Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

U prehtë në paqe!

U prehtë në paqe!
February 27
16:01 2017

Nga Kozeta Kurti

Kështu thuhet për atë që ikën apo jo?

Në të vërtetë unë kam kohë që nuk e shoh, as nuk e ndiej diku në ajër në shoqërinë oportuniste të kohëve të fundit, në të cilën po jetojmë. Ose më saktë e ndiej aq rrallë, sa më duket sikur ka vdekur, a është fshehur kushedi se ku, në cepa të errët të shpirtit e të zemrës, sa ka harruar të dalë.

Përpiqem ta gjej në sipërmarrje që i shoh pozitive, në teatër, në ekspozita, në muzikë, në tekste, në programe televizive, në rrjete sociale, në protesta, por hiç. Nuk duket gjëkundi.

Përpara disa muajsh shkova të shoh shfaqjen e ndërmarrë nga një shoqja ime e mirë e adoleshencës. Nuk është regjisore, as aktore, as skenografe, as kostumografe, por skuadrës së saj nuk i mungonte asnjë nga këto. Mbi të gjitha, nuk mungonte shfaqja, “Marta”, për të cilën, mendova se ishim mbledhur të gjithë aty. Kisha menduar gabim. Në vesh më cimbisnin dy zëra: “Po kjo, ç’ne kjo? Kjo merret me parfume, ç’punë ka me teatër. Bëjnë dy lekë këto dhe kushedi se çfarë kanë bërë”.

Po mbylle mi gojën, çfarë të duhet ty se sa lekë ka bërë ajo? Të paktën një pjesë të parave të veta ajo i shpenzoi për të të dhënë ty një orë e gjysmë emocion, po ku di ti? Ty të intereson ajo si emër i përveçëm dhe jo sipërmarrja e saj. Ndryshe nga ti, unë e shijova punën e saj se për fat të mirë, nuk e njoh vetëm si administratore të një biznesi ”fancy” në Tiranë, por jam e vetëdijshme për dashurinë e saj ndaj artit.

Pak ditë pas shfaqjes së saj, kisha unë një koncert me muzikën e viteve ’90-të. Mua m’u duk se u kënaqën të gjithë, por jo, më ishte dukur gabim. Kishte nga ata që nuk u pëlqente ndriçimi i 2016-s, sepse që të kishte emocion, duhet të ishte ai i ’90-s; instrumentistët ishin shumë të mirë, por ata ishin fëmijët e filanit dhe fistekut që ua ka bërë babai gati të gjitha. Po mbylleni ore gojën, çfarë ju duhet juve se ata kanë më shumë mundësi se ju? Juve ju interesojnë emrat e përveçëm në vend të iniciativës. Mua më ka ardhur turp nga vetja që e kam konsideruar brezin e ri dembel, duke i futur  të tërë në një thes, por unë e bëra timen. Kërkova falje, ndaj mësoni nga gabimet e tjetrit, duke mos i përsëritur ato.

Guxova të hyj sërish në garë këtë vit dhe s’po e mbaja veten nga gëzimi që do bëja diçka tjetër për të nderuar të tjerë emra të njohur të muzikës sonë, por jo, ç’ne. Kur u bëra unë? Unë jam gazetare. Unë duhet vetëm të kritikoj, sepse “shpërblimi” me projekt i Ministrisë së Kulturës do ma mbyllë gojën mua. U bëra unë, një copë gazetare të ëndërroj të rris veten. Nuk ka rëndësi ideja. Ajo mund të jetë shumë e mirë. Puna është që diku do ketë patjetër një lidhje, ndryshe ç’ne që fitoi kjo?

Më vonë apo më herët,  nuk e kujtoj mirë, shkova në promovimin e një libri mbi etiketat e sjelljes që kishte për autore, përkthyese, studiuese, merreni si të doni ju, një tjetër shoqen time të fëmijërisë.

Pashë sa shumë ishim rritur dhe u gëzova për suksesin e saj dhe e shpërndava në faqen time personale, por erdhi shpejt mesazhi privat: “Po kjo kur u bo? Kjo ka pas qen’ e urtë”. Po mbylle gojën, sepse vetëm në gjykimin tënd të jesh i urtë është mangësi. Lexoje se mëson edhe si të flasësh. Ai libër është më shumë për ty sesa për mua.

Hapa një ditë televizorin dhe po dëgjoja rrëfimin e Ermal Mamaqit,  që pavarësisht se është një nga personazhet më të njohura sot në publik, po rrëfente se sa kishte vuajtur, çfarë punësh “të rëndomta” i ishte dashur të bënte. E ndava këtë me disa të njohur që unanimisht thanë: “Po ky pse bën si viktimë? Apo i ka hipur tangërllëku tani?”

Nuk guxoj dot të shpërndaj një foto, një artikull, një nismë, sepse aty ka gjithmonë diçka për të thënë: “Ç’është ky njeri i vogël që çon ujë te protesta e banorëve të Zharrësës dhe do të bëjë si i madh?  Ç’ka ky? Do vëmendje ky?”. Po mbylle, o njeri, gojën! Nëse nuk shkon dot edhe ti të çosh një shishe ujë atje, se të duket “problem i madh” që nuk zgjidhet me “mënyra të vogla”, a ka mundësi t’i lësh njerëzit të veprojnë si duan vetë? Si duan vetë, jo si të tërhiqen prej hundësh! Më mirë mënyra të vogla se sa asnjë mënyrë.

Me pak fjalë, unë po kërkoj forcën e emocionit, ëmbëlsinë e fjalës së mirë, nxitjen për ta motivuar dikë, pa qenë e nevojshme t’i rrahësh domosdoshmërisht shpatullat, po nuk po e shoh asgjëkundi.  Ndoshta këta vërtet janë në minorancë, por jo kushdo i suksesshëm është dashnorja e njërit, djali i tjetrit, sekseri i njërit apo “vegla” e tjetrit.

A e dini pse nuk e shoh? Pse nuk ndiej? Sepse edhe atëherë kur ai është aty, përballë një mijë kërcënimeve që i kanosen nga kjo jetë fasadash që bëjmë ne, ne refuzojmë ta promovojmë.  Nga unë e para! Sa herë flas unë dhe ju për gjimnazistët dhe  studentët ekselentë të këtij vendi, që nuk lënë praktikë vullnetare pa bërë që të rriten vetë, në raport me ata që nuk dalin nga shtëpia për të punuar për treqind mijë lekë, ndërkohë që po t’i kthesh me kokë poshtë, as një monedhë nuk u gjen në xhep? Thuajse zero herë flasim.

Kur keni dëgjuar ju për herë të fundit për një olimpiadë kombëtare? Për një konkurs fjale artistike? Për një konkurs idesh mbi një temë të caktuar?.

Kam parë së fundmi në të dielën e Krastës një iniciativë për nxënësit që recitojnë: “Mirë mo mirë, po si kohën tonë që na mësonin duke recituar me duar e me këmbë”. Gjithmonë ka një “por” dhe në fakt, nuk ka asnjë të keqe se “por”-i sjell zhvillim, përmirësim, por të brohorasim një herë një iniciativë, pastaj të kujdesemi si ta bëjmë më të mirë.

Gjëja më e thjeshtë që mund të ndodhë në këtë vend është ta vendosësh veten në pozitat e tjetrit dhe të shndërrohesh në një Don Kishot të shekullit të 21: “Ta kisha unë këtë restorantin që ka ky, ë? Kaq plot ë? E kisha transferuar në një vend më të madh”.

Po ik o zotëri, bëje ti!

“Ta kisha unë këtë mundësi, unë do e bëja kështu”. Po shko o zotëri, kape mundësinë! Bjeri nga pas, se nuk do të vijë mundësia të të bëjë serenatë poshtë dritares së dhomës së gjumit, duke të të thënë: “Ti je i zgjedhuri”.

U prehshin në paqe, ikjet pa kthim, sepse ikjet pa kthim nuk janë në dorën tonë.

Këto të tjerat janë përgjegjësia jonë. Nuk kushton një fjalë e mirë; nuk kushton falënderimi, as mirënjohja, as dashuria…Askush nuk humbet asgjë prej tyre.

Po i lamë të prehen në paqe do të digjemi në ferr, jo në atë që s’e kemi parë, por në këtë ku po jetojmë.

Nuk ka ferr e llavë që të përvëlon më shumë se xhelozia, inati, smira, hakmarrja!/Blitz.al/

Shperndaje