Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Very Important P…”

“Very Important P…”
August 22
22:18 2017

Nga Kozeta Kurti

Hë? Menduat “person”? Apo ndonjë gjë tjetër? Unë në të vërtetë e kisha fjalën për “portofol”, sepse e tillë e të tillë më janë dukur njerëzit e vetja në këto pak ditë pushime që kam bërë me të afërm e miq; portofol që ecën mbi dy këmbë. Këtë vit, më shumë se çdo herë tjetër kam vëzhguar, pavarësisht se nuk jam ndeshur me surpriza shumë të mëdha, sepse i prisja ndodhitë. E kisha harruar deklasimin, por e kujtova gjatë kësaj vere. Në  Shqipëri jemi mësuar që disa zona të veçanta në ambiente shërbimi të quhen “VIP area”, ndërsa këtë vit në një nga mjediset e shërbimit më të mëdha e më të njohura të vendit e ndesha me të shkruar me shkronja elektronike plot ngjyra e drita: “Very Important Person”. Doja të shkoja, por nuk dija se kujt i dedikohej ky ambient. Cilët quheshin “persona shumë të rëndësishëm” dhe pastaj të llogarisja a i plotësoja unë kriteret apo jo. Kërkova me sy ndonjë shkrimtar të njohur a ndonjë këngëtar, a ndonjë aktor, apo edhe ndonjë politikan, por hiç, asgjëkundi s’më ndeshi shikimi ndonjë prej tyre…a ndonjë mjek që shpëton jetë a…hiç! A ndonjë kampion në sporte…hiç! Po kush pra ishin “shumë të rëndësishmit”? Apo të gjithë e dinë e veç unë jo?

Nuk vonoi shumë dhe në skenë doli këngëtari i ftuar: Ku janë çunat me makina të bukura? Ku janë gocat seksi? Kush pi uiski me koka? Ku janë paret?

U hutova aq shumë nga dritat, xixat, fishekzjarrët që vinin nga zona VIP, sa u ktheva për të parë më në fund VIP-at…arrita të ndieja në farfullimat e projektorëve, shikimet sfiduese të VIP-ave, të cilëve po vdisja nga kurioziteti t’u merrja një autograf, mjaft të merrja vesh se cilët ishin dhe pyeta kamerierin: Cilët janë ata VIP-at atje? – Janë ata që paguajnë pesëqind euro vetëm për t’u ulur aty, nja dy mijë të tjera për të pirë aty… – Po ato vajzat që kanë me vete, janë të përfshira te ky çmimi? – vazhdova unë me kuriozitetin prej maceje. – Jo, jo, – tha! Ato e kanë veç pazarin.

Më ra miti i “VIP-it” mua dhe po pyesja veten çfarë dreqin quheshin të gjitha ata njerëzit e posterave me të cilët isha rritur e më vonë fati i bardhë e deshi që t’i takoja? Më kujtohet se një nga gjërat më të bukura që kanë përjetuar disa nga bandat më të famshme në planet kur kanë ardhur në Tiranë ka qenë rakia dhe paçja e Pazarit të Ri. Nuk ka njeri në këtë vend që nuk ka kaluar të paktën një natë jashtë e të mos ketë të paktën dëgjuar për paçen e Pazarit…

Ika unë…fjeta e paqetë për biletën një mijë lekëshe që kisha paguar për dikë që nxiste çunat me makina të bukura dhe fliste me playback (as recitonte, por fliste), ndërkohë që më kishin thënë se do dëgjonim këngë. Sa më ka djegur ky një mijë lekëshi… shumë më ka djegur! Më ka përcëlluar fare!

Epo mendova, lëre se të ka ikur koha e jetës së natës moj Kozeta, po shko e ulu në ndonjë restorant. Dhe kështu bëra! Të nesërmen në një restorant, me dy ambiente edhe ai. Më ishte tekur për një picë që ç’t’ju them. Një shokut tim i qe tekur për ca sushi që ç’t’ju them, një shoqeje për ca arragosta që ç’t’ju them. Shkova unë aty ku deti ishte më pranë. Zumë vend, bukuri! Porositën të gjithë dhe kërkova një picë unë…

– A, jo zonjë, këtu nuk shërbejmë pica… vetëm lart! Këtu është vetëm për këto gjërat e sofistikuara. Nuk e di nëse do ma kishin shërbyer picën edhe në rërë po ta doja, nëse për tretje do t’i kisha kërkuar ndonjë “Don Perignon” a  ku di unë…dyshoj që do flisnim për gjëra të sofistikuara. Ikëm edhe nga aty, në shenjë proteste tetë portofola që ecnin secili mbi dy këmbë…

Epo, dreqi ta hajë o Kozeta! As për restorant nuk je. Je grindavece shumë! A nuk e merr atë shishen që bleve në supermarket e po ulesh aty te dhoma, ku ke paguar dyzet euro vetëm për një shtrat e për një dush me zorrë të çarë në mes që currilin e hollë ta ndan në dy currila?

Kështu bëra, por kisha harruar një kokërr limon dhe shkova ta kërkoja te minirestoranti i hotelit ku flija. Një kokërr limon…një kokërr limon dreqin kërkova. – Kozeta, i do nga të bahçes a nga këto të importit? Jo për gjë, po ej… ka vajt’ pesë mijë lekë kilja.

I kërkova vetëm një kokërr…jo gjashtë sa bëjnë afërsisht një kilogram, por me sa duket i vinte zor të më kërkonte tetëqind lekë të vjetra. Unë, portofoli që ecën mbi dy këmbë, ika edhe një herë në shenjë proteste në market. Më mirë pesë mijë lekë karburant sesa portofol i rëndësishëm.

Unë nuk jam portofol, ka plot të tjerë që s’janë portofola,  ne duam shoqërinë e njëri-tjetrit dhe a ka mundësi të mos na shihni nga koka te këmbët se ç’kemi brenda nëpër xhepa?

Ne mund ta blejmë atë shishen tuaj, por nuk na bën persona jo të rëndësishëm fakti që nuk e duam me fishekzjarrë…

Në rrethin tonë mund të ketë vajza me makina më të bukura se ato të meshkujt të cilëve ju u dedikoni “poezi”.

Ju plasi juve se thashë unë të gjitha këto e? Aty po ju rreh ju se nuk erdha unë e ca të tjerë e? Madje është më mirë për ju që ca si ne as të mos duken në anët tuaja e?

Ka ca portofola që paguajnë për nevoja biologjike, por nuk pushojnë…

Ka të tjerë që paguajnë për të pushuar dhe harrojnë që kanë edhe nevoja biologjike.

Tani, bëjini vetë llogaritë kush ka pushuar vërtet. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje