Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Zemër, a të ta bëj një pyetje personale? Mos ke ngelur gjë me barrë?

Zemër, a të ta bëj një pyetje personale? Mos ke ngelur gjë me barrë?
January 11
18:20 2018
 Ka shumë vajza të cilat kanë fatin e mirë por edhe të keq që të konsumojnë çdo ushqim të mundshëm, me kalori të shumta dhe sërish të mbeten në top formë dhe pesha e tyre të mos ndryshojë as në gramin më të vogël. Një prej tyre jam edhe unë, konsumoj gjithçka më del përpara, të skuqurat janë pjata ime e preferuar, sufllaqet, picat, i urrej dietat dhe ushqehem “për qejf të shpirtit tim”.
Ëmbëlsirat nuk kanë qenë asnjëherë një tundim për mua, kur më haheshin i konsumoja. Pavarësisht këtyre mbetem një konsumatore besnike e perimeve e frutave ndonjëherë dhe me porcione të mëdha ushqimi. Pesha ime e deri pak muajve më parë shënonte 47 kilogram, rezultati disa kilogram nën peshë në varësi të të dhënave të mia mbi gjatësinë dhe moshën.
Familja ime gjithnjë më ka konsideruar si fëmijën më problematik kur vjen puna tek ushqimi, shpeshherë kanë qenë dhe ata iniciatorë që unë të konsumoja sa më shumë duke qenë se sa vija dhe dobësohesha, çuditërisht. Shumë thoshin se gjithçka ishte gjenetike, duke qenë se dhe prindërit e mi kishin qenë pothuajse në masë të përafërt në moshën time.
Mirëpo dy muajt e fundit ndodhi çudia! Trupi im pësoi transformimin që asnjëherë nuk e kisha imagjinuar. Brenda 60 ditëve shtova plot 8 kilogram. Duhet ta pranoj që fillova të konsumoja pa thënë “jo” ëmbëlsirave më shumë se në gjithë jetën time. Rezultati; një trup më i mbushur, më i këndshëm për t’u parë duhet thënë, më i kënaqshëm dhe për syrin tim. I vetmi problem është se konstrukti i trupit tim është i tillë që kilogramët shtohen në pjesën e barkut dhe kofshëve.
Në një kohë që realisht ndihesha mirë me peshën time 55 kilogramë, rastisa me një pyetje: Më fal zemër, të të bëj një pyetje? Mos je gjë shtatzënë? Fillimisht e mora me shumë humor, ishte qesharake dhe diçka e thënë me shaka por që përgjigja ishte e thjesht,” Jo thjesht jam shëndoshur, më në fund dhe stomaku im ma di për faleminderit!
Ditë më vonë një komshie më ushtron të njëjtën pyetje: “Mos ke ngelur gjë me barrë? Na e thuaj se nuk të hamë me sy! Ok, duhet ta pranoj, këtë herë u ndjeva paksa keq. A nuk mund t’i shijojë njeriu disa kilogramë pa u përballur me pyetje të tilla? Akoma më shqetësuese u bë kur të afërmit që identifikohen me “fisi” filluan seriozisht të më bënin “skanerin”.
E keni seriozisht? A nuk ka të drejtë njeriu të gëzojë më në fund se ka kaluar në një stad tjetër të zhvillimit të trupit e që duhet thënë se kisha kohë që doja ta arrija? Mirë kjo por guxojnë të të thonë që mos të hash në publik se do të keqinterpretojnë.
Duke qenë se nuk ke një lidhje publike dhe je pak më shumë se 20 vjeç, nëse shëndoshesh mund të ngelesh dhe pa burrë se “nuk ti hedh më sytë njeri”.
Ça halli keni o njerëz? Kur nuk haja më thonit ha, tani që u shëndosha më thoni “turp”. Na lini të qetë të hamë sa të duam. Nëse unë ndihem mirë me trupin tim, nëse kur shoh veten në pasqyrë më pëlqen më shumë “tuli” se kocka atëherë çfarë i ndodh botës nga kjo dëshirë e imja?
Nuk jam vetëm unë por ka dhe shumë vajza të reja të tjera që ndikohen shumë nga komentet të tilla mbi format e trupit. A mund të na lejoni të jemi ashtu si duam? Dhe mos bëni më aq pyetje personale!/Blitz.al/ 

 

Shperndaje