Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Edicioni i gjashtë i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë në Pogradec

August 01
17:15 2016

...

Nga data 31 korrik deri më 5 gusht 2016, në kinemanë e qytetit të Pogradecit, te qendra kulturore “Mitrush Kuteli”, do të zhvillohet edicioni i gjashtë i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë (B3F), i organizuar nga Shoqata Art-Im-Pulse, mbështetur nga Ministria e Kulturës, Bashkia Pogradec, Raiffeisen Bank dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Ky event ka lindur fillimisht si një iniciativë për të njohur krijimtarinë ballkanike në fushën e kinematografisë, si një shkollë më vete në traditën e filmit botëror dhe atij europian, për të stimuluar kontaktet mes kineastëve të Ballkanit, të cilët në kohët e sotme ndajnë afërsisht të njëjtën problematikë sociale dhe kulturore, si dhe për të bërë bashkë njerëz nga vende të ndryshme ballkanike. Si një risi, ky event do të zhvillohet në fillim të muajit gusht, në kulmin e sezonit turistik në Pogradec,  ku pritet një pjesëmarrje  jo vetëm nga banorët e qytetit, por edhe pushues shqiptarë e të huaj.

Në edicionin e këtij viti janë në konkurrim rreth 100 filma nga të gjitha vendet e Ballkanit. Jashtë konkurrimit janë edhe 50 të tjerë. Pjesëmarrës në festival janë disa nga figurat më të spikatura të kinematografisë shqiptare si: Reshat Arbana, Mirush Kabashi, Robert Ndrenika, Pirro Milkani, Ndriçim Xhepa, Guljejm Radoja, Tinka Kurti, Dhimitër dhe Roza Anagnosti, Niko Kanxheri, Esat Musliu, Saimir Kumbaro, Xhevdet Ferri etj.

Presidente nderi e festivalit është Margarita Xhepa. Juria e festivalit është e përbërë nga pesë anëtarë, të gjithë autoritete në fushën e kinematografisë dhe të gjithë joballkanikë. Këtyre u takon verdikti i fundit i ndarjes së çmimeve.

Festivali do të shoqërohet edhe me disa aktivitete të tjera:

  • Çdo natë në kinemanë verore pranë Galerisë së Arteve do të shfaqen filma me protagonist aktorin e njohur shqiptar Bekim Fehmiu, në nderim të 80-vjetorit të lindjes.
  • Në bashkëpunim me UNESCO-n, një grup kineastësh të rinj do të punojnë në një projekt të veçantë, i cili ka për qëllim që, nëpërmjet video-dokumentarëve të evidentojë vlerat ende pak të njohura turistike të zonës. Punimet e tyre do të shfaqen në natën e fundit duke u ndarë çmime për punimet më të mira.
  • Një koloni piktorësh, studentë të Akademisë së Arteve në Tiranë, nën drejtimin e prof. Vladimir Myrtezaj-Groshi do të punojë përgjatë një jave duke realizuar peizazhe nga Pogradeci. Këto punë do të ekspozohen në galerinë e qytetit natën e fundit.
  • Në odeonin e qytetit, në një ekran të madh do të shfaqen çdo natë filma shqiptarë të tipit komedi.
  • Një ekspozitë pikture nga autorët Anastas Kostandini dhe Arben Theodhosi do të jetë e hapur në galerinë e qytetit përgjatë gjithë ditëve të festivalit. /Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje