Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

E veçanta e dhjetorit…

E veçanta e dhjetorit…
December 12
19:45 2018

Nëse dëshironi të shfletoni një libër këto ditë dhe që të përkojë edhe me situatën aktuale në vend, sugjerimi i kësaj here është “E veçanta e dhjetorit” .

Kjo histori, sa e ëmbël, aq dhe e hidhur, na kujton se në jetë jemi të rrethuar nga shpirtra të thjeshtë, të cilët shpesh janë më të thellë e më të mençur se ç’mund të mendojmë.

Romani “E veçanta e dhjetorit” rrëfen një vit nga jeta e Xhonsi Kanlajfit, një djalosh i vetmuar, pa përvojë, pa miqësi apo ambicie, që jeton në po atë zonë rurale të Irlandës ku ndodhin ngjarjet e romanit “Zemra vërtitëse”, shkruar nga i njëjti autor. Ngjarjet e paraqitura në romanin “E veçanta e dhjetorit” janë më të hershme: ato zhvillohen para krizës financiare të vitit 2008, që përfshiu jo vetëm Irlandën, por gjithë Europën. Romani është i ndarë në 12 kapituj, ku në secilin prej tyre përshkruhet një muaj nga një vit jetë e Xhonsit, personazhi kryesor. Teksa ekonomia e vendit është në vlim dhe makutëria kthehet në normalitet, Xhonsi përpiqet dëshpërimisht të ruajë atë çka është familjare, e njohur dhe e ngrohtë, megjithëse ndërkohë ka humbur të gjithë ata që e kanë mbrojtur nga egërsia e jetës.

Pas vdekjes së prindërve, Xhonsi trashëgon fermën e familjes dhe një llogari bankare të majme, megjithëse është i paaftë për t’u kujdesur për to. “Gangot” e fshatit dhe mashtrues të ndryshëm e përndjekin, e megjithëse copëza dashurie hyjnë në jetën e tij në vendin dhe kohën më të çuditshme, Xhonsi mbetet njeri i vetmuar, i cili ka vështirësi t’i rrijë pas botës që lëviz me ritme marramendëse. Në rrëfim gjurmohen me zgjuarsi shkaqet fillestare të rritjes së pakontrolluar të çmimeve të pronave të patundshme, të vuajtjes së shumë të pafajshmëve, si dhe shfaqet shkatërrimi i komuniteteve, që dikur jetonin në harmoni. I shpie lexuesit në mendjen e një njeriu që ka vështirësi të çajë në një botë, të cilën nuk arrin kurrë ta kuptojë plotësisht. Autori me kujdes tregon mënyrën se si vuajnë të pafajshmit dhe si një komunitet që dikur kishte jetuar në harmoni mund të shpërbëhet nga lakmia. Një rrëfim shumë i përshtatshëm, rastësisht, për atmosferën ë po përjetohet në Tirane e në Shqipëri në këto ditë./Blitz.al/

Share