Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Thesari majë malit të Gramozit

Thesari majë malit të Gramozit
June 06
10:15 2017

Nga Marin Mema

 

A e njohim ne sa duhet vendin tonë? Mundësitë e tij? A i shfrytëzojmë resurset e pafundme që na janë dhënë? Shqipëria ka shumë të tilla, një pjesë e të cilave nuk janë promovuar kurrë mjaftueshëm. Mes tyre është edhe mali i Gramozit, në krye të të cilit gjendet edhe një liqen i mahnitshëm.

Udhëtimi për në Gramoz mund të bëhet nga mjaft fshatra të zonës, por jo gjithkund është e lehtë. Ne zgjedhim një shteg disi më të shkurtër, përmes fshatit Skorovod, rreth 12 kilometra nga Erseka. Deri në një pikë rruga përshkohet me makina të larta, në një version të mirëfilltë për gara rally.

Ky mal është konsideruar gjithmonë si pjesë e pandarë e historisë së krahinës. Prej këtu kanë fillesën lumenjtë e rëndësishëm të Devollit dhe Osumit. Fshatra të shumtë e të mahnitshëm, përfshirë edhe zonën e Nikolicës e më tej, ngrihen rreth tij. Jo thjesht ata të rrëzës, por e gjithë pllaja e Kolonjës ofron veçantinë e saj, tejmbushur me histori, traditë e kulturë të mbartur me breza. Pa harruar pyjet e Gërmenj – Shelegurit, që derdhen si një oaz qetësie e paqeje. Nga sipër është më e lehtë të dallosh gjithçka.

Lartësia imponuese ndan Shqipërinë nga Greqia, por edhe Kolonjën nga një pjesë e mirë e fshatrave të dikurshëm të saj. Nga këtu rrjedh edhe freskia që dominon krahinën thuajse në 365 ditë të vitit, por jo vetëm kaq, sepse Gramozi është një pasuri e pashtershme .

Jo më kot krahina ofron prodhime blegtorale të një cilësie të lartë, ashtu si mjalti produkt i një bimësie të pasur e të tejmbushur me bimë mjekësore në të gjithë krahinën e Kolonjës. Gramozi, pjesë e vargmaleve të Pindit, ofron një strukturë tektonike mjaft interesante. Në lartësitë e mëdha ka forma të shumta të relievit akullnajor. Pjesa veriore e qendrore janë të pasura me kullota alpine, ndërsa ajo jugore me pyje të dendur ahu e halorësh.

Piramidat duken si ushtarë të vetmuar, zyrtarisht ato ndajnë territorin e dy vendeve, por nuk mundet të ndajnë historinë. Më tej gjenden Plikati dhe gjurmët e tij. Shqiptarët jo ortodoksë u detyruan të largohen nga këtu në masë pas vitit 1913, si pasojë e sulmeve të njëpasnjëshme të andartëve grekë.  Ata kaluan në Shqipëri, ndërsa të tjerë iu bashkuan të larguarve të mëparshëm që kishin themeluar fshatrat Negovan, Bellkamen e mjaft të tjerë përreth Follorinës. Më tej është fshati Gramoz e mjaft qendra të tjera, të cilat janë nën varësinë e bashkisë Konicë, vendit ku në 1875-n lindi Faik Konica. Zona është e njohur për komunitetin e vllehëve, kontributi i të cilëve jo pak herë është lënë të zbehet e në harresë të plotë, ashtu si gjithçka që lidhet edhe me ta.

Kurrizi i malit herë hapet në lugina të mëdha , herë ngushtohet aq shumë sa duket sikur lartësitë do të përpijnë. Ky është vendi ideal për ata që kërkojnë aventurën, ecjet e gjata, eksplorimin, e gjithçka tjetër që këtu natyra e ofron në formë të pakursyer. Gramozi për nga lartësia është i treti në Shqipëri dhe ka një gjatësi që shkon nga 25 deri në 30 kilometra. Studimet për të duket sikur nuk janë kurrë të mjaftueshme ose e thënë më qartë ato nuk e kanë prekur kurrë sa ç’duhet Gramozin dhe historinë e tij…

Liqeni i Gramozit, objektivi i udhëtimit tonë që zgjati diçka mbi tri orë, shfaqet rrethuar mes majash që të japin përshtypjen e një kalaje natyrore. Ai ka një bukuri të rrallë si në dimër ashtu edhe në pranverë e verë.

Liqeni ka një hapësirë prej 0,4 hektarësh. Ndryshimet e nivelit përgjatë vitit janë të vogla, pra nuk është një liqen i përkohshëm. Ai është këtu edhe në muajt më të thatë të vitit.

Se kush mund të vendosë ose jo të ndërmarrë këtë udhëtim. Sigurisht duhen investime, reklamim, mbështetje, por ajo çka është më e rëndësishme ka të bëjë me faktin se Shqipëria ka edhe vende të tilla të mrekullueshme që kanë edhe më vlerë sesa destinacionet aq shumë të reklamuara në vendet fqinje. Shqipëria ka vërtet gjithçka duhet, thjesht ta kuptojmë e vlerësojmë. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje