Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Liridon Mulaj, poeti që shkruan për femrat: Shprehja “ishallah me djalë” tregon se ato janë të paragjykuara që në lindje

(Intervistë) Liridon Mulaj, poeti që shkruan për femrat: Shprehja “ishallah me djalë” tregon se ato janë të paragjykuara që në lindje
December 23
16:09 2016

Liridon Mulaj është një djalë i ri në moshë, por me dëshirën e madhe për të shkruar. Edhe pse i diplomuar në Degën e Menaxhim Biznesit në Universitetin e Tiranës, pasioni i tij është poezia, së cilës i është dedikuar që në fëmijëri. I rritur në një familje tradicionale, por shumë të ngrohtë, Liridoni bën pjesë në ata shkrimtarë të rinj muza e të cilëve është figura femërore. Përmes vargjeve me rimë ai godet një nga dramat më të mëdha kaq aktuale në Shqipëri, paragjykimi ndaj femrave, madje që në lindje. Duke marrë shkas nga një poezi e tij, Blitz.al ka zhvilluar një intervistë me Liridonin, i cili na ka treguar se përse ka zgjedhur pikërisht të shkruajë mbi këtë temë.

  1. Poezia juaj ka trajtën e një historie që rrëfen në çdo varg të saj. Ajo që bie në sy është ndjeshmëria me të cilën ju shkruani për femrën. Përse zgjodhët që të shkruanit pikërisht për të?

-Gjithçka erdhi spontanisht. Çuditërisht ato ditë televizionet gëlonin nga lajme: një femër ishte hedhur nga ballkoni nga bashkëshorti; një djalë kishte rrahur të ëmën apo një vëlla përdhunonte të motrën. Dhe në një moment i thashë një mikut tim: A e ke menduar ndonjëherë se sa e vështirë është të jesh femër në Shqipëri? Dhe kështu lindi frymëzimi. Ishte diçka e momentit, por e bazuar në mentalitete të vërteta që i kemi jetuar dhe po i jetojmë akoma.

  1. Sipas mendimit tuaj, është më e vështirë për një femër të jetojë në një botë si kjo e sotmja? Është universale kjo apo vlen vetëm për Shqipërinë?

-Sot është bërë e vështirë jetesa në botë për këdo besoj, duke parë se si po rrjedhin ngjarjet globale. Pastaj për sa u përket femrave varet nga vendi ku jetojnë. Në perëndim dhe në Amerikë janë të vlerësuara dhe të barabarta me meshkujt në çdo vendimmarrje. Pastaj në vende në tranzicion si ky i yni mendoj se është e vështirë, por po të shohësh ka edhe me keq. Besoj ju e dini që gratë në vendet arabe ose Lindjen e Mesme nuk kanë të drejta fare dhe këtu më vijnë ndërmend ato dënimet e grave me gurë ose në vendet afrikane që gjymtohen. Domethënë nuk është diçka e njëjtë në çdo vend të botës. Por prapë mendoj se bota është bërë e vështirë për t’u jetuar për këdo dhe ndoshta pak më tepër për femrat si qenie të brishta.

  1. A vazhdojnë të jenë femrat të paragjykuara që në lindje?

-Besoj se po. Është një mentalitet që i përket së shkuarës, por besoj se akoma femra paragjykohet. Dhe këtë e bazoj në thënien tonë të famshme që kur marrim vesh që dikush do të bëhet me fëmijë i themi “ishalla me djalë!” dhe fatkeqësisht këtë shprehje e dëgjoj më shumë nga femrat.

  1. Sa mendoni se e njihni botën e një femre?

-Unë jam djali i një nëne, kam motra, kam të dashur dhe mendoj se e njoh aq sa duhet sepse bota e femrës është e pafundme dhe pak e ngatërruar. Kam parë femra që të shkatërrojnë duke buzëqeshur dhe femra që dashurojnë duke qarë dhe këto veti e bëjnë botën e femrës komplekse.

  1. Një mesazh që dëshironi t’ua thoni të gjithë meshkujve (lidhur me temën e poezisë):

-T’i duam femrat, janë dhurata më e bukur që Zoti na ka dhënë. Dhe asnjëherë të mos e masin forcën me një femër. Është pikërisht ky veprim që të zhburrëron.

  1. E quani veten poet?

-Unë shkruaj për kënaqësinë time dhe të atyre që i lexojnë. Pastaj, për sa i përket pyetjes nuk mund të them se jam poet. Shkruaj poezi, shkruaj edhe copëza ose paragrafë në formën e eseve ose prozave, por e di që duhet të shkruaj shumë që ta meritoj emrin poet. Por kjo pak rëndësi ka për mua. E rëndësishme është që poezitë e mia pëlqehen dhe kjo është kënaqësia ime më e madhe.

  1. A keni menduar të bëni një libër?

-E kam menduar që i vogël, ndoshta. Kur mbyllesha në dhomë dhe kënaqësia ime më e madhe ishte të shkruaja. Por pa diskutim që në një të ardhme të shpejtë do të kem një përmbledhje me poezi dhe prozë të ndërthurur ndoshta.

  1. A vlerësohet poezia sot aq sa duhet, pasi shumica sot preferojnë romanet?

-Çdo shkrim i bukur vlerësohet. Nëse një roman duhet lexuar i gjithi që të përcjellë ndjeshmërinë e tij, poezia e bën atë në pak vargje. Shoh miq të mi në rrjete sociale që shpërndajnë  shpesh poezi të ndryshme dhe kjo tregon që vlerësohet. Por siç e theksova më sipër çdo shkrim i bukur vlerësohet, pavarësisht nëse është poezi apo roman./Blitz.al/

doni-muulaj

Shperndaje