Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Urdhëroni, përtypni një libër!

Urdhëroni, përtypni një libër!
November 19
18:45 2017

Errësirë,errësirë ngado,mendje e mbushur me errësirë, mendime që përplasen në katër anët e murit.

Ah po,i duhej pak dritë që të arsyetonte e të mblidhte veten,madje edhe ta ngushëllonte duke i thënë: “Sot është një ditë e bukur, mjafton të shohesh qiellin i cili ka një mori hijesh e nuancash që herë pas here ndërthuren me njëra-tjetrën dhe kështu mendo se edhe dita jote do të jetë e tillë.

Ende pa u gëzuar iluzioneve që po e godisnin pa mëshirë, mendjen ia turbulloi telefonata e një mikeshe, e ftoi të pinte një kafe.

Por ajo sot nuk ndjente nevojën e një kafeje, ndoshta nuk e kishte pasur kurrë, kështu me anë të telefonit, paqësisht dhe me shumë mirësjellje i tha shoqes që gjithë ditën do ta kalonte duke përtypur një libër afër dritares, ashtu vetëm dhe nën dritën e diellit.

Madje e ftoi mikeshën të vinte në shtëpinë e saj, sepse sapo kishte blerë disa libra që vërtet kishin shije të mirë.

Nga ana tjetër e telefonit dëgjoi një britmë të fortë që e drodhi të tërën, ndërsa ajo mendonte se po fliste, në fakt në telefon ajo po ulërinte dhe i tha: “Mos je çmendur gjë, sot është dita ideale për të pirë një kafe dhe jo për tu mbyllur në shtëpi si maniake librash.

Duke mos dashur ta fyente,e falenderoi për ftesën dhe me aq mbylli telefonatën.

Por pas asaj bisede u ul të mendonte dhe tha me vete: “Mos ndoshta leximi dëmton rëndë injorancën?! “dhe kjo për shumë njerëz nuk është gjë e mirë.

Në fakt ky është realiteti i hidhur në të cilën shoqëria shqiptare po jeton, të rinj që kanë alergji nga bibloteka dhe joshje nga kafenetë. Duan sukses të shpejtë, pa lodhje, pa punë e mbi të gjitha pa lexuar.

Nga kafeneja ku janë ulur me siguri në rrugë do të shohin të kalojë një njeri i suksesshëm dhe do fillojnë të thonë të njëjtat fraza klishe: “Edhe ne do t’ia kishim dalë mbanë po të kishim fatin që ka ai/ajo.

Ose kanë atë mendimin anakronik të kalbur që në rrënjë, se patjeter pas një njeriu të suksesshëm është një hije që “e bëri”.

Po sikur ai/ajo të ketë punuar pa reshtur?

Po sikur ai të jetë zvarritur, e të ketë qenë në greminë dhe jetë ngritur në këmbë vetëm, madje çdo herë e më i fortë?

Po sikur ti të vije trurin në funksion?

Po sikur?

Dhe çdo mendim që kalon tangent në mendjen tënde të fashitet,kur takon përditë ata tipat e iluminuar nga rrjetet sociale që thellë thellë e shohin vetën si një Shakespear, Bukoëski, të cilët s’kanë lexuar asnjë libër në jetën e tyre, ama çdo foto e shoqërojnë me një shprehje që në shumicën e rasteve nuk e kuptojnë as vetë.

E pastaj kur mësojnë të recitojnë tre apo katër fraza të njohura, janë të gatshëm të bëjnë filozofinë në kafene me miqtë e tyre.

Por nëse do të përqëndrohemi tek vëmendja që duan të kenë pa bërë asgjë, do të shohim që ata e kanë lënë injorancën të krijojë një strehë të ngrohtë në mendjen e tyre.

Duke i lënë injorancës kaq shumë hapsira, do të vijë koha që ajo të ketë ngrënë kokën tonë, ndaj dhe sot ju bëj një ftesë të hapur: “Urdhëroni, përtypni një libër!

Të jeni të bindur që do t’ju bëj shumë mirë për shëndetin, madje madje nuk ka as efekte anësore.

Mendojeni librin si një ushqim që i jepet trurit të zbardhur, të mangët e pa rrudha, sepse të larguarit nga leximi i librit dhe marrja e informacioneve të drejtëpërdrejta nga rrjetet sociale është shndërruar në një epidemi që po përhapet në mënyrë të frikshme në shoqërinë tonë.

Fatkeqsisht sot shkruhet shumë dhe nuk lexohet pothuajse nga askush, madje shkrimtarët e mëdhenj kanë marrë karton të kuq, ç’ka i bën të jenë jashtë mendjes dhe jetës tonë.

Injoranca ka vetëm një fytyrë, atë të një njeriu kokëbosh dhe krenar për paditurinë e tij.

Ndaj “URDHËRONI,PËRTYPNI NJË LIBËR”!/Blitz.al/

 

Shperndaje