Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Video) Shpella e legjendave

(Video) Shpella e legjendave
August 09
20:52 2017

Nga Marin Mema

Zona e mbrojtur detare Karaburun-Sazan përfaqëson padyshim një ndër perlat e bregdetit shqiptar. Gjiret e fshehta, shpellat, thyerjet e shumta të terrenit ofrojnë pamje vërtet mahnitëse. Toponimia është po aq e pasur ashtu si monumentet e natyrës që sot, për fat të keq, nuk njihen aq sa duhet. Nëse nuk e ke prekur më parë këtë mrekulli që përbën të vetmin dhe të parin park detar në Shqipëri, ke humbur vërtet shumë…

Masa dërrmuese e turistëve vijnë këtu përmes detit me mjete të ndryshme që nisen më së shumti nga Rradhima, për t’u ndalur në këto gjire ku, për fat, dora shkatërrimtare e betonizuese nuk ka mundur të arrijë. Raporti me natyrën është i drejtpërdrejtë, si në gjirin e Shën Vasilit, një ndër perlat e këtij vendi.

Në afërsi të shpellës së Haxhi Aliut, deti është më i ashpër, aq sa duket sikur kërkon të mbulojë gojëdhënat e shumta për këtë pjesë të tij. E megjithatë, shumë prej tyre duket sikur frymojnë ende në këtë vend mitik. Në shekullin e 16-të, Haxhi Aliu njihej si një ndër kapedanët më të famshëm të detit Mesdhe. Ai u arsimua në shkollat më të mira të forcave detare osmane. Haxhi Aliu kish lindur në Ulqin, por sipas të dhënave prejardhjen e kishte nga arbëreshët e Kalabrisë. Thuhet se në përballjet e mëdha në det ai mposhti kapedanë të njohur venecianë, anglezë e francezë që kërkonin me çdo kusht dominimin e Adriatikut dhe Jonit. Pikërisht në këtë shpellë, sipas legjendës, ai strehohej sa herë vinte nga misionet e gjata deri në brigjet e Afrikës veriore, Spanjës e më tej. Lartësia mbi 40 metra në brendësi e bën krejtësisht të mundur hyrjen e një anijeje … Edhe ne sot ndodhemi në këtë vend, ku dikur qëndronin piratët e famshëm të Haxhi Aliut.

Haxhi Aliu vdiq në vitin 1625, pas një përballjeje të pabarabartë me trupa kundërshtare detare. Gojëdhënat thonë se varri i tij dhe të birit ndodhet në ishullin e Sazanit ose në thellësinë e detit. Interesant është fakti se i gjithë Karaburuni është shfrytëzuar që në kohët e lashta për të nxjerrë mermerin, ndaj edhe sot kudo në shtratin e tij dallohen lehtësisht guroret e dikurshme. Nga ky vend ka ardhur mermeri për të ngritur e zbukuruar qytetet e lashtë të Orikut, Apollonisë e Dyrrahut.  Kjo të bën të mendosh jo thjesht për aktivitetin e dendur e lëvizjet e mëdha që bëheshin në këtë zonë, por edhe për përdorimin e shpellës që shumë më herët nga flota ilire e njohur për sulmet e saj të shpejta e të befasishme./Blitz.al/

 

Shperndaje