Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Botuesja Berhami: Për Sophia Loren, familja ishte filmi i saj më i mirë

(Intervistë) Botuesja Berhami: Për Sophia Loren, familja ishte filmi i saj më i mirë
March 25
14:16 2017

Ditët e fundit, në të gjitha libraritë  është vënë në shitje, nga shtëpia botuese “Pegi”,  libri më i ri  i cili tregon jetën e një prej ikonave të bukurisë dhe të një prej grave më të famshme të të gjitha kohërave, Sophia Loren. Në karrierën e saj shumëvjeçare, aktorja italiane ka interpretuar disa role të suksesshme dhe ka fituar një sërë çmimesh. Megjithatë publiku ka qenë gjithnjë kurioz të dijë më shumë  mbi jetën e një prej grave më të bukura të botës dhe tashmë të gjithë historinë e saj mund ta lexoni në një libër. Botuesja e “Pegi”-t na ka treguar disa detaje mbi librin.

Cilat janë detajet që e identifikojnë Sophia Loren dhe sharmin e saj prej ikone në këtë libër? 

-Ajo çfarë bie në sy që në faqet e para të librit, ku Sophia kujton fëmijërinë, marrëdhënien me gjyshen dhe nënën, është çiltërsia dhe sinqeriteti. Këto cilësi e kanë shoqëruar këtë grua nga periudha e vegjëlisë deri në rrokjen e suksesit. Besoj se ajo që ia ofron titullin ikonë këtij personazhi është pikërisht fakti që nuk arriti të humbiste vetveten, vlerat më të spikatura, por mbi të gjitha thjeshtësinë. Sophia është e madhe sepse ka ditur të pranojë të jetë e vogël. Talenti vetëm nuk mjafton për t’u shndërruar në personazh botëror të historisë.

Kush është ajo jashtë reputacionit dhe famës që e njohim?

-Sophia është një grua me një botë të pasur, e vendosur, që ka vuajtur shumë, ka punuar edhe më shumë, ka dashuruar me pasion. Ajo është një bashkëshorte e dashur, një nënë e përkushtuar, një gjyshe e marrosur pas të vegjëlve të saj. Ajo është qendra e një familjeje, të cilën e ka konsideruar gjithmonë filmin e saj më të mirë.

Këtë libër e shet më shumë emri apo historia? Çfarë mbizotëron më shumë, harmonia, drama apo trishtimi? 

-Sophia Loren është një ikonë e kinematografisë botërore. Gjatë viteve ’60 ajo ishte një nga aktoret më popullore të perëndimit me një sërë filmash të suksesshëm në Europë, sikurse edhe në Shtetet e Bashkuara – e para artiste që fitoi një “Oscar” për një interpretim të huaj. Kësisoj, historia personale e saj merr vëmendje për shkak të gjithë karrierës profesionale. Nëse Sophia Loren nuk do të ishte Sophia Loren, sa interes do të kishte në të vërtetë publiku të rrëmonte në jetën e një gruaje të ҫfarëdoshme? Kërshëria për njohjen e “gruas së ҫfarëdoshme” pas Loren-it nxitet këtu pikërisht sepse ajo nuk ishte aspak e tillë. Emri është trampolina drejt jetës së vajzës së re italiane, që përshkoi një rrugë të gjatë, dramatike, përplot me ngjarje dhe emocione, deri në pagëzimin si yll i kinemasë.

Ky libër është një rrëfim jete dhe si i tillë nuk mund të mos i mbartë në vete të gjitha emocionet që e shoqërojnë jetën e një personi, aq më tepër atë të dikujt që ndjek një rrjedhë ndryshe nga përditshmëria e ne të tjerëve.

Fjala që do e përshkruante më së miri këtë libër? 

-Bota e Sophie-së na shfaqet nëpërmjet syve të saj. Është një përshkrim dhe interpretim bruto i realitetit të vajzës dhe më vonë gruas që u shndërrua në divën e artit filmik botëror.

Çfarë ka kaq të pëlqyeshme figura e Sophia Loren?

-Origjinalitetin. Përgjithësisht publiku ka tendencën t’i perceptojë njerëzit e famshëm si të ndryshëm prej tyre, gati sikur jetojnë në një botë tjetër që është kjo “bota e të famshmëve”, kur në fakt, përtej kësaj fame, ata janë po kaq të rëndomtë sa ne të tjerët. Kjo gjë spikatet sidomos te një personazh si Loren. Përtej suksesit profesional, ajo është një grua karakteristike e mbrujtur në një ambient të gjallë e mesdhetar si ai italian, me një traditë shoqërore jo fort të ndryshme nga ajo shqiptare, çka e bën më të lehtë jo vetëm identifikimin me të (si grua, si nënë, si bijë, si bashkëshorte etj.), por edhe empatinë ndaj saj. Sophia është një grua e guximshme, inteligjente, e fortë, e talentuar, e shkathët, flirtuese, emotive; ajo është një divë e vlerave njerëzore përpara se të jetë një divë e kinemasë./Blitz.al/

Shperndaje