Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Alzhaimeri nuk është turp!

April 29
13:13 2016

...

...
Picture 1 of 1

Anna Nina, që ndryshe është e njohur për publikun shqiptar si “vajza e velave” apo e vetmja femër marinare në Shqipëri, ka ndërmarrë këtë herë iniciativën për të realizuar një projekt larg detit, por pranë zemrës së saj. Edhe pse që prej një moshe të vogël, Nina ka jetuar në Itali, lidhjet me Shqipërinë nuk i ka ndërprerë. Para disa kohësh, ajo erdhi në qytetin e Durrësit dhe organizoi një garë me vela, duke dashur që në një mënyrë apo një tjetër ta përhapë këtë sport edhe në vendin e saj.

Projekti i ri bën fjalë për një ekspozitë me piktura që titullohet “Harresa” dhe do të zhvillohet në Galerinë e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” në qytetin e Durrësit. Kjo galeri do të hapet në datën 1 maj, por është konceptuar në mënyrë të atillë që aktivitetet të vazhdojnë deri në datë 28 maj. Ka një veçanti në tematikën e ekspozitës, e cila nuk do të jetë thjesht paraqitje e disa copëzash arti, pasi misioni i saj është sensibilizojë të gjithë publikun mbi një kauzë: sëmundjen e Alzhaimerit.

Por çfarë e lidh organizatoren Nina me këtë projekt dhe pse e ndjen veten tërësisht të përfshirë në të? Për Blitz.al, ajo ka rrëfyer se nëna e saj është e sëmurë me Alzhaimer, ndaj dhe do patjetër të krijojë diçka për të vendosur në vëmendje këtë problem shëndetësor edhe për të tjerët, por sigurisht arsyeja kryesore është për t’i qëndruar më pranë nënës së saj dhe gjithë të moshuarve të cilët vuajnë të njëjtën gjë si ajo.

Në këtë ekspozitë do të ketë të ftuar artistë nga vende të ndryshme, mjekë dhe njohës të sëmundjes së Alzhaimerit dhe disa të prekur nga kjo sëmundje. Për çdo të shtunë të muajit maj do të organizohen mbrëmje vallëzimi për këta të moshuar, për t’i argëtuar ata e për t’i përfshirë më tepër në jetën sociale.

Është e vërtetë që arti apo argëtimi nuk e shëron Alzhaimerin, por sigurisht e bën atë më të lehtë. Pikërisht kjo qëndron edhe në thelb të asaj që do të transmetohet nëpërmjet mesazheve të ekspozitës “Harresa”: pa kujtime s’ke të ardhme.

Komento
Etiketimet
Shperndaje