Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Çfarë do të ketë ndryshe Festivali i Këngës këtë vit? Zbulohen detajet e para

Çfarë do të ketë ndryshe Festivali i Këngës këtë vit? Zbulohen detajet e para
October 10
19:47 2016

Ditën e sotme, stafi i Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) ka mbajtur një konferencë për shtyp, në të cilën ka prezantuar strukturën dhe kriteret për Festivalin e 55-të të Këngës.

Në këtë konferencë, drejtori i Përgjithshëm Thoma Gëllçi, dhe drejtori i festivalit, Rezart Aga, kanë dhënë disa detaje për organizimin e këtij viti.

Këngët pjesëmarrëse do të përzgjidhen më 24 tetor. Festivali i Këngës do të zgjasë 3 net dhe kënga fituese do të shkojë në Eurovizon, i cili do të mbahet në Kiev, Ukrainë, në maj të 2017-s.

Këtë vit shënohet 55-vjetori i këtij festivali, për këtë arsye drejtuesit kanë vendosur që të bëjnë disa ndryshme për të sjellë një spektakël sa më të mirë për publikun.

Konferencën për shtyp e ka filluar drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së,  Thoma Gëllçi, i cili ka thënë:

“Kemi një përgjegjësi të madhe përpara publikut, por edhe dëshirë për të ngritur festivalin në një stad më të lartë. Festivali i Këngës është një traditë e RTSH-së dhe eventi kryesor në të gjithë vendin.

Ky festival ka baza solide dhe ne duam që ta çojmë në një nivel sa më të lartë. Ndër vite, kënga më cilësore ka shkuar në Eurovizion, por nuk është vetëm ky qëllimi ynë, ne kemi qëllim të kënaqim publikun dhe këngët pjesëmarrëse të dëgjohen kudo. Do të bëjmë një event transparent  për të rifituar publikun dhe t’i  vërtetojmë atij se çmimet nuk janë me mik apo të paravendosura. Për realizimin e këtij eventi kemi zgjedhur një staf me eksperiencë”.

Më pas fjalën e ka marrë drejtori i festivalit, Rezart Aga. Ai ka shpjeguar strukturën e festivalit dhe ka prezantuar producentët që do të përzgjedhin këngët pjesëmarrëse në datën 24 tetor.

“Për ne është e rëndësishme që të krijohet një frymë me hapje absolute në marrëdhënien tonë si institucion. Festivali do të ketë dy struktura të reja. Struktura e parë: Do të ketë 5 producentë, të cilët janë emra të njohur që në datën 24 tetor do të përzgjedhin 24 këngë. Producentët do të shohin edhe pjesën artistike e konceptimin e festivalit. Të përzgjedhurit janë: Alfred Kaçinari, Genti Rrushi, Bojken Lako dhe Florent Boshnjaku.

Struktura e dytë: Përveç producentëve do të përzgjidhen edhe 3 juri që do të zgjedhin këngët finaliste. Juritë do të jenë:  juria e profesionistëve, e cila do të zgjedhë 8 këngë; juria e publikut do të zgjedhë 3 këngë dhe juria e gazetarëve e mediave sociale do të përzgjedhë 3 këngë. Në total 14 këngë do të shkojnë në finale.
Festivali i 55-të do të zhvillohet përgjatë 3 netëve. Kënga fituese që do të shkojë në Eurovizion do të përzgjidhet 60% nga votat e jurisë dhe 40% nga votat e publikut. Gjithashtu do të jepet çmimi i dytë dhe i tretë. Fituesit e këtyre çmimeve do të shkojnë me grupin  e RTSH-së për të parë eventin e Eurovizionit”,- ka thënë Rezart Aga.

Gjatë konferencës, producentët Bojken Lako dhe Florent Boshnjaku kanë folur në emër të grupit të producentëve dhe kanë falënderuar RTSH-në që u ka besuar atyre këtë event. Ata janë shprehur se ky festival është përgjegjësi e madhe, nder e kënaqësi dhe kanë ftuar të gjithë artistët të marrin pjesë.

Për të dhënë më shumë detaje, si edhe emrat e të përzgjedhurve në jurinë e Festivalit të Këngës, drejtuesit do të mbajnë një tjetër konferencë./Blitz.al/

a1 a2  a4 a5  a7 a8

Komento
Shperndaje