Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Bazuar në një histori të vërtetë: “Gurët e vetmisë”, një rrëfim për historinë e popullit çam

October 24
12:36 2018

Në një vend diku mes kufijsh, një grusht njerëzish përpiqen të ndërtojnë jetën dhe të ardhmen e tyre, në vendin ku kanë pasur rrënjët e të parëve, nën hijen e së shkuarës, duke u ruajtur nga pabesia e armikut… Kjo është historia që përcillet në botimin më të ri të shtëpisë botuese Pegi,  “Gurët e vetmisë” i autorit që shkruan me pseudonimin Tom Kuka. Gjuha dhe stili janë origjinalë, rrëfimi është i sinqertë dhe i bazuar në një histori të vërtetë shqiptare.

Informacion i përgjithshëm rreth librit

E shkuara, e sotmja dhe e ardhmja gërshetohen dhe rrjedhin lirshëm nga njëra te tjetra si të ishin enë komunikuese, retrospektiva dhe kujtimet herë pas here bëhen njësh, dhe vetë personazhet gjenden në një kohë të pakohë.

Boshti i romanit përsillet rreth masakrës së Paramithisë, ku 72 burra, bujarë të dyerve më të mëdha çame u thirrën nga mitropoliti grek kinse për të vendosur paqen mes palëve, por u prenë në besë dhe u vranë të gjithë në përroin e Selanit.

Shpirtrat e tyre, të ngecur mes dy botësh, nuk gjejnë paqe dhe përsillen mbi një barkë në lumë, si Karonti që shpinte të vdekurit në Had. Avduli fantazmë kërkon të paralajmërojë jo vetëm të birin, në të ardhmen, por edhe Feritin, në të shkuarën për mynxyrën e madhe që po gatitet. Oguret e zeza që përshkojnë kohërat duan t’i nxitin njerëzit të lënë laçkë e plaçkë e të ikin, të shpëtojnë kokën. Armiku kërkon jo vetëm kamjen e tyre, por të ndërrojnë gjuhë e emër, të asimilohen krejtësisht, derisa t’u shuhet fara.

Autori ka ditur të tregojë me mjeshtëri jetën e përditshme të fshatit, të ndarë vetëm teorikisht mes kaurësh dhe muhamedanësh, shoqëruar gjithnjë me nota humori, të shkaktuara hera-herës nga frika e së resë dhe padituria; ka sjellë dhembjen e dashurisë që lëshon shigjeta reale sa ta bën trupin gjak, erosin që ta humbet mendjen deri në delire.

Kjo është një përrallë nga e kaluara, me djem gjaknxehtë e vajza lozonjare, me valle ndjellëse e shtjella kumtesh, që nxijnë lulet e lotojnë gjak. Këtu nuk ka prijës të shquar e fjalëmëdhenj, por ka vetëm njerëz shpirtmirë: qeflinj, sedërlinj e besëplotë, që ngulmojnë për paqe. Historia e tyre plekset me mite e legjenda, të cilat jo vetëm janë pjesë e një përditshmërie të shtruar e të thjeshtë, por janë pjesë e thelbit të këtij populli të vogël e të harruar. Këta njerëz me rrënjë të thella, të ndërthurura në gëzime e hidhërime të moçme, jetojnë të zhytur në një fatalizëm që është njëherazi shpëtimtari dhe përndjekësi i tyre më i ashpër. Romani nuk ka stërhollime, gjykime e as leksione, por vetëm kujtime dhe mall.

Kjo është një rrëfenjë epike për atë që ka ndodhur vërtet një shekull më parë në tokat shqiptare. E, megjithatë, kjo mund të ishte historia e shumë të tjerëve, e çdo kombi të nëpërkëmbur, të tradhëtuar e të braktisur. Ngjarjet që rrëfehen këtu kanë ndodhur dje, por mund të ndodhin edhe sot.

Ky është romani i dytë i autorit që shkruan me pseudonimin Tom Kuka. Romani i tij i parë, “Hide mbi kalldrëm”, u botua në nëntor 2017, po nga Botime Pegi. Ky  është romani që nuk duhet ta humbisni në këtë panair. /Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje