Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Vendprehja arbërore” – nga Marin Mema

“Vendprehja arbërore” – nga Marin Mema
May 29
18:38 2018
Nga: Marin Mema

Si një hapësirë e pasur me trashëgimi të lashtë, Mirdita ka dhënë gjurmë të hershme në shumë zona të saj. Padyshim një ndër më të rrallat mbetet ajo e zbuluar në Bukël. Shumica mund të mos ta kenë dëgjuar, por ky vend në vitet ‘60 nxorri në dritë një pasuri të jashtëzakonshme. Zbulimet e rastësishme u dorëzuan në atë periudhë nga etnologu i famshëm shqiptar Mark Tirta, që në atë kohë ishtë mësues i zonës. Pak kush e kishte menduar se ato objekte do t’i drejtonin arkeologët drejt një varreze të madhe mesjetare.

Sigurisht ato shërbyen si një pikënisje, por askush nuk dinte nëse në Bukël këto zbulime ishin sporadike apo nëntoka fshihte diçka më shumë. E në fakt kështu ishte, Bukli kishte ruajtur për shekuj historinë dhe të vërtetat e saj. Në gërmimet e kryera në vitin 1963 arkeologu i ndjerë Skënder Anamali, D. Komata e ekspertë të tjerë shpluhurosën plot 53 vendprehje dhe një material arkeologjik mjaft të pasur.

Të gjitha objektet arkeologjike të ngjashme me të tjera të zbuluara të zona të ndryshme të vendit dëshmuan për atë që njihet si kultura e hershme shqiptare apo e thënë më thjeshtë hallkën që lidh pandashmërisht lashtësinë ilire me mesjetën arbërore. Varret sipas arkeologëve i përkasin periudhës nga shekulli i VI deri në atë të VIII dhe përbëjnë një vlerë që për fat të keq ashtu si shumë pjesë të tjera të Mirditës, ka përfunduar në sirtarët e harresës.

Sipas inventarit të kryer gjatë gërmimeve rezulton se përtej uniformitetit të ndërtimit të varreve, objektet e gjetura ishin të ndryshme dhe mjaft interesante. Sipërfaqja e madhe e varrezës tregonte për një vendbanim të zhvilluar e mjaft interesant, ndërsa objektet plotësonin mozaikun shkencor të saj. Si drejtues i punimeve arkeologu Skënder Anamali ka realizuar një inventar të detajuar të çdo objekti të zbuluar, që më pas është analizuar në mënyrë të detajuar. Fotografitë e publikuara tek “Iliria” janë një dëshmi e këtyre zbulimeve kaq të rëndësishme. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje