Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Urdhër mbrojtjeje? Urdhri më i pavlerë në Shqipëri!

Urdhër mbrojtjeje? Urdhri më i pavlerë në Shqipëri!
June 07
17:15 2016

Dita e sotme ka lënë jo pak shije të hidhur. Gruaja që shtrëngonte fëmijët teksa dhunohej barbarisht dhe të vegjlit që mundoheshin ta mbronin është kocka që shumëkujt nga ne i ka mbetur në grykë. Ky nuk është rasti i parë e pa diskutim që nuk do të jetë as i fundit. Ajo që më lëndon më shumë është indiferenca… Indiferencë nga shteti, familja e në rastin konkret nga ata qyqarët që ishin aty rrotull e bënin sehir. U bë një video, u hodh në internet. U indinjuam, qamë, e rropëm dhe e dogjëm me benzinë nëpër komente (të dhunshme) atë “palo gjë” që as njeri nuk meriton të quhet. Po nesër? Sigurisht që do vazhdojmë jetën tonë të qetë… Vetëm lotët e asaj nëne dhe fëmijëve të saj do të vazhdojnë edhe më gjatë nëse nuk merren masa. “I është dhënë urdhër mbrojtjeje?” Oh, vërtet? Dhe çfarë ndodhi herën e parë që i dhe një “letër bakalli”, që për një të krisur s’do të thotë asgjë? Po tani që e theu këtë “urdhër” çfarë do t’i bëni? Apo mjaftojnë ca ditë burg dhe sapo të dalë të vazhdojë  të gjejë mënyrën si ta poshtërojë, rrahë apo edhe ta vrasë, siç ka ndodhur në raste të tjera kur “urdhri i mbrojtjes” nuk mjaftoi për të mos iu afruar viktimës?

Një tjetër fatkeqe si ajo grua sheh videon dhe ngushëllohet: “Nuk qenkam e vetmja!”. Se ashtu u është thënë. Burri edhe të rreh, duhet të durosh për fëmijët. Ndërkohë që fëmijët do jenë më të lumtur nëse nuk shohin nënën të vuajë e të durojë për ta, derisa një ditë të jetë shumë vonë…

Si mundet ky shteti ynë ligjor të mos i sigurojë mbrojtje fizike një nëne dhe fëmijëve të saj të dhunuar? Si mundet një psikopat të bëjë për të disatën herë një ndyrësi të tillë, edhe pse paska “urdhër mbrojtjeje”? Kush mund të ma shpjegojë se çfarë është ky m*t “urdhër mbrojtjeje” kur s’paska asnjë vlerë? Kur paska një afat që ta përcaktoka “Gjykata e ndritur” dhe nëse rastis që afati ka përfunduar mund të “shkarravitesh” në çdo moment në sy të fëmijëve në mënyrë monstruoze? Kur kjo nënë dhe fëmijët e saj duhet të jenë të shoqëruar nga forcat e rendit nëse janë të rrezikuar? Kur vazhdojmë të dëgjojmë e shohim makabritete të tilla në mes të rrugës? Kur shohim lot që, edhe po u thanë, do të mbeten të hidhur, plot dhimbje? Kur mes dhunës rriten fëmijë që nesër do të bëhen të dhunshëm?

Ma shpjegon dot njeri çfarë kupton me “urdhër mbrojtjeje” se ajo që më tregon ligji shqiptar nuk është kjo që shoh? Sipas ligjit, ngrihen struktura të posaçme mbrojtjeje për personat e dhunuar. “Strukturat e posaçme” sot më dhanë një pamje që s’do të doja ta shihja kurrë…

Nga: Jonida Aliçkolli

Shperndaje