Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Unë jam trapiote!” – nga Kozeta Kurti

“Unë jam trapiote!” – nga Kozeta Kurti
November 30
18:02 2017

Nga Kozeta Kurti

…Dhe e shpreh me çdo mjet të mundshëm trapiotizmin tim!

E nis së pari, duke thënë që ky është një vend i pajetueshëm, i korruptuar, i ndyrë dhe për të dhënë shembullin e mirë para të gjithëve, i fus dy mijë lekë të vjetra në xhep një sanitareje në një spital publik, me qëllimin që ajo t’i hedhë një sapllake ujë banjës, përpara se të hyj unë… Ja jap unë, pa ma kërkuar ajo, ose pa ma kërkuar ende të paktën…Pastaj nxitoj në zyrën e gjendjes civile, por ngaqë kam shumë punë dhe nuk i pres dot dy persona që kam përpara në rradhë, i jap asaj punonjëses një mije lëkë të vjetra, ndërkohë që pesëqind të vjetra kushton shërbimi, me shpresën se ajo do ta kuptojë shkelje-syrin tim.

I bëj të gjitha punët e ditës shpejt e shpejt, sepse në darkë do shkoj në stadium, ngaqë luan Kombëtarja shqiptare. Kujdesem të blej çdo aksesor me flamurin kuq e zi (prodhim Kine), bluza, kapele, rripa, ku janë e ku s’janë, edhe ca ngjyra pasteli që të pikturohem në fytyrë dhe përpara se të shkoj në stadium, nxitoj të ndryshoj foton e profilit që patjetër duhet të jetë me flamur, si edhe shoqëroj postimin tim me hashtagun plot kuptim #me#çunat#e#Kombëtares#deri#në#vdekje#. Çirrem duke kënduar, por pas golit të pësuar në portën tonë, ulëras me sa kam në kokë dhe shaj deri tek brezi i njëzet e shtatë këta lojtarë të fëlliqur që s’i bien dot fushës dy herë rreth e qark, që s’kanë takat, që s’mbushin barkun me bukë dhe që dreqi e mori, prej tyre, humba lekë në skedinë…se unë kështu luaj, bixhoz me trapiotizmin tim.

Jam stërmuanduar kaq shumë, jam lodhur kaq shumë mendërisht, sa vendosa që në kuadër të trapiotizmit që e kam me shumicë, t’i kaloj festat kombëtare jashtë shtetit, por nuk po dija, cilën ofertë të merrja; atë të Beogradit apo atë të Stambollit, se të dyja ishin shumë ekonomike.

Duke kërkuar ofertat nga celulari, më shkroi një mik i imi, i cili ishte pjesë e delegacionit shqiptar në Festivalin Europian të Fëmijëve dhe më kërkoi të postoja në profilet e mia në rrjetet sociale një foto promo të përfaqësueses sonë atje. Por unë ngaqë jam shumë trapiote, nuk e bëra, se më duhej të merresha me të tjera gjëra; pse për këto punë e kam profilin unë? S’kam nge të merrem me të tilla vogëlsira, se më duhet të përgjoj jetën e vipave tanë, çfarë hanë, ku pinë, me kë flenë, e më the të thashë.

Nejse, se e kuptoj që e teprova! Deri tani po bëja shaka se unë trapiotizmin tim e kam shprehur duke parë Parisin përpara Korçës, duke njohur Robert De Niron përpara Timo Fllokos, kam dëgjuar Tina Turnerin përpara Vaçe Zelës, kam parë Rembrandin përpara Ibrahim Kodrës, kam sfiluar në skenë me Armani, përpara se të vishesha nga Ardi Asllani, kam mësuar valet e Sri Lankës, përpara atyre lirike, kam provuar rizoto me karkaleca, përpara pilafit me mish pule, e kam çuar fëmijën në shkollë jashtë shtetit se këtu shkolla nuk bën një lek, jam kuruar jashtë shtetit se këtu mjekët janë mediokër dhe të paaftë…. Oh sa shumë gjëra kam bërë unë për të treguar trapiotizmin tim! Dhe nuk jam e vetmja! Si unë janë shumë, që prej atyre që kemi zgjedhur të na përfaqësojnë e të na qeverisin, deri tek ata që ne i shohim,me të drejtë apo pa të drejtë, nga lart-poshtë.

Sa shumë trapiotë ka në këtë vend! Shumë më tepër se patriotë! Këta të fundit nuk ndjehen, këta nuk godasin gjoksin dhe thonë: “o sa mirë me qenë shqiptar”; këta thjesht përpiqen ta bëjnë Shqipërinë më të jetueshme, ose kur nuk munden, e çojnë një copëz Shqipërie jashtë, ku nuk flasin për Parisin, De Niron, Rembrandin, Armanin  …., por për Timo Flokon, Vaçe Zelën, Ibrahim Kodrën, Ardi Asllanin…

Nëse s’jeni kështu, dokrrat që i shisni për patriotizëm, nuk janë asgjë më shumë përveçse “trapiotizëm”! /Blitz.al/

Shperndaje