Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ti ma bën diell!

Ti ma bën diell!
April 01
16:47 2017

Nga Desantila Vatnikaj

Sa është ora?

Është saktësisht një orë për t’u dashur, një orë për të thënë të dua, një orë me përqafimin e diellit përballë, me padurimin për të të parë, me dëshirën që kjo orë të zgjasë pafund, është një orë si çdo ditë, kur nuk do të heq dorë nga kafja e mëngjesit me ty në krah, një orë për t’u dashur…

Me ty më ndalon ora! Veç ora! Çdo gjë lëviz, lulet marrin jetë, ëndrrat zgjohen, njerëzit ecin, lugët kërcasin filxhanit të kafes, veç unë e ti jemi të veshur me minutën e ngecur të zemrës.  Akrepat puthen… sa zemra heshtin bashkë me të… sa germa mbeten jetime, sa pak duhen fjalët në atë puthje!

Çfarë më pëlqen te ti është se si flet kur je i lumtur, se si të qeshin sytë, në atë çast asgjë tjetër e gjallë nuk ka jetë, sa bukur vdes rrethimi yt e ti je gjithë jeta aty. Më hipnotizon gjithë frikërat e mendimet që më mbajnë larg teje, m’i shuan pak nga pak edhe retë mbi krye që vijnë paftuar, ti ma bën diell!

Është ora për t’u dashur, për të lënë në ajër shijen e ëmbël të asaj që ne e quajmë tonën, orën e ngecur! Jemi mbërthyer në rrotullimin e ndalur të minutave, në përqafim jemi dy, si dymbëdhjeta e kambanave që zhurmojnë tri herë. Si çdo ditë në të njëjtën orë do të jem e pavdekshme, gjithçka që arrij të perceptoj në vendin përreth më ndalet sysh… kur sytë e përqafimi bëhen një, më ndalon koha!

Një flutur rozë bën ecejake mbi mua, më ulet mbi dorë, nisem t’i them se është çapkëne, por ajo lëviz e më qëndron mbi hundë. Si arriti të dalë prej stomaku, krahë-pranvera e vogël, m’i dha ajrit aromën e sythave të vogla të sapoçelura të jaseminëve.

Akrepat puthen… sa zemra heshtin bashkë me të… sa germa mbeten jetime, sa pak duhen fjalët në atë puthje!

Sa është ora zemër?

Është e njëjta orë si dje, ku minuta e zemrës ngeci, ku akrepat u puthën, është ora e fluturave, jaseminëve, kur t’i ma bën jetën diell, është ora për t’u dashur…

Shperndaje