Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Varreza- “qyteti” i mesazheve për jetën

Varreza- “qyteti” i mesazheve për jetën
October 03
16:24 2017

Nga Kozeta Kurti

Sot isha në qytetin e të heshturve, aty ku paqja dhe qetësia mbizotëron mbi gjithçka.  Shumë, shumë ndonjë fëshfërimë gjethesh dëgjohet; a ndonjë cicërimë zogu që ende nuk është nisur për kushedi se ku. Një varg i gjatë njerëzish mbërrin nga rruga kryesore;  pak minuta më vonë edhe një tjetër; katran të zinj të veshur, zjarr të kuq sytë, të bardhë borë fytyrat e pangrëna e të pahidratuara prej orësh të gjata; të sfilitur nga lodhja e humbjes të të vetmit person që është i çlodhur midis tërë këtyre njerëzve: ai që është i mbyllur aty në atë kutinë e zymtë e të drunjtë.

Ke shpëtuar prej fqinjëve që janë ankuar, të kanë sharë e mallkuar, vetëm se ti ke ecur me këpucë në shtëpinë tënde, por nuk e shohin kur ta derdhin salcën e makaronave në peshqirët e sapolarë e të varur në ballkon. Sytë e tu kanë shpëtuar nga vështrimet shpotitëse të këtyre njerëzve që gjithë jetën të shkelën me këmbë, e sot kur ta panë emrin në shpallje në mur, përsëritën njëzëri: “sa burrë/grua i/e mirë ishte”. Sytë e tu kanë shpëtuar prej pamjes së neveritshme të tradhëtisë, të burrit, gruas, shokut, mikut, ortakut. Veshët e tu kanë shpëtuar prej bisedave me orë të gjata me fis e katandi, se kujt i takon ai një metër oborr përpara shtëpisë; ti nuk dëgjon më sherre banale për protokolle dasmash, vdekjesh…kush ulet në krye e kush ulet në bisht…Truri yt ka shpëtuar prej proshutës së tymosur që kishe për shef e që ishe i detyruar ta dëgjoje në mijëra trapllëqet e veta, vetëm e vetëm sepse t’u desh të paguaje faturat e jetës. Qënia jote ka shpëtuar prej gënjeshtrës, ambicies e egos që nuk njeh kufij, mllefit, inatit, arogancës, intolerancës, paaftësisë, mediokritetit…. Të ka mbetur veç shpirti! Të ka mbetur veç paqja! Vetëm mos shko pa na e bërë një të mirë! Na lër të qajmë, të ulërasim, të shkulim flokët,veç mos na lejo ta bëjmë prej dhimbjes për ikjen tënde, por prej mëshirës ndaj vetes…Na jep një mësim të mirë, na shkund e na trego se jeta është shumë e shkurtër për të jetuar pa puthje, pa përkëdhelje, pa dashuri, pa shtrëngime duarsh, pa përqafime…jeta është shumë e shkurtër për ta kaluar në skëterrë urrejtjeje, inati, mllefi, xhelozie…është shumë e shkurtër për ta bërë luftën për pushtet edhe më të mëdha se dëshira për ta jetuar pushtetin e fituar…Jeta është e gjatë sa një pulitje qepallash për të  kuptuar se nuk kemi kohë për të humbur kohë, as për t’i dhënë kuptim logjik e matematikor çdo lëvizjeje që bëjmë; është kaq e shkurtër jeta për te menduar se kemi kohë për t’u njohur; kohë për të gabuar mbase kemi plot, por për të falur jo. Barriera që vetes ja vendosim, është burgu në të cilin kyçim mendjen dhe pastaj me mendje burgosur flasim për lirinë, për jetën, për shpresën, për dritën… Ndoshta në këtë qytet ku ka pllakosur heshtja, banorët vërtet nuk flasin, por sot që shkoi një…shkoi edhe një…edhe një tjetër, u kujtova se ndoshta dje askush prej tyre nuk ka e ka menduar ndryshimin e vendbanimit dhe kushedi sa mijëra gjëra kanë lënë përgjysmë; kushedi sa ëndrra, kushedi sa plane, kushedi sa çaste…  As ne nuk dimë; as unë jo, ndaj po marr telefonin e nuk po humbas kohë të të kërkoj falje ty që të lëndova; të të fal ty që më preve në besë; të të them sa të dua ty që më bën bisht; të të kërkoj të më duash ti që më urreve pse s’t’u gjenda afër atëherë kur më shumë se kurrë kishe nevojë për mua…Në djall telefoni! Do vij të të trokas në derë e do të të kërkoj falje me kokën mbështetur në supin tënd, do të kërkoj e do të të gjej kudo që të jesh për  të të thënë se e kam harruar çfarë ndodhi, do të të kërkoj midis mijëra aromash e do të të prek lëkurën për të të thënë se të dua fort…do të vij po aq përulur sa kryelartë u zhduka e do ta meritoj dashurinë tënde…

Këtu nuk pipëtin asgjë…edhe të qarat u rralluan! Pas pak të githë do të shkojnë në shtëpitë e tyre do të mbajnë zi disa kohë e pastaj do të të kujtojnë gjithnjë e më rrallë. Kurse unë do ta kujtoj shpesh ikjen tënde…  Lum kush e kuptoi atë; lum kush e “shfrytëzoi” për të reflektuar me veten, lum ai që s’lyp kohë, por mundësi për ta tejkaluar kohën. Atë që as ti, as unë, askush s’e bëri dot me fjalën, ja arrite ta bësh me heshtjen. Misioni përfundoi me sukses…

Deri dje trupin tënd nuk e kisha frikë… sot shpirtin tënd mbi krye që më sheh me kujdes a jam e bardhë a blozë, po! E kam frikë! Ndaj e kam vendosur; veç do të dua, veç do të puth, veç do të përqafoj, veç do them fjalë të ëmbla, veç do fal, veç do toleroj… dhe nesër askush nuk do të thotë për mua: kushedi sa shumë gjëra la përgjysmë. Ta dua lirinë e shpirtit, terur në ajër!/Blitz.al/

 

Shperndaje