Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Vendbanimi i Trojës

Vendbanimi i Trojës
October 31
18:30 2017

Nga: Marin Mema

Gojëdhënat e banorëve të Cidhnës në Dibër ruajnë faktin se sa herë kishte rreziqe nga sulmet e ushtrive të ndryshme, paraardhësit e tyre tërhiqeshin e strehoheshin në një territor që ata e quajnë Troje. Ky është një vendbanim tërësisht i pastudiuar, e që lidhet siç ata theksojnë edhe me kalanë e fshehtë të Skëndërbeut, e cila ngrihet jo larg. Sado të duket e pabesueshme, vendbanimi sipas udhërrëfyesve tanë ndodhet në pjesën më të thellë të një kanioni, në të cilin duhet ecur për të paktën një orë. I sigurt është fakti se mes majave të thepisura mbrojtja ka qenë maksimale, vështirë të mendosh se ndonjë ushtrie sulmuese do t’i shkonte ndërmend të kërkonte një vendbanim kaq të fshehtë e të mirë pozicionuar.

Qofsh ekspert i fushës ose jo, nuk ka sesi të mos mahnitesh me këtë vendbanim që shfaqet në zemër të kanionit. Rrënojat janë zhdukur, por të dhënat arkeologjike konfirmojnë ekzistencën e dikurshme të një qendre. Shtëpitë kanë qenë të vendosura jo vetëm në tarracimet mes shkëmbinjëve, por edhe në shpellat e shumta që dallohen pergjatë trupit të majave përreth.

Banorët tregojnë se hapësira të tilla në këtë kanion janë të shumta dhe për më tepër disa qindra metra më tej, në një vend të thepisur ngrihet një kishë e vjetër. Për të qenë më të saktë duhet një gjykim më shkencor e i mbështetur mbi ato të dhëna, që mund të dallohen vetëm nga arkeologët. A kemi baza shkencore që mbështesin pohimet e banorëve? Përse është ndërtuar një vendbanim këtu në këtë pjesë të pazakontë? A ka patur vërtetë një të tillë?

Prof. Skënder Muçaj, një ndër arkeologët më të njohur në vend nuk ka nevojë për shumë kohë për të konfirmuar gjithçka. Sipas tij tarracimet kanë mbajtur banesa të vogla të cilat datohen nga shekulli i VI deri në atë XIV. Me shumë gjasa popullësitë tërhiqeshin në këtë vend për më shumë siguri, e kjo mund të ketë nisur që në periudhën e dyndjeve sllave, kur ilirët zgjodhën të vendoseshin në zona të tilla malore. Kështu ka ndodhur edhe më pas, kur territoret janë përdorur nga luftëtarët arbërore dhe familjet e tyre. Sipas Prof. Muçajt, për nga relievi vendbanimi sekret në Cidhën nuk ka të ngjashëm në Shqipëri, e nga krahu tjetër ai përfaqëson edhe një vlerë të panjohur që duhet studiuar e hulumtuar thellësisht. Nuk dihet përse kjo nuk është bërë më parë megjithatë vendbanimi i Trojes, siç e njohin banorët, meriton vëmendjen zyrtare të institucioneve përgjegjëse.

Aq i çuditshëm është ky vend sa i përngjan më shumë tregimeve të moçme apo legjendave që ruhen brez pas brezi. Por nëse në realitet ato mbeten thjesht mite, këtu janë të prekshme…

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje