Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Vallja triumfale e Çamëve (nga Marin Mema)

Vallja triumfale e Çamëve (nga Marin Mema)
October 18
14:19 2018

Fondi i artë kulturës artistike popullore shqiptare mban ndër vete një valle të rrallë, thuajse të papërsëritshme, përsa kohë thuhet se s’gjen të dytë në botë. Bëhet fjalë për vallën çame…

Ajo përshkruhet si një valle triumfale që përfaqëson shpirtin shqiptar. Sipas studiuesve, vallja çame me elementët që gëzon është një valle unikale dhe madje e papërsërishtme, por që për fat të keq nuk është përcjellë siç duhet në atë që përfaqëson. Kjo për shkaqe të ndryshme, mes të cilave edhe fakti se për të kanë folur shpesh njerëz që realisht nuk ia kanë pasur idenë. Por ka edhe më keq akoma pasi siç shprehet studiuesi Aristidh Kola, ata që e kanë trajtuar vallen çame mund të kenë qenë persona që jo pak herë janë marrë me këtë çështje mbi bazën e fantazisë së tyre, gjë që dëmton shumë.

Ndoshta këto gabime kanë ndikuar që të krijohet perceptimi se vallja çamë ndahet me ndonjë komunitet tjetër, ndërkohë që sipas Aristidh Kolës që jetën ja kushtoi studimit të rrënjëve shqiptare kjo nuk është e vërtetë.

Sipas tij çështja duhet të nisi me një studim të popullit që e krijoi këtë valle, mes karakteristikave të së cilës dallon krenaria në lëvizje, kjo ndoshta edhe për faktin se ajo kërcehej pas betejës, apo gjatë armëpushimit, ndonëse nuk klasifikohet si një valle luftarake. Duke konsideruar edhe faktin se ajo nuk para kërcehet nga gratë, rrjedhimisht ajo nuk përmban as nuanca erotike. Njëkohësisht vallja çame përmban elementë tregues të karakterit të popullit që e krijoi, ka figura të mrekullueshme dhe kërcimtari i parë ka rolin e protagonistit.

Të gjitha këto detaje e përforcojnë edhe më shumë atë që shpreh në lidhje me vallen çame studiuesi Aristidh Kola, i cili thotë:

“Dyshoj se mund të ketë të dytë në botë”. /Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje