Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Tony Montana”-t tanë që s’ua bën syri tërr

“Tony Montana”-t tanë që s’ua bën syri tërr
October 24
14:59 2016

Të rinj të përkëdhelur nga jeta, që s’e dinë vërtet ç’do të thotë të jetosh! E gjithë jeta e tyre përshkohet nga luksi, adrenalina që të fal shpejtësia, xhepi i ngrohtë i babit kryebashkiak apo deputet… paratë e pista që dihet se si sigurohen.

Gjithçka për pak adrenalinë! Për t’u ndier Zot në tokë, duke futur të tjerë nën dhe.

Më 25 shtator, Arnold Kola, djali i ish-deputetit Ndue Kola, duke  udhëtuar me fuoristradë “Lexus” aksidentoi tre efektivë policie në Kamëz, një prej të cilëve  nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra. Më 20 tetor, Kevi Bardhi, djali i kryebashkiakut të Kurbinit, Artur Bardhi, aksidentoi katër persona, njëri ndër ta efektiv policie, i cili u transportua drejt Spitalit të Traumës në gjendje të rëndë shëndetësore.

Në korrik të këtij viti, Andrea Memollari, aksidentoi për vdekje në zonën pranë Arkivit të Shtetit në Tiranë 37-vjeçaren Dhurata Prifti, nënë e dy fëmijëve. Dhe vetëm pak ditë më parë, Dashnor Deliallisi, i njohur ndryshe si “Tony Montana”, shkaktoi një aksident tragjik, ku ai dhe tri vajza që udhëtonin në një tjetër mjet humbën jetën.

Çfarë i bashkon të gjithë këta? Padyshim luksi, jeta e shfrenuar, dëshira për të mbizotëruar apo dukur, për të qenë të pakapshëm! Djalë deputeti ose jo, djalë kryebashkiaku ose jo, çun babi ose jo, të gjithë të etur për të qenë alla “Tony Montana”.

Një aksident sot, një tjetër nesër, prit kur të dalë një tjetër çun  kryebashkiaku apo deputeti me armë në dorë, me mjet të “rond”, që “fluturon” rrugëve të Shqipërisë duke marrë ç’i del përpara. E pastaj… pak zhurmë se çudia më e madhe tri ditë zgjat, një grusht me lekë, një llaf mikut në vesh dhe sërish adrenalinë, mbidozë adrenaline, të rinj të mbërthyer nga i njëjti hormon.

Adrenalina prej luksit të shfrenuar përballë adrenalinës për të jetuar jetën e të pafajshmëve që ikin pa kthim. E sa duhet të flijohen për të reaguar këta kokat e mëdha të shtetit tonë? E sa duhet të presim për të parë një nga këta “Tony Montana”-t përfundimisht prapa hekurave?

Xh. A.

/Blitz.al/

Komento