Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Vetting edhe për Armand Dukën dhe FSHF-në

Vetting edhe për Armand Dukën dhe FSHF-në
October 31
14:14 2016

Kur luajnë mirë skuadrat e prish lojën arbitri; kur gjykon mirë arbitri nuk luajnë skuadrat; kur luajnë mirë skuadrat dhe gjykon mirë edhe arbitri, ndeshjen e prishin tifozët; kur janë mirë tifozët, luajnë mirë skuadrat dhe arbitrimi është në rregull, është fusha e keqe; kur edhe skuadrat luajnë mirë, edhe fusha është e mirë, edhe arbitri gjithashtu, trukohet ndeshja. Kur nuk trukohet ndeshja dhe të gjitha janë në rregull s’punon autoambulanca.

Ky është pak a shumë Kampionati Shqiptar i Futbollit, i shndërruar në sipërmarrje private të presidentit të FSHF-së, Armand Duka, dhe shpurës së tij. Ky është futbolli i marrë peng nga një individ prepotent, anadollak, pa vizion dhe me komplekse të rënda inferioriteti, që i shet në publik si superioritet ndërsa vartësve ua imponon si të tillë. Ky është futbolli i Shako-Dukës, i dyti manipulon ndeshje e kompeticione zyrtare të futbollit vendas, ndërsa i pari, një lëpirës i klasit të parë, ka për mision të manipulojë apo fshehë një realitet të degjeneruar të këtij futbolli, që varet në fasadën e ndonjë stadiumi të rikonstruktuar me lekët e qeverisë apo në imazhin e ekipit kombëtar që Duka&Co e përdorin për marketing e përfitime personale.

Vini re, kudo futbolli është festë, ndërsa në Shqipëri njerëzit ikin nga stadiumet të palumtur dhe të frustruar. Sepse dora, hija e Dukës dhe “dukallukëve” të tij është aty, kontrollon çdo gjë: lojtarë, arbitra, vëzhgues, gazetarë e komentatorë. Dhe mirë bëjnë sepse në këtë vend nuk ka media dhe prokurori që t’ia zbërthejnë kopsat Dukës dhe manarëve të tij, që Duka i tund e shkund sipas tekave të veta dhe ata vetëm qeshin, lumturohen dhe përulen e nënshtrohen si eunukët para sulltanit, sepse i ka tredhur ose janë vetëtredhur për një pagë a një vend pune dhe një i tredhur s’ka dinjitet, s’ka as sy, as veshë që të shohë e ndryshojë realitetin. Si do të mund të ketë një garë të ndershme kur presidenti i Federatës së Futbollit, ca presidentë klubesh i ka miq e ca armiq: me të parët bën edhe biznes, ndërsa të dytët i përdor për biznes. Situata bëhet paradoksale sepse këtë realitet e njohin tashmë jo vetëm tifozët, por edhe politikanë, prokurorë e gjykatës, që shkojnë çdo fundjavë në stadiume për të parë farsën e radhës. Dhe këtë farsë Shako-Duka ua shet shqiptarëve për kampionatin më të bukur të futbollit. Dhe i tillë është në fakt, kampionati më i bukur për shëmtinë, shterpësinë e falsitetin që ofron.  Cila është zgjidhja?

Një hetim i thellë i prokurorisë për të gjithë aktivitetin e FSHF-së e klubeve dhe hapja e këtij institucioni për transparencë. Krijimi i mundësive dhe kushteve për një garë të ndershme për organet drejtuese dhe titullarin e federatës në bazë vlerash personale, programore e menaxheriale. Nuk shkohet para me populizma e sofizma me “kuq e zi je ti”,  me tezën e kombëtares e nacionalizmit. Nuk të mban në këmbë fasada e ekipit kombëtar. Para shkohet duke ndërtuar një ligë futbolli reale e profesionale. Me klube ku të gjithë janë të barabartë në garë, pa privilegje; me arbitra të ndershëm, jo qokatarë të presidentit të FSHF-së; me impiante sportive që të justifikojnë standardet bazë që bota i ka prej më shumë se 50 vjetësh.

Lirojeni futbollin, o pengmarrës! Kthejuani atë profesionistëve dhe njerëzve që e duan me zemër! Vettingu duhet të ndodhë edhe në futboll, në këtë çerdhe korrupsioni, injorance dhe mediokriteti./Blitz.al/

 

Mesazh publik i një grupi tifozësh të Partizanit, Tiranës, Vllaznisë e Flamurtarit!

Komento
Shperndaje