Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Franca dekoron Ismail Kadarenë me titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”

May 31
10:59 2016

Presidenti i Francës, Francois Hollande, i ka dorëzuar  shkrimtar shqiptar Ismail Kadare, dekoratën “Komandant i Legjionit të Nderit”, titulli më i lartë i Republikës franceze që jepet për merita të veçanta në fusha të ndryshme.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë, presidenti francez e cilësoi shkrimtarin Kadare si autor të mrekullueshëm të Letërsisë së Ballkanit. “Ju jeni një avokat i pasionuar i kulturës të Europës dhe i thashë Kryeministrit: për fat të mirë ka europianë që nuk i përkasin Europës dhe që e duan Europën. Ju jeni shqiptar dhe flisni frëngjisht, keni zemër europiane dhe shpirti universal”, u shpreh ndër të tjera Hollande, në ceremoninë ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Titulli që iu dha pak muaj më parë, iu dorëzua Kadaresë nga vetë Presidenti i Francës, i cili zakonisht nuk e jep vetë çmimin. Në rastet kur ndodh, jepet për disa persona, një ceremoni për disa fitues. Ceremonia u zhvillua në pallatin presidencial “Élysée” në prani të një rrethi të ngushtë personash të ftuar.

Ky titull u është akorduar personaliteteve të Francës, si Charles Aznavur, diplomat, aktor, këngëtar, aktivist dhe shumë figurave të tjera si gjeneralë brigadash, ambasadorë, avokatë, skenaristë.