Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Vakum!

Vakum!
February 04
22:18 2018

Nga Ditër Bitri

Kapaciteti informativ i rinisë shqiptare ushqehet dhe mbahet në jetë nga opinioni i masës në lidhje me çështje të interesit të trendeve. Në kushtet ku shoqëria e re shqiptare ankohet për mungesë informacioni, harron faktin se sot, më shumë se kurrë, e ka mundësinë për ta siguruar atë informacion, por, zgjedh të mos përfitojë prej tij. Është pikërisht kjo neglizhencë ndaj vlerës dhe potencialit të dëshirës për t’u informuar, ajo që metaforizon limitin e mundësive të një të riu shqiptar. Si një student, i cili një pjesë të konsiderueshme të ditës e ndaj duke lexuar histori të rinjsh dhe duke i udhëzuar ata për hapat e tyre drejt një arsimi akademik cilësor, më është dukur e arsyeshme të shkruaj për sfidat që shumica e tyre hasin, me vëmendje të veçantë tek ndikimi çorientues akademiko-social.

Një problem i cili karakterizon një pjesë të konsiderueshme të rinisë shqiptare sot, është
mungesa e origjinalitetit. Për shumë nga ju të rinj që po e lexoni këtë shkrim, përfshirë edhe mua si i ri shqiptar, pavarësisht nivelit formues akademiko-social, termi “origjinalitet” na duket
thjeshtësisht i mbartur në vetvete dhe shumë nga ne mund ta pohojne me krenari që askush nuk është si ata. Realiteti na shfaq të kundërtën e hidhur. Një shembull konkret i këtij skenari, për të cilin nuk kemi pse të reflektojmë prapa në kohë, për shkakun e vetëm të ritrashegimisë vjetore, shfaqet zgjedhja e të rinjve maturantë lidhur me të ardhmen. Si një ndër 100 studentët e ekselencës për vitin shkollor 2015, kam shprehur kureshtje të veçantë për atë çka e ardhmja e këtij vendi aspiron si profesion.

Një numër i rrezikshëm i studentëve shprehen se vazhdojnë studimet në degë të caktuara për shkak se kanë qenë thjesht fitues në to, edhe pse preferencat mund të kishin qenë të tjera. Eshtë për të ardhur keq në Shqiperi që një student i shkëlqyer me prirje te veçanta në politikë dhe diplomaci, të studiojë për infermieri. Ndodh vetëm në Shqipëri që një artist i talentuar të përfundojë tek Fakulteti i Ekonomisë. Dhe, ndodh po vetëm në Shqipëri, që dikush, i cili nuk ka lidhje fare me mjedisin shkollor, të studiojë për mësues.

Si rezultat, të rinjve u krijohet një stres depresiv i panevojshëm. Sipas perceptimit tim, rinia
shqiptare vrapon pas trendeve revolucionare; për momentin jemi në trendin e të bërit një shkollë të lartë, cilado të jetë dega. Edhe pse aderues, por jo ekspert, i ngjarjeve historike, dua të theksoj faktin se Revolucioni i parë shkaktoi Luftën e Parë Botërore dhe Revolucioni i dytë shkaktoi Luftën e Dytë Botërore. Trendet revolucionare janë partizane nëse rritja e tyre është eksponenciale dhe e keqmenaxhuar. Kam frikë se fatura e këtij trendi në Shqipëri do të jetë e papagueshme.

Nëse të rinjtë që po diplomohen çdo ditë nga akademia shqiptare do të ishin origjinalë, ashtu si vërtet pretendojnë, nuk do e renditnin vendin e tyre si një ndër ata me përqindjen rinore me papunësi më të lartë në Evropë. Një student origjinal nuk ndikohet nga mendimi i masës, përkundrazi, ai e lufton atë. Një i ri i guximshëm dhe me prioritete të qarta ndjek ëndrrën e tij, pavarësisht rrethanave. Një i ri origjinal pranon realitetin dhe mundësitë familjare dhe reflekton mbi to, duke u rilindur kthjellët çdo ditë. Kjo është e vetmja mënyrë që e çon një rini përpara.

Të qenurit fitues i “Competitive College Club” për Shqipërinë – një program i krijuar nga
Education USA dhe Ambasadat Amerikane, dhe që zhvillohet paralelisht në 174 vende të botës,
më krijoi mundësinë që të njihem me shumë histori të studentëve shqiptarë, të cilët shprehin
dëshirën e mirë për të vazhduar studimet e larta në SHBA. Ajo ç’ka më gëzon për disa të rinj shqiptarë është inisiativa që kanë për të bërë punë komunitare apo për t’u angazhuar me shoqata të ndryshme në funksion të sensibilizimit shoqëror, akademik dhe profesional. Ajo çka më duket qesharake është një trend tjetër mbi maninë e koleksionimit të certifikatave nga këto aktivitete.

Certifikatat janë thjesht mirënjohje modeste që organizatorët shprehin ndaj pjesëmarrësve. Ato
nuk kanë peshë dhe nuk kontribuojnë në formimin e të rinjve. Ajo, e cila mbart peshë është përpjekja e përkthyer në eksperiencë të fituar nga këto aktivitete. Është ai kurioziteti intelektual që i bën aktivistët të kenë pasion për kauza të caktuara. Një student i cili flet për reflektimet e nxjerra dhe kapërcimin e sfidave deri në finalizim të projekteve, do të vlerësohet më shumë nga trupa gjykuese, krahasuar me një student, volumi i të cilit mbushet me certifikata.

Certifikata mund të jetë një supelement në ndërtimin e resumesë të një studenti, por kurrsesi kryefjala.

Sfidë emergjente e rinisë shqiptare është edhe mungesa e kalitjes mendore për të vepruar
në ndërgjegjie me mundësitë momentale. Është bërë traditë tashmë përpjekja për të mos
evidentuar gabimet për shkak të përbuzjes nga të tjerët, pa menduar se çdokush është në
rrugëtimin e tij. Kjo pengesë vjen pikërisht nga dekurajimi pa shkak – më shumë që dëgjojmë
për progresin e dikujt, aq më shumë ulim ritmin e zhvillimit tonë. Evidentimi i gabimeve nuk është shenjë dobësie por shenjë force. Ajo të lejon të pranosh që nuk di diçka dhe të hap
horizontin të mësosh dicka të rë. Qartësimi i vetes në lidhje me gabimet dhe mundësitë është e vetmja kurë për progres afatgjatë. Është e natyrshme që të gjithë janë të barabartë në mundësi por jo në aftësi. Nuk ka rrugëtim të përbashkët, të herët apo të vonë, edhe pse ne mund të jemi në të njëjtin nivel, qoftë ky në moshë, në akademi apo në karrierë.

Barak Obama u zgjodh president në moshën 47 vjeçare, ndërsa Donald Trump në moshën 70 vjeçare. Kjo nuk do të thotë se njëri
ishte herët dhe tjetri vonë. Një i ri nuk duhet të ketë arsye për t’u dekurajuar nëse moshatarët e tij janë në një nivel tjetër. Sekreti i një të ardhmeje më të mirë është që nuk ka sekret dhe koncepti i së ardhmes nuk ndahet në nivele. Ai ndahet në gabime dhe reflektime.

Karakteri njerëzor ngjyroset pikërisht nga mënyra se si i prioritizon zgjedhjet. Një
zgjidhje efikase lidhur me problemet e mësiperme është pikërisht përkushtimi ndaj prioriteteve.

Eshtë i pamoralshëm risku që të jetojmë jetën duke mos bërë atë që duam për shkak të bastit se mund ta ‘blejmë’ lirinë për ta bërë më vonë. Të rinjtë duhet të theksojnë çfarë është më e mirë për të ardhmen e tyre; çdo gjë tjetër është sekondare. Një e ardhme e planifikuar dhe e punuar fort për t’u arritur, përkthehet në dhjetra mundësi antistresi dhe qindra mundësi gëzimi dhe lumturie. Duhet të jemi me frymën se çdo i ri ka diçka për të ofruar në shoqëri, sikurse secili nga ta, ka përgjegjësinë për të zbuluar aftësitë dhe talentin. Kjo është mundësia që përkushtimi ofron.

Të vepruarit ndërgjegjshëm është dhurata më e bukur që mund t’i bëjmë vetes tonë. Shqipëria
është ende vendi me popullsinë më të rë në Europë. Ka ende shpresë që rinia t’i dalë përpara mediokritetit të trashëguar dhe ta mposhtë atë. Ka ende shpresë që e ardhmja e Shqipërisë të jetë ajo që ne të gjithë dëshirojmë. /Blitz.al/

 

Shkrim nga: Ditër Bitri, lindur më 1 Dhjetor 1997, në Pogradec, Shqipëri, ka mbaruar studimet e mesme pranë gjimnazit “Muharrem Çollaku”, ku u përzgjodh si një ndër 100 studentët e Ekselencës për vitin 2015.

Bitri aktualisht studion për Matematikë në University of Bridgeport, SHBA, si fituesi i
njërës nga dy bursat e ashtuquajtura: “Global Leaders of Tomorrow (2016)”, dhe si fituesi i parë i “Competitive College Club” – Education USA Albania, program i cili zhvillohet paralelisht në 174 shtete dhe suportohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Bitri mban edhe postin e Asistentit Mësimor (Teaching Assistant) pranë Departamentit të Matematikës në universitet.

Komento
Shperndaje