Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Vdesin njerëzit, por jo idhujt

Vdesin njerëzit, por jo idhujt
December 27
15:51 2016

Nga Denis Dyrnjaja

Dje ishte një ditë e trishtë, nga ato që vrasin kujtimet e bukura të së shkuarës. Kthej kokën pas në kohë tri dekada të shkuara dhe  kujtoj se ndërsa luaja të dielave paradite futboll në lagje, më kumbonte në veshë thirrja e zërit të babait tim: “Deniiiiii, shpejt se filloi filmi”. Futbolli, që ishte gjëja më e dëshiruar për ne fëmijët, zhbëhej në moment dhe të gjithë shpërndaheshim rrufeshëm nëpër shtëpitë tona për të parë filmin e zgjedhur në programin e Televizionit Shqiptar, i vetmi në atë kohë.

Sigla “Kinostudio Shqipëria e Re” shoqërohej me kureshtjen maksimale se cili do të ishte filmi i përzgjedhur. Fatmirësisht emrat e aktorëve shfaqeshin që në nisje të filmave asokohe dhe me atë rast kuptoje se filmi që do të shikoje ishte në preferencat e tua ose jo. Sigurisht, filmat me luftë e partizanë ishin më të preferuarit për ne fëmijët, që në varfëri lodrash luanim edhe luftash, sikurse i thoshim atëherë. Të dytët ishin filmat e periudhës më të vonshme si tematikë dhe “Ballë për ballë”, me të famshmen “Nëndetësen 105”, ishte aq i preferuar sa sikur ta shihnim çdo ditë nuk mërziteshim, madje shumë nga batutat e këtij filmi dhe të shumë filmave të tjerë i kemi mësuar tashmë  përmendësh.

Është i paharrueshëm zëri i plotë dhe i fuqishëm i Bujar Lakos në çastet kulminante të filmit kur thotë: “Nëndetësja 105… Nëndetësja 105… asnjë lëvizje nga itinerari i parashikuar. Jam komandanti Bermema”… Ishin momente tensioni ku sipas skenarit të filmit rusët po përpiqeshin të krijonin një incident dhe të merrnin një nëndetëse nga ato që ishin dislokuar në bazën e Pasha Limanit në Vlorë. Sot ndoshta ngjan diçka qesharake dhe pa kuptim kjo që shkruaj, por në kontekstin e kohës së atëhershme, ata që e kanë jetuar e dinë fort mirë çfarë emocionesh na krijonin këta filma e pasazhe të tyre.

Aktrimi brilant i Bujar Lakos, por edhe një kasti të mrekullueshëm aktorësh të kohës, si Sulejman Pitarka, Kadri Roshi etj. na përpinte brenda filmit, sa ngjarja na dukej sikur ndodhte realisht dhe përjetimi emocional ishte në maksimum. Këta artistë të kësaj stature na kanë dhuruar emocione të tilla, ndaj i adhuruam dhe vijojmë t’i adhurojmë për vite e vite me radhë. Ata u bënë idhujt tanë. Vdekja e njeriut është e rëndë, por vdekja e artistit idhull është dy herë më shumë, sepse të shkëputet diçka nga jeta, nga kujtimet, nga e shkuara.

Bashkë me ikjen e Bujar Lakos duket sikur të ikën edhe një pjesë e jetës që i përket fëmijërisë.

Idhuj nuk kishim vetëm në fëmijëri, por edhe në adoleshencë. E njëri prej tyre ishte George Michael, që befasoi botën mbarë me ndarjen e parakohshme nga jeta. Ishte personazhi që duhej imituar në veshje, në lëvizje, në flokë e stil. Ishte modeli i meshkujve se si duhej të ishin dhe femrave se çfarë mashkulli duhej të kishin. Dhe ai ishte gjithnjë George Michael. “Careless Whisper” ishte kënga numër 1 në kasetat muzikore, sepse atëherë nuk kishte CD. George Michael ishte i pari në top listat europiane dhe amerikane të kohës, ishte në mendjet e shumë të rinjve që kishin zgjedhur një idhull. Breza të tërë kanë lidhur kujtimet me këngët hit të tij dhe jam i bindur se me vdekjen e papritur, pluhuri i qindra mijëra miliona e miliona kujtimeve të njerëzve u shkund. I kujtoni ditëlindjet e dikurshme të para 20 – 30 viteve në shtëpitë e njëri-tjetrit në Shqipëri, që asokohe i quanim “disko shtëpie”? Ishte George Michael ai që krijonte atmosferën e kërcimit afektiv. Ishte muzika e tij që stamponte në memorie përqafimin apo puthjen e parë.

Shumë kush mund të ketë kujtimet dhe episodet e tij, që në një mënyrë ose në një tjetër kanë stampuar në memorie pasazhe të paharrueshme. Dhe janë pikërisht këto pasazhe që e bëjnë idhull një artist dhe idhujt kanë një veçori. Ata janë të pavdekshëm./Blitz.al/

Komento
Shperndaje