Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Regjisorja Elma Doresi, “njeriu që pa vdekjen me sy”

(Intervistë) Regjisorja Elma Doresi, “njeriu që pa vdekjen me sy”
October 27
21:03 2016

Elma Doresi është një nga regjisoret më të njohura të brezit të ri. Ajo ka ngjitur me dhjetëra vepra në skenat e teatrove në Shqipëri. E cilësuar si një nga regjisoret që ka sjellë risi në teatrin shqiptar, Elma na ka prezantuar me projektin e saj më të ri.

Bëhet fjalë për veprën “Njeriu që pa vdekjen me sy”, e cila do të shfaqet në teatrin “Petro Marko” në Vlorë. Në një intervistë për Blitz.al, regjisorja e njohur na ka rrëfyer diçka më shumë rreth veprës dhe përse nuk do të jetë më në Tiranë me shfaqjet. Ndiqni në vijim intervistën e plotë  me Elma Doresin.

1-Për një kohë të gjatë keni qenë regjisore e shumë veprave të shfaqura në Teatrin Kombëtar dhe Teatrin Metropol. Përse kjo shpërngulje në Teatrin e Vlorës?

-Sepse kishte ardhur momenti të lëvizja nga Tirana. E vërteta është se gjatë këtyre viteve nuk më kanë munguar ftesat brenda dhe jashtë Shqipërisë, por hezitoja të lëvizja. E kundërta ndodhi me Vlorën. Drejtori i teatrit “Petro Marko”, Dhimitraq Furxhiu, më ftoi për një bashkëpunim. Nuk u mendova gjatë, nga dëshira për një eksperiencë të re dhe, pse jo, një sfidë e re dhe ndryshe për mua.

2- Na tregoni disa detaje për veprën “Njeriu që pa vdekjen me sy”…

-Kemi të bëjmë me një vepër të shkruar nga dramaturgu i njohur shqiptar Viktor Eftimiu. Është një vepër që trajton problemet shoqërore, si familja, politika dhe ndërhyrja e personales te profesionalja. Është një komedi e cila do të sillet si përherë brenda stilit dhe formës që unë trajtoj, siç është ai i groteskut. Është e mbushur me shumë situata komike, por edhe të trishta. Do të kemi triumfe, por do të kemi edhe tërheqje. Një vepër me mesazhin universal: Duhet të jemi mirënjohës ndaj njerëzve që na falin sado pak lumturi në jetët tona, përpara se ata të largohen. Nesër do të jetë vonë…

3-Pse e keni ndryshuar kastin e aktorëve?

-Ma ndryshuan (qesh). Teatri “Petro Marko” ka një staf profesional aktorësh dhe regjisorësh. Sikundër ka edhe një talent, siç është skenografi dhe kostumografi i komedisë sonë, Drini Shehu. Natyrisht ishte produksion i këtij teatri dhe si i tillë dhe aktorët do të ishin ata që janë. Janë pak, por janë shumë njëkohësisht. Eksperienca me ta ka qenë ndryshe, e mbushur dhe frytdhënëse për mua. Tani që e shoh në ditët e fundit mendoj se aktorë më të mirë nuk do të gjeja. Secili më duket në vendin e tij.

4- Devis Muka është një nga aktorët me të cilët keni bashkëpunuar më së shumti. Pse Devisi nuk është në këtë pjesë, apo pas angazhimit në “Fiks Fare” është bërë mendjemadh?

-Sepse më kërkoi shumë para. Dhe jo vetëm ai, por edhe Klodian Hoxha (qesh). Unë me ta nuk kam bashkëpunuar, unë dhe ata u rritëm bashkë në skenë, rritëm njëri-tjetrin. Dhe rritja nuk është se për herë të parë unë dal jashtë Tiranës, por për herë të parë unë kam një shfaqje pa Devisin në hapje, pa Ermelën në mes e pa Klodianin në vazhdim. Ata nuk do të jenë kësaj radhe në skenë me mua, por shpirtërisht dhe moralisht kanë qenë me mua edhe nëpërmjet një telefonate.

5-Pse publiku duhet ta ndjekë këtë pjesë teatrale?

– Është e thjeshtë: Sepse kemi nevojë të qeshim. Kaq!

elma njeriu-qe-pa-vdekjen-me-sy

Komento
Shperndaje