Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Inva Mula tregon arsyen pse pranoi të drejtojë festivalin “Marie Kraja”

Inva Mula tregon arsyen pse pranoi të drejtojë festivalin “Marie Kraja”
October 20
14:48 2016

Pak ditë më parë është bërë publik lajmi se festivalin operistik “Marie Kraja” do ta drejtojë sopranoja e njohur Inva Mula. Në një konferencë për mediat, Mula ka treguar disa detaje më shumë rreth kësaj eksperience.

“Është një gjë që më pëlqen. Kur Zana ma besoi, e dëshiroja. E kam ndjekur që në fillimet e veta. Fatmirësisht e fatkeqësisht është i vetmi në këto përmasa në fushën vokale. Na jep dinjitet artistik. Është një festival që pret artistë të huaj që të marrin përvojë në Tiranë. Pavarësisht se jam e zënë me koncerte, nuk mund të thosha jo sepse është kthyer në traditë”, – tha sopranoja Inva Mula.

Sopranoja ka zbuluar edhe disa detaje rreth strukturës së festivalit.

“Nuk kemi dalë jashtë strukturës. Unë kam qenë në juri të ndryshme dhe nuk kam gjetur formulë më të mirë. Ky festival del nga konturet e një konkursi dhe i përgatit këngëtarët për të ardhmen. Ka qenë gjetje nga Zana. Nuk synoj të prish formatin, por të sjell një nivel të lartë artistik të konkurrentëve, sepse ai sjell sukses”.

Sakaq, Zana Çela, e cila ka qenë më parë drejtuese e këtij festivali për 15 vite, ka treguar pozicionin e saj në edicionin e këtij viti.

“Do të doja të ishte vazhdimësi, por varet nga Inva. E rëndësishme është që kaloi në drejtimin e një personaliteti artistik si Inva. Nuk është zgjedhje miqësore. Inva ka qenë një ndër figurat kryesore që ka ndihmuar në rritjen e këtij festivali. Ka qenë anëtare jurie dhe këtë e ka bërë edhe me sakrifica për të qenë në edicione të ndryshme. Ka dhënë edhe kontribute financiare për çmime të caktuara. Dhe unë Invën e njoh, sepse kemi kënduar bashkë kur kemi qenë të vogla me prof. Robertin”, – tha dje Zana Çela.

“Unë do të jem drejtorja e TKOB. Në tre vite ka qenë në festival Ilir Kerni si anëtar jurie, këtë vit do të jem unë. Do ta mbështes. Festivali ka qenë çdo vit pjesë e kalendarit të Operës”.

Paneli i jurisë do të përbëhet nga personalitete të rëndësishme dhe pritet të ketë rreth 15 konkurrentë. Edicioni i 16-të i Festivalit Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja” do të vijë këtë vit në datat 3, 4, 5 nëntor 2016, në orën 19.00, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit./Blitz.al/

Komento
Shperndaje