Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“International Jazz Festival”, Gent Rushi: Duam të prodhojmë muzikë të mirë, boll me “fake”!

“International Jazz Festival”, Gent Rushi: Duam të prodhojmë muzikë të mirë, boll me “fake”!
July 19
16:43 2016

Sot nis Festivali Internacional i Jazz-it, i cili do të mbahet për 5 ditë radhazi deri në datën 23 korrik. Është edicioni i pestë i këtij festivali dhe duket se organizimi është edhe më gjithëpërfshirës se çdo vit tjetër. Ky event, edhe pse organizohet në Shqipëri, ka përmasa ndërkombëtare pasi grupe dhe muzikantë jazz-i vijnë nga vende të ndryshme të botës për të performuar në vendin tonë. Për disa informacione më tepër lidhur me këtë aktivitet që ka një rëndësi të lartë kulturore, Blitz.al kontaktoi me vetë drejtorin artistik të eventit, Gent Rushi.

Sipas Rushit, një risi e këtij eventi është fakti se muzikantët e jazz-it që vijnë nga vende të ndryshme të botës janë të rinj, pasi festivali është konceptuar në atë mënyrë që të mos ketë përsëritje të emrave të atyre që performojnë në edicione të ndryshme.

Këtë vit do të ketë pjesëmarrje të muzikantëve dhe grupeve të jazz-it nga Austria, Holanda, Italia, Izraeli, Spanja, Turqia, Zvicra si dhe nga Shqipëria. Gjithashtu Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Jazz do të mbahet në Tiranë te “Stela Resort”, por sipas Gent Rushit, do të ketë performanca të jazz-it edhe në Durrës, Fier, Sarandë dhe Korçë. Duhet thënë se në këtë aktivitet hyrja është falas dhe të gjithë ata që dëshirojnë të dëgjojnë muzikë të mirë dhe “live” mund të marrin pjesë në një nga datat kur do të mbahet festivali.

Për sa i përket pyetjes tonë nëse është skena e këtij festivali një mundësi e mirë për muzikantët që marrin pjesë për t’u bërë të njohur edhe në skena ndërkombëtare, Rushi u përgjigj se çdo skenë e kryen misionin e promovimit dhe sidomos për muzikantët shqiptarë të jazz-it, të cilët kanë shumë pak hapësira se ku mund të shfaqin talentin e tyre. Organizime të tilla janë gjithnjë pozitive si për pjesëmarrësit, ashtu edhe për vendin ku bëhet festivali dhe për njerëzit që kanë dëshirë të marrin pjesë e të dëgjojnë këtë muzikë.

Më tepër, Rushi shtoi për Blitz.al se për çdo datë do të ketë 2-3 performanca të muzikantëve që marrin pjesë në këtë edicion të pestë. Ai theksoi se objektivi kryesor i këtij eventi është që pjesëmarrësit të dëgjojnë muzikë të vërtetë. “Ne duam të ofrojmë muzikë të mirë, të vërtetë dhe që ka vlera të jashtëzakonshme kulturore pasi ngado ku shkojmë dëgjojmë vetëm muzikë “fake”. Publiku duhet të mësohet edhe me kulturën e jazz-it sepse ky i fundit ka një traditë historike tejet të veçantë dhe këto vlera duhet të përçohen te të gjithë. Fatkeqësisht, Shqipëria është ende në kuadrin e përpjekjeve për sa i përket jazz-it pasi ka vërtet talente, por çdo iniciativë bëhet private, institucionet publike rrallë herë ndihmojnë në promovimin e kësaj muzike të mirë…”, – ka përfunduar rrëfimin për Blitz.al, Gent Rushi.

...

Komento
Shperndaje