sigurisht njerëz që pëlqejnë filmin. Thënë këtë, duke nisur që prej kësaj fundjave, sheshi prapa monumentit të Gjergj Kastriot Skënderbeut do të kthehet në një kinema verore.

Vajzat nismëtare të këtij projekti kanë treguar për Mapo.al se e gjithë ideja ka qenë diçka e momentit. Ato thjesht kanë dashur të vijnë me një ide se si mund t’i kthejnë në më interesante fundjavat për të rinjtë.

“Kinemaja është një gjuhë. Ajo mund të thotë gjëra të mëdha dhe gjëra abstrakte gjithashtu. Pikërisht kjo është ajo që ne duam në lidhje me të. Ne nuk jemi gjithmonë të mirë me fjalët. Disa njerëz mbase po, disa janë poetë dhe kanë një mënyrë të bukur për të thënë gjërat me fjalë, por kinemaja ka  gjuhën e vet. Ajo mund të thotë shumë gjëra, pasi ajo shtrihet në kohë dhe sekuenca. Kinemaja na jep  dialogun, na jep muzikën, na jep efektet e pafundme”, – janë shprehur Anita dhe Julia.

Këtë fundjavë, në “Cinema Under the Stars” do të jepet një film-komedi, ndaj të gjithë ata që duan ta provojnë këtë eksperiencë mjafton të shkojnë në mbrëmje në sheshin “Skënderbej” dhe t’u bashkohen të tjerëve. Shikim të këndshëm të filmave në natyrë!

Shperndaje