Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Artistët shqiptarë performojnë në shenjtërimin e Nënë Terezës në Vatikan

Artistët shqiptarë performojnë në shenjtërimin e Nënë Terezës në Vatikan
August 02
20:36 2016

Shumë artistë shqiptarë me famë botërore do të marrin pjesë në koncertin e “Himnit të Nënë Terezës” në Vatikan.
Në këtë koncert, himni i Nënës Terezës do të interpretohet nga sopranoja Inva Mula. Koncerti do të mbahet më 3 shtator dhe do të nisë me fjalët e Nënës Terezës. Ai i paraprin ceremonisë së 4 shtatorit, kur edhe do të bëhet shenjtërimi i Nënës Terezës.
Gjatë një konference për shtyp nga Ipeshkvia e Kosovës, producentja e koncertit, Diana Toska, ka bërë publik programin dhe emrat pjesëmarrës nga fusha e muzikës që do të performojnë, ku ka përmendur artistë shqiptarë të njohur në të gjithë botën, si Rita Ora, Inva Mula, Ermonela Jaho, Shkëlzen Doli, Saimir Pirgu, Ramë Lahaj e Gëzim Mushketa. Pjesë e këtij eventi do të jenë dhe figura të sportit, si Lorik Cana, i cili do të recitojë poezinë e Nënë Terezës dhe xhudistja Majlinda Kelmendi.
Drejtori i Radio Vatikanit, David Gjugja, ka thënë se koncerti do të transmetohet edhe në mediat shqiptare. Të gjithë solistët do të interpretojnë bashkë me Filarmoninë e Kosovës.
Në këtë konferencë, nga të pranishmit u tha se viti 2016 pa mëdyshje do të shënohet në historinë e kishës katolike të shqiptarëve, sepse bija e kësaj kishe dhe këtij populli do të shpallet e shenjtë nga Papa Françesku më 4 shtator 2016 në Vatikan. Vendi ku do të mbahet koncerti është një ndër bazilikat më madhështore papnore në Romë, që quhet Bazilika Papnore e Shën Palit.

Komento
Shperndaje