Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Nis Muaji i Ramazanit, imami: Edhe një i krishterë mund të agjërojë

(Intervistë) Nis Muaji i Ramazanit, imami: Edhe një i krishterë mund të agjërojë
June 06
20:07 2016

Muaji i madhërishëm i Ramazanit, është muaji i nëntë i kalendarit islam që ndiqet me nisjen e agjërimit të besimtarëve myslimanë. Ky Muaj i Shenjtë mbart një rëndësi të veçantë për besimtarët, ai cilësohet si muaji i të gjitha mirësive, i mëshirës dhe faljes. I kontaktuar nga Blitz.al, imami Albert Kanani tregon rëndësinë e agjërimit, kush mundet të agjërojë e kush jo dhe mesazhin sublim që mbart Muaji i Ramazanit në botën islame.

Çfarë duhet të dimë për Muajin e Ramazanit?

Muaji i Ramazanit është Muaji i sakrificës ku çdo besimtar bën sakrificë duke i u bindur Zotit dhe duke u solidarizuar me nevojtarët. Është Muaji i mëshirës dhe faljes, ku Zoti hap dyert e xhenetit dhe i mbyll dyert e xhehenemit dhe i fal të gjithë ata që kërkojnë falje.
Në këtë muaji vepra më e lavdëruar për një besimtar është ushqimi i një nevojtari. Në ketë muaj Zoti ka shpallur (zbritur) Kuranin .
Në këtë muaji ndodhet një natë (Nata e Kadrit) që është nata më e mirë, ku Zoti vendos fatin e njeriut  dhe se çdo njeri duhet të lutet për fatin e tij. Zoti na ka treguar në Kuran për vlerën e saj ku thotë se vlera e kësaj nate është më e mirë se sa një mijë muaj. Gjithashtu, ky është muaji i edukimit ku besimtarit sikurse i është ndaluar ngrënia dhe pirja (në orare të caktuara) i janë ndaluar edhe fjalët dhe veprat e pista.

Cilat janë oraret e Vaktisë së Ramazanit?

Sa u takon orareve të vakteve, ngrënia e ushqimit në agim përfundon në orën tre të mëngjesit dhe më pas çelet në orën 20:10 të darkës. Megjithatë, nevojitet t’i referohemi orareve të pasqyruara në kalendar.

Cilat janë kushtet kryesore, çfarë nuk duhet bërë gjatë Muajit të Ramazanit?

Ndalohen ngrënia dhe pirja, si dhe kryerja e marrëdhënieve intime.

Ç’ndodh nëse një besimtar e prish agjërimin?

Nëse ndodh që një besimtar të prish agjërimin pa dashje nga harresa, agjërimi i tij është në rregull dhe duhet ta vazhdojë atë.
Porse nëse dikush sëmuret dhe detyrohet ta prishë, i kompeson ato ditë mbrapa muajit të Ramazanit. Nëse dikush vuan nga një sëmundje kronike dhe nuk mund të agjërojë, atëherë ushqen një nevojtar në ditë dhe i kompensohet agjërimi.

Ato gra që janë shtatzënë, lehone ose e kanë fëmijën akoma me gji dhe kanë frike mos u ikën qumështi, apo atyre që u vjen cikli menstrual, e zëvendësojnë agjërimin e ndërprerë me ditë të tjera mbrapa Ramazanit.
Ndërsa ata të moshuar që nuk munden të agjërojnë për shkak të moshës së thyer ushqejnë një nevojtar në ditë, por nëse nuk munden nuk janë të detyruar. Dhe së fundmi, duhet theksuar se nëse dikush e prish agjërimin pa asnjë arsye të shëndoshë, ai njeri duhet t’i kërkojë falje Zotit.

Nëse një i krishterë dëshiron të agjërojë, mundet ai?

Nëse një i krishterë ka dëshirë të agjërojë, sigurisht që mundet. Zoti thotë në Kuran “Ua kam bëre detyrim agjërimin sikurse ka qënë detyrim e për popujt e tjerë.

Cili është mesazhi i Muajit të Ramazanit?

Mesazhi kryesor është dashuria për njëri-tjetrin, ndjenja e sakrificës, të jemi të mëshirshëm, tu gjendemi nevojtarëve dhe të bëjmë sa më shumë vepra të mira në këtë Muaj. T’i bindemi Zotit.

Etiketimet
Shperndaje