Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Erdhi “Vrasësi i Verbër”: Saga e një familjeje të pasur por jo vetëm!

Erdhi “Vrasësi i Verbër”: Saga e një familjeje të pasur por jo vetëm!
October 16
22:50 2017

Vrasësi i Verbër, nga Margaret Atwood, përkthyer nga Agim Doksanim është libri më i ri që nga sot ka dalë në tregun shqiptar. Në prag të panairit, është e qartë që ky është një nga titujt më të mirë që Botime Pegi do të këtë sivjet. Ky roman është fituesi i çmimit Man Booker Prize në vitin 2000 dhe disa të tjerëve. Në të rrëfehet saga e një familjeje të pasur kanadeze, e kryesisht peripecitë e dy motrave. Do të gjeni luftën për para e pushtet, dashurinë, xhelozinë dhe dinakërinë, si dhe një prej personazheve më të nderlikuara të historisë së letërsisë: një heroinë që ngre pyetje fondamentale mbi përgjegjësitë, fajet dhe keqardhjen që mund të na shoqërojë një jetë të tërë.

Fitues i Man Booker Prize në vitin 2000, “Vrasësi i verbër” është historia e jashtëzakonshme e motrave Çejs dhe sekreteve të tyre. Romani fillon me vdekjen e mistershme, ndoshta vetëvrasjen, e një gruaje të re, Laura Çejs, në vitin 1945. Pas më se pesëdhjetë vjetësh, Irisi, motra që mbijetoi, kujton vdekjen misterioze të saj, fëmijërinë dhe dramat e njëpasnjëshme që kanë populluar historinë e familjes së tyre të pasur e të veçantë. Të gërshetuara me këto kujtime, të cilat Irisi vendos t’i shkruajë, gjenden kapitujt e romanit të Laurës, “Vrasësi i verbër”, i cili u botua pas vdekjes së saj dhe, njëherësh skandalizoi botën, por e bëri edhe atë të famshme. Në këtë roman, dy dashnorë të fshehtë zbavitin njëri-tjetrin me historinë e një vrasësi të verbër në një planet të largët. Këto rrëfime brenda rrëfimit, me shtresa të shumta, hap pas hapi, hedhin dritë mbi sekretet që i janë fanitur shpesh familjes Çejs. Në mbyllje të romanit, ato do të bëhen bashkë në një fund befasues e të shkëlqyer. I vendosur në sfondin panoramik të historisë së shekullit XX, ky roman është një rrëfim epik i kujtimeve, intrigës dhe tradhtisë. Përveç Man Booker Prize, ky roman ka fituar edhe çmimin Hammet, si dhe ka qenë ndër veprat e nominuara për çmimet Governor General’s Award, Orange Prize for Fiction dhe International Dublin Aëard. Revista Time e ka shpallur romanin më të mirë të vitit 2000 dhe e ka përfshirë në listën e 100 romaneve më të mira të shkruara në Anglisht, që prej vitit 1923. /Blitz.al/

Shperndaje