Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Festivali Multikulturor i Beratit – “Unë jam histori” në qytetin e një mbi një dritareve

July 21
17:22 2016

Ditën e sotme, në qytetin historik të Beratit starton për tri net radhazi Festivali Multikulturor nën sloganin “Unë jam histori”. Ky event kulturor i rëndësishëm organizohet për të tretin vit radhazi me një larmishmëri aktivitetesh, që e kanë  kthyer Beratin në vendin ku çdo vit tradita, kultura, arti dhe turizmi shkrihen në një festival të vetëm. Këto tri net do të jenë të pasura me  aktivitete artistike, të cilat synojnë promovimin e Beratit dhe të vlerave të trashëgimisë kulturore që ky qytet mbart, me muzikë, traditë, trashëgimi, koncerte, panaire, muze dhe ekspozita. Blitz.al ka kontaktuar me koordinatoren e këtij eventi, e cila ka dhënë detaje rreth organizimit, mesazhin që ky festival përcjell dhe risitë dhe aktivitetet e këtij viti.

“Festivali Multikulturor i Beratit, me edicionin e tij të tretë vjen natyrshëm si një ndjenjë përgjegjësie për ruajtjen e traditës dhe promovimin e këtij qyteti. Bashkë me Fondin Shqiptaro – Amerikan të Zhvillimit, partner strategjik i yni, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë, BID Berat e mjaft partnerë të tjerë vijmë në këtë edicion me më shumë ngjyra e sigurisht me më shumë përvojë.

Pedonalja, që shkrihet natyrshëm me lagjet e ndërtesat historike është me siguri gjurma më domethënëse urbanistike e ditëve tona. Kjo dhuratë e Fondit Shqiptaro – Amerikan të Zhvillimit për qytetin e Beratit është qendra  kryesore ku do të zërë vend aktiviteti ynë artistik.

Festivali Multikulturor Berat sjell një shumëllojshmëri aktivitetesh artistike, duke nisur nga performancat e zërave më të dashur, si “Asgjë sikur Dielli”, Marsela Çibukaj, DJ gjerman Vito, grupi  jazz “ALL IN”, grupi folklorik i Qyprillinjve të Roshnikut, ansambli “Ajet Xhindole”, ekspozita të ndryshme, panairi i librit, agrobiznesit e artizanatit, forum fotografik, atelierë të trashëgimisë kulturore etj. Paraditen e sotme, dyert e muzeut kanë qenë të hapura dhe vizitorët kanë qenë të shumtë.

Për të tretin vit radhazi, të rinjtë dinamikë të “Njerëz dhe ide”, me përkujdesin më të madh kanë hartuar një axhendë treditore, ku takohen muzika, artet pamore, artizanati, trashëgimia, libri e teknologjia. Universiteti Metropolitan është gjithashtu pjesë e këtyre aktiviteteve, ku studentët do të paraqesin, nëpërmjet këtij eventi, projekte të tyre teknologjike.

Të dhënat që vijnë nga qyteti i Beratit, së pari na indikojnë një rritje domethënëse në shifra, që nga edicioni i parë e deri sot. Në këtë mënyrë, një nga qëllimet kryesore të festivalit, që është risjellja në vëmendje e trashëgimisë kulturore e një qyteti si Berati, është përmbushur më së miri.

Në pak më shumë se dy vite ka një rritje të numrit të vizitorëve nga 7874 vizitorë në vitin 2013, në 15 mijë  vizitorë në vitin 2014, 91% më shumë vizitorë dhe 80% më shumë të ardhura. Ndërsa për vitin 2015 një fluks prej 24 mijë, 50 % më shumë vizitorë dhe 55% më shumë të ardhura se një vit më parë. Të dhënat optimiste që na vijnë nga Qendra Muzeale e Beratit janë ogur i mirë jo vetëm për vazhdimësinë e eventit, por edhe për shumë tema të tjera. Ashtu siç edhe zonja Mirela Kumbaro theksoi dje gjatë konferencës për shtyp, mbrojtja dhe përcjellja e trashëgimisë kulturore është një çështje që na përket të gjithëve, jo vetëm strukturave shtetërore.

Vetë festivali është një ftesë e hapur dhe thirrje për të rinjtë shqiptarë.

Shfletoni galerinë për të parë axhendën e aktiviteteve dhe të ftuarit e eventit në Festivalin Multikulturor të Beratit.

Shperndaje