Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Zeusi i vogël i Nivicës – nga Marin Mema

Zeusi i vogël i Nivicës – nga Marin Mema
June 13
17:50 2018
Nga: Marin Mema
Në vitin 1978 në Nivicë të Kurveleshit nga nëntoka doli një figurë e vogël bronxi, siç e cilëson në vitin 1984 arkeologu i ndjerë Skënder Anamali. Statueta rreth 8 cm e gjatë përfaqëson një mashkull lakuriq, me një mjekër të gjatë dhe pozicion kërcënues. Vrima në dorën e djathtë të bën të kuptosh se në të ka qenë i vendosur një tjetër objekt, i cili me shumë gjasa lidhet me figurën e Zeusit rrufehedhës.
Një figurë e tillë e përafërt sipas profesorit Anamali është gjetur edhe në Apolloni, ndërsa analogjitë mund të bwhen me figurën e Zeusit të Dodonës. Të dhënat tregojnë se kjo figurë është gdhendur diku në punishtet e Amantias, qytetit të lashtë i cili ngrihet sot në afërsi të fshatit Ploçë të Vlorës. Sa i takon datimit ai mendohet se lidhet me shekujt III – I para erës sonë e me shumë gjasa tregon lulëzimin në atë periudhë të qytezës ilire në Nivicë të Kurveleshit.

Për fat të keq të gjitha këto zona të Kurveleshit edhe pse kanë dhënë dëshmi të shumta arkeologjike, pak janë hulumtuar. Për shumë kohë u mendua se qyteti i famshëm i Amantias ngrihej pikërisht këtu, siç pretendonin edhe konsulli francez Pukvil, apo ushtaraku, studiuesi e albanologu britanik Ulliam Martin Lik. Rrënojat imponuese nuk mund të mos tërhiqnin vëmendjen e tyre edhe pse në fakt dekada më pas u saktësua se Amantia ndodhej më tej në fshatin Ploçe, ndërsa qyteti në Nivicë ishte pjesë integrale e hapësirës së saj.

Në çdo rast fakt mbetet se kjo hapësirë fsheh enigma të jashtëzakonshme, që ndoshta një ditë do të dalin në dritë, për të dhënë më shumë detaje mbi këtë qytet të lashtë e jo pak tërheqës. Në fakt e gjithë Shqipëria është e tillë, por derisa dikush të kujtohet e t’i japë mbështetje arkeologjisë, mundësia e vetme mbështetet tek zbulimet e rastësishme, me shpresën që ato nuk do të përfundojnë të trafikuara kushedi se ku. /Blitz.al/
Komento
Shperndaje