Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Eksperienca që më tregoi se “Nënat” për atë që duan japin edhe shpirtin

Eksperienca që më tregoi se “Nënat” për atë që duan japin edhe shpirtin
October 01
14:45 2017

Kisha dëgjuar shumë kohët e fundit për një film që pritej të shfaqej shumë shpejt në kinema. Jo vetëm në Shqipëri po kudo në botë, njerëzit prisnin ditën kur do të jepej premiera e filmit “Mother!”një produksion i cili e kishte të garantuar suksesin që në ngjizje duke qenë se ai mbante vulën e Darren Aronofsky, një emër i suksesshëm i kinematografisë botërore. Analizat dhe kritikat e shkruara në mediat e huaja i kishin rezervuar shkrime të gjata në të cilat shkruhej se drama e këtij filmi ishte një histori të cilën jo të gjithë arrinin ta kuptonin, përcillte një mesazh përtej asaj që ti shihje.

Sapo mora vesh që në Shqipëri shfaqej tek Cineplexx, pa hezitim vendosa të shkoja mbrëmjen e premierës për të zbuluar se çfarë kishte kaq ndryshe ky film për të cilin po flitej kudo.” Mother!” ishte një dashuri me momentin e parë dhe besoj se kështu ka qenë për të gjithë ta që e kanë parë dhe janë dhe janë adhurues të filmave thriller-psikologjik. Jennifer Lawrence këtë herë ishte më shumë se e mrekullueshme në rolin e nënës, “Asaj” dhe Javier Bardem në rolin e “Atij”, poetit lakmitar e egoist për famë dhe lavdi i cili gjen tek “Ajo”muzën e frymëzimit.

Mes këtij cifti me diferencë shumë të madh në moshë ekziston dashurie e fortë e gruas dhe ajo e nevojës e bashkëshortit. Jeta e tyre vihet në pikëpyetje kur një çift i paftuar u vjen për vizitë. Nëna është ajo që i ka dhënë gjithçka shtëpisë, e ka ndërtuar vetë të gjithën, madje ia ndjen shpirtin asaj shtëpie ndërsa shqetësimi i saj i vetëm është që bashkëshorti të ketë frymëzim për të krijuar. Vizitorët e paftuar nxjerrin në pah personalitetin e vërtetë të poetit dhe “Ajo” kupton se në fakt në gjithë këto kohë ai nuk ka kërkuar frymëzimin por diçka që njerëzit ta adhuronin.

Kur “Ajo” ngelet shtatzënë jeta merr një tjetër kuptim për çiftin edhe pse i ndryshëm për të dy. Për “Atë” është një rilindje e jetës ndërsa për poetin një frymëzim që do i japë famë e lavdi të shumëkërkuar duke vënë këto të fundit mbi gjithçka. Teksa ndodhesh në sallën e Cineplexx dhe përjeton çdo moment të kësaj historie kupton se mesazhi është shumë më i thellë, akoma më i rëndësishëm, një domethënie biblike.

Edhe pse në parim duket një histori njerëzore gjithçka lidhet me diçka madhore, nëna në të vërtetë është Toka, është bota ndërsa poeti është një formë e Perëndisë, e krijuesit sepse në të vërtetë ashtu siç kuptohet në fund ai krijoi Nënën (“Atë”) e cila i dha formë dhe jetë shtëpisë, ngjyra jetës, dhe lavdi vetë atij.

Jo vetëm Tokë, krijues, por në këtë film mund të gjesh edhe Adamin,  Evën dhe Abelin e Kainin, dy bijtë e tyre që vrasin njëri-tjetrin në fund. Vizitorët janë njerëzit të gjithë që në një farë mënyre adhurojnë Zotin edhe pse padashur bashkë me krijuesin e lëndojnë Nënën Tokë. Edhe kur Nëna sjell në jetë fëmijën e saj Krijuesi ia merr ua nxjerr tokësorëve që ta adhurojnë si veprën e tij. Në mënyrë figurative dhe me element të zhanrit horror përcillet ideja e njerëzve që ushqehen me këtë fëmijë të krijuesit duke shkaktuar kështu zemërimin e ashpër të “Nënës” e cila vendos të shkatërrojë gjithçka sepse tashmë “Ai” ia mori të gjitha, vetëm për lavdi.

Ky ishte me të vërtetë një film i vështirë për t’u parë dhe kuptuar por që të lë mbresa të mëdha menjëherë sapo largohesh nga salla e Cineplex Albania. Sado e përqëndruar të jesh, në film ka një moment në gjithë zallamahinë e krijuar nga njerëzit, kur ti kupton se njëri prej tyre flet shqip. Është momenti kur shtëpia është pushtuar nga njerëzit që duan të takojnë të lavdishmin krijuesin. Një cast dëgjohet një zë që një shqiptar medoemos e njeh, aktori i njohur Gent Bejko. Prezenca e tij pa shumë reklamë në një film i cili bënë bashkë emrat më të suksesshëm të kinematografisë tregon se aktori shqiptar ka arritur të jetë pjesë e një produksioni të fuqishëm por dhe në një mënyrë roli i tij tregon se edhe ne shqiptarët, si të gjithë njerëzit e tjerë (shtetet e tjera) lavdërojmë duke i bërë keq Nënës Tokë./Blitz.al/

Komento
Shperndaje