Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Festivali Ndërkombëtar i Karnavaleve në Korçë – arsyet pse nuk duhet të mungoni…

Festivali Ndërkombëtar i Karnavaleve në Korçë – arsyet pse nuk duhet të mungoni…
May 31
20:09 2016

Prej vitesh, në një nga qytetet më të bukura të Shqipërisë, më  4 qershor, Bashkia Korçë organizon Festivalin Ndërkombëtar të Karnavaleve, duke çelur kështu zyrtarisht sezonin turistik veror. Karnavalet e Korçës kanë një histori dhe  famë që është e njohur jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe ndërkombëtar. Këtë vit premtohet se do të jenë më të veçanta se çdo vit tjetër. Kjo festë bën bashkë njerëz nga vende të ndryshme dhe krijon një atmosferë gazmore me elementët e saj karakteristikë, ndërthurjen e traditës dhe tradicionales me modernen. Blitz.al ka kontaktuar me organizatorët, konkretisht me Departamentin për Marrëdhëniet me Publikun në Bashkinë Korçë për të zbuluar më shumë rreth organizimit dhe detajeve të këtij viti.

Këtë vit, organizatorët kanë zbuluar se të pranishëm do të jenë shumë grupe të huaja, nga vende si Bullgaria, Italia, Mali i Zi, Maqedonia, Greqia e shumë të tjera. Pjesë e paradës nuk do të jenë vetëm grupet me të cilat bashkia ka vendosur të bashkëpunojë, por edhe grupe të konsoliduara, njerëz të zakonshëm, të cilët janë të ftuar t’i bashkohen festës në çdo moment. Për sa u përket maskave, ngjyrave e kostumeve këtë vit ato premtojnë një show të vërtetë. Kryesisht tema kryesore do të jetë tradicionalja, mirëpo do të spikatet dhe  rikthehet tradita e kostumeve veneciane dhe braziliane. Pjesë e karnavaleve janë edhe fabulat e ndryshme. Tradicionalisht fabulat lidhen me Karnavalet e Polenit, nusja me dhëndrin e shumë të tjera. I gjithë qyteti me maska do të bëjë paradë në dy bulevardet kryesore të Korçës, mirëpo nuk do të mbyllet me kaq pasi festa e madhe e karnavaleve do të finalizohet me konkursin për “maskën më të mirë të vitit”. Konkursi do të shpërndajë 3 çmime për maskat më të mira të paradës. Balloja me maska është një traditë e hershme e karnavaleve, që këtë vit  do të rikthehet për të gjithë dashamirësit që do të vijnë të festojnë në Korçë.

Si asnjëherë më parë, përveç vendeve të programuara dhe pjesëmarrësve të huaj, hotelet e Korçës janë të gjithë të rezervuar, gjë që tregon se 4 qershori do të jetë një e diel feste e gëzueshme mes shumë dashamirësish.

Grupet shqiptare dhe të huaja, që do të marrin pjesë në këtë festival madhështor, do të bëjnë paradën e tyre në qytet përgjatë bulevardit “Republika”, për t’u mbledhur së bashku në sheshin para katedrales.

Mendoni për kostumin dhe maskën tuaj!

 

Komento
Shperndaje