Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Unë jam kundër martesës!

Unë jam kundër martesës!
April 20
12:10 2019

Nga Jonara Hoxha

Sipas Oscar Wilde, gratë martohen sepse janë kureshtare, ndërsa burrat sepse janë të lodhur. Si përfundim, të dyja palët zhgënjehen. Për mendimin tim, martesa është një fenomen akoma më pak zbavitës se aq, është thjesht forma më e civilizuar e ndjekjes së rutinës. Jo rutinë e tillë si gjumi i natës dhe zgjimi në mëngjes, sepse kjo ka baza fiziologjike, ndërsa martesa është kokë e këmbë shpikje e njerëzorëve. Arsyeja: një shoqëri me njerëz të lirë do të sillte kaos social.

Fillimisht dua të kundërshtoj lidhjen e padrejtë që bëhet mes martesës dhe dashurisë. Dashuria është një gjë, martesa një tjetër, e përgjithësisht nuk ecin së bashku. Dashuritë afatgjata janë tepër të rralla (ngase s’më pëlqen të them të pamundura), martesat jo dhe aq. Nëse dashuria ka në bazë altruizmin dhe ndjenjën e sakrificës, martesa është një marrëdhënie simbiotike që përmbush interesat e përbashkëta të dy partnerëve. Janë dy kurba te funksioneve të ndryshme të cilat mund ose nuk mund të mbivendosen në ndonjë segment. Si rezultat i kësaj, shumica e martesave nuk janë të lumtura dhe diçka e palumtur që e kufizon njeriun, a nuk është një burg?

Së dyti, martesa nuk është kusht për riprodhim. Më ka ndodhur të dëgjoj gra që thonin se arsyeja e vetme pse ishin të lumtura që ishin martuar, ishte se provuan ndjenjën e mëmësisë. Nuk e di kush ka qenë mendjendrituri/a që ka thënë se për të pasur një fëmijë duhet të martohesh. Është rregull i shoqërisë, i natyrës aspak. Ose, që të shkoj më tej, thëniet si: për të rritur një fëmijë mirë, duhet që të jenë dy prindër, personalisht më duken nënvlerësime të njeriut për natyrën e tij ambicioze dhe të pavarur. Për të rritur një fëmijë mirë të duhen vetëm të mira materiale të mjaftueshme dhe aftësia për të ditur t’i japësh drejtimin e duhur. Duke qenë se ka mjaft raste prindërish beqarë që kanë rritur femijë të jashtëzakonshëm, do të thotë që është plotësisht e mundur.

Së treti, martesa e kufizon njeriun. Në çfarëdolloj këndvështrimi ta shohesh, kjo ide qëndron. Të kufizon në aktivitetet që mund të ushtrosh, në kohën dhe energjinë që do ia kushtoje vetes: Nuk ke më 24 orë në ditë, dita shkurtohet aq shumë saqë papritur bëhet vetëm gjysmë ore që ti e kalon duke parë lajmet pasdite ose ndonjë serial të preferuar. Ti ndalon së paturi progres personal dhe energjinë tënde ia ke detyrë martesës. Nga ky kufizim dhe pamundësi për t’u zhvilluar lind dhe mjerimi qe karakterizon çdo njeri që kalon të 4o-at. Qëllimi më i lartë i njeriut është plotësimi i kënaqësive personale (s’po flas per kënaqësitë fizike, në djall me gjithë to, sa shume mbivlerësohen), e gjithë bota për njeriun rrotullohet rreth vetes dhe kufizimi i mundësive të tij për të plotësuar veten dhe dëshirat që ka, çon në vuajtje. Një rreth vicioz ku individi vazhdimisht vetëkonsumohet. Sa i shërben kjo gjë shoqërisë? Inovacioni dhe ndryshimi kurrë s’ka ardhur nga individë të bindur dhe të kufizuar. Shoqërisë i shërben vetëm sa “për të ruajtur rendin”.

Së katërti, njeriu nuk është qenie besnike. Instikti është një sjellje kafshërore dhe është mbi të gjitha sjellje e lindur. Do citoj sërish një shprehje të Wilde: “Tradhtia është çështje fiziologjike, të rinjtë duan të jenë besnikë por nuk munden, të moshuarit duan të tradhtojne por nuk munden.” Posesiviteti dhe ndjenja e pronarit zbehen me kalimin e viteve dhe njerëzit e shohin si luks dhe krenari të quhen tradhtarë apo dashnorë. Gjithmonë shoqëritë i kanë përqafuar imoralitetet, me kusht që fasadat të ruhen. A i shërben martesës ky individ, apo martesa këtij individi? Unë mendoj që jo.

Së fundmi, njeriu në momente të caktuara të jetës kërkon gjëra të ndryshme, kur është 20 kërkon romancë, kur është 30 kërkon mbështetje, kur është 40 kërkon pasion dhe risi, dhe kështu kërkesat e tij ndryshojnë vazhdimisht. Sa është në gjendje njeriu të bëjë zgjedhjen e duhur në një moshë kur kërkon romancën, dhe sa janë mundësitë që zgjedhja e tij t’i përshtatet nevojave dhe imazhit që ky individ do kërkojë në faza të ndryshme të jetës.

Martesa ofron siguri, mbështetje, është padyshim një gjendje rehatie dhe me siguri ka dhe lumturi brenda në momente të caktuara. I pamohueshëm roli i saj në ruajtjen e rregullit në shoqëri. Unë jam kundër martesës që nuk lejon zhvillimin personal dhe që sjell vuajtje shpirtërore e mendore (dhe shumica e martesave janë të tilla) dhe mbi të gjitha jam kundër mbivlerësimit që i bëhet si fenomen. Le të biem dakord njëzëri që martesa është shpesh një zgjedhje e nxituar që njeriu e bën në momente kur zotëron guximin që të ofron rinia, i ndikuar padyshim nga rregullat dhe moralet e shoqërisë dhe që fatkeqësisht shumica e martesave janë të dështuara. Hiqni dorë nga kontratat, mbase nëse njerëzit nuk do kenë sigurinë që ofron një copë letër, do të përpiqen më shumë për lidhjen që krijojnë dhe do të jenë pjesë e saj sepse duan dhe jo sepse kanë frikë të ikin. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje