Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Dokufest, edicioni i 15-të ka si temë korrupsionin, prezanton 240 filma, 5 prej tyre shqiptarë

Dokufest, edicioni i 15-të ka si temë  korrupsionin, prezanton 240 filma, 5 prej tyre shqiptarë
August 03
18:47 2016

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar, DokuFest, këtë vit vjen në edicionin e tij të 15-të  dhe do të mbahet nga data 5 deri në 13  gusht në qytetin e Prizrenit në Kosovë.

Edicioni i kësaj radhe vjen me temën “Corruption”, shkruar me trëndafila rozë në afishen zyrtare të festivalit. “Ky është edhe një qëllim i festivalit, të provokojë biseda mbi një fenomen ekzistues me të cilin nuk duam të pajtohemi”, – është shprehur drejtori artistik Veton Nurkollari. “Është mirë të flitet për të nëpërmjet filmit, me një program të posaçëm filmash tematikë, por edhe të krijohet debat. Ne synojmë të prekim audiencën fizike të festivalit me rreth 60.000 mysafirë, por edhe më gjerë nëpërmjet mbulimit mediatik”.

Të zgjedhur nga një numër rekord aplikimesh, festivali do të prezantojë 240 filma nga 57 vende në 6 programe garuese. Korrupsioni është tema qendrore e festivalit të këtij viti, konteksti social lokal dhe global, si dhe pasojat e tij, të cilat do të theksohen dhe eksplorohen përmes një numri  eventesh, përfshirë panele, diskutime me ekspertë të ftuar ndërkombëtarë dhe lokalë. Filmat janë përzgjedhur që të përshtaten me temën, çështjen e korrupsionit, si dhe dy fenomenet që shkojnë bashkë me të, fuqinë dhe gënjeshtrat.

Ky do të jetë një festival me një program të ngjeshur si asnjëherë tjetër. Plot 240 filma do t’i prezantohen publikut në 9 ditë, të përzgjedhur nga 5000 aplikime me një punë 6 mujore. Këtë vit ka përpjekje të veçanta nga organizatorët për të pasur premiera botërore, duke rrëzuar trendin që filmat shqiptarë shfaqen së pari në festivale të huaja, më pas në atdhe. Janë 12 filma të tillë,  8 prej të cilëve vijnë nga Kosova. Një hapësirë e veçantë është rezervuar edhe për filmin me metrazh të shkurtër.

Ky edicion shënon disa risi: një skenë e re në Kalanë e Prizrenit e quajtur “Sunset Stage”; një minifestival paralel i muzikës, ku pritet të performojnë yje të skenës ndërkombëtare. DokuFest ka  njoftuar se edicionin jubilar të festivalit do ta hapë me një performancë të jashtëzakonshme këngëtari  Omar Souleyman.

#Dokufest do të mbahet në Prizren në datat 5-13 gusht 2016. Më 4 gusht do të organizohet një  ekspozitë nga fotografi i mirënjohur irlandez Seamus Murphy, puna e të cilit do të paraqitet edhe më tej gjatë festivalit, sidomos bashkëpunimi i tij me PJ Harvey./Blitz.al/

Komento
Shperndaje