Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

“Thjesht Aurela Gaçes…” – nga Kozeta Kurti

“Thjesht Aurela Gaçes…” – nga Kozeta Kurti
August 19
16:50 2018

Nga Kozeta Kurti

Të ndoqa mbrëmë në Durrësin tim e po të shkruaj sot nga Vlora jote…
Plot herë të kam parë, por ndoshta Durrësi, qyteti im i lindjes me gjithë emocionet, kujtimet ma “mblodhi” për t’u ulur e të t’i shkruaj ty këto rradhë.
Edhe kësaj rradhe harrova të argëtohem, harrova të këndoj me ty, të kërcej me ty, sepse ti të mpin, ti të lë me gojë hapur, ti ta “ngec” frymën në fyt, e unë nuk di kur fillon Aurela që këndon, kur fillon ajo që reciton, apo ajo që kërcen…
Por nuk harrova të shihem sy më sy me të afërmit e mi, vështrimi i të cilëve shprehte habi, si edhe unë: çfarë është kjo grua? Me çfarë punon? Ku e gjen gjithë këtë energji? A lodhet ndonjëherë?
Ja dole sërish të ma mbyllësh gojën!
Ja dole të dukesh më e bukur me trupin e mbuluar nga djersa, pikat e së cilës të ndriçojnë më fort e më bukur se xixat kozmetike që ti i ke shumë qejf!
Sa shumë respekt kam për këtë djersë, sa shumë respekt për gjithë angazhimin për të mos ofruar thjesht një live lokali, ku njerëzit paguajnë fatura pijesh për t’u argëtuar, por gjithçka aq të detajuar. Mos kujto se nuk i vura re detajet: qe prej skenës së ngritur enkas, e deri tek ajo shenja e vendosur në mes të saj: “center”, qendra e qëndrimit të artistit.
Ja dole (dhe ja del gjithmonë) të mos më bezdisje, ndërsa flisje.
Që të jem e sinqertë, unë nuk i kam qejf këngëtarët që flasin; sa më pak, aq më mirë, sepse përballë muzikës, fjalët janë të varfra, por ti s’të lë kohë për t’u mërzitur, pasi gjen gjithmonë një mënyrë për të mos u shndërruar në rutinën, ku secili prej nesh e di se çfarë do presë prej teje! Jo, nuk të lë ti! Je kaq e paparashikuar në adrenalinën që ta reflekton si pasqyrë përballë vetes edhe banda që të shoqëron. Është kaq bukur të shohësh në skenë instrumentistë të gjallë që argëtohen me punën e tyre….
Ja dole (dhe ja del gjithmonë) që shumë prej këngëve të repertorit, t’i dua veç prej mënyrës se si ti i sjell në skenë.
Muzika është shije personale dhe s’është e thënë që të gjithëve t’u pëlqejnë të gjitha, kurse ti po…
Ti po, sepse ty nuk të shqetësojnë flokët e shpupurisur, as grimi që ka mbetur tek ai peshqiri në cep te skenës, as rrobat e djersitura të ngjitura për trup…
ty të shqetëson a po qesh a po qaj me ty… dhe ti ja del gjithmonë të na i japësh te dyja.

/Blitz.al/

Share