Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ironia e fatit brenda një romani kuptimplotë: ” Të bukur dhe të mallkuar”

Ironia e fatit brenda një romani kuptimplotë: ” Të bukur dhe të mallkuar”
September 13
18:40 2019

 

Vitet ’20-’30 mbahen mend si më të shkujdesurat, më të harbuarat dhe më të bukurat e shekullit të kaluar. Kushdo që është i dhënë pas asaj periudhe, mund të lexojë romanin “Të bukur dhe të mallkuar” të F. Scott Fitzgerald-it për të marrë një shije të vërtetë të asaj kohe, e quajtur edhe “Epoka e Jazz-it”. Romani është ekranizuar për herë të parë në vitin 1922, si film pa zë me aktore protagoniste Marie Prevost.

Informacion i përgjithshëm rreth librit

Romani i sjellë në shqip nga Shtëpia botuese “Pegi” “Të bukur dhe të mallkuar”, botuar për herë të parë më 1922, është romani i dytë i shkrimtarit F. Scott Fitzgerald. Ai eksploron dhe portretizon shoqërinë e lartë amerikane nëpërmjet dy personazheve, aspirantët aristokratë të Periudhës së Jazz-it, Antoni dhe Gloria Paç. Që të dy, burrë e grua, personifikojnë shoqërinë e zvetënuar njujorkeze të viteve ’20, të shekullit të kaluar: janë të pashëm, sipërfaqësorë, në kërkim të kënaqësive dhe vanitetit.

Nga njëra anë, gjendet Antoni, djalosh i pashëm, i mërzitur me jetën e rëndomtë, jetim, që kalon një periudhë kohe në Romë ku, mes grave, mbrëmjeve me miqtë dhe frymëzimeve të ndryshme artistike, si shumë bashkëmoshatarë të tij ndien se një ditë jo fort të largët do të bëjë gjëra të mëdha në jetë. Nga ana tjetër, Gloria, 22-vjeçarev nga Kansas Siti, eksentrike, e trazuar, e zhgënjyer, që e josh menjëherë Antonin me bukurinë dhe karakterin e saj krenar. Dy të rinjtë fillojnë një lidhje dhe, pas një fillimi disi të dhimbshëm në dukje, martohen, të bindur që e kanë gjithë botën në dorë.

Mirëpo, tani që fillon jeta e vërtetë prej të rrituri, ata zbulojnë se janë të pazotë për t’u angazhuar në plane pune, apo për të punuar realisht duke sajuar përligjje nga më të ndryshmet vetëm për t’u zdërhallur pas qejfeve dhe luksit.

Në pritje të një trashëgimie të madhe të lënë nga gjyshi i Antonit, ata jetojnë përtej caqeve të tyre ekonomike. Shoqëruesi i ditëve të tyre bëhen alkooli, ballot, festa, luksi dhe kumari. Por kur trashëgimia nuk vjen, jeta e tyre shndërrohet në kërkim të ankthshëm të pasurisë dhe aleancat e brishta fillojnë të këputen.

Romani është frymëzuar pjesërisht nga lidhja e Fitzgeraldi-t dhe bashkëshortes së tij, Zelda-s. Të dy personazhet evokojnë një portret të gjallë të një bote të humbur: një qytet ku gëlon vesi, një shoqëri pa krye e pa drejtim dhe një brez dekadent dhe pa rrënjë.

“Të bukur e të mallkuar” është një satirë e moralit amerikan të fillim shekullit XX, gjatë viteve të proibicionizmit, ku të rinjtë – protagonistët e rinj të shekullit XX – duhet të përballen me krizën e vlerave të epokës së paraluftës.

Ata mishërojnë epokën në të cilën jetojnë dhe që do të përfundojë në mënyrë dramatike me krizën e vitit 1929.

Komento
Shperndaje