Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Thesaret e mbyllura shqiptare- nga marin Mema

July 05
20:17 2018
A e keni pyetur ndonjëherë veten se ku shkojnë objektet arkeologjike që zbulohen në sitet e ndryshme në Shqipëri? E pra, ato nuk janë të dukshme për publikun e gjerë përkundrazi përfundojnë në një vend pak të njohur ku ndodhen qindra e mijëra të tilla. Në fondin e Institutit të Arkeologjisë apo thesarin që mbahet i mbyllur në bodrumet e tij nuk mundet të hyjë gjithkush sepse për të vizituar këtë vend duhet një leje e posaçme.

Prej dekadash në mungesë të një muzeu Arkeologjik Kombëtar objektet vendosen në bodrumet e Institutit, ku sot fle një pasuri e jashtëzakonshme e nëntokës shqiptare. Ato vijnë nga gjithkund, nga çdo zonë, secila me historinë e saj, e me një vlerë që është e vështirë të përshkruhet me fjalë…

Arkat duken pafund, ashtu siç vendet nga vijnë, prej sitesh arkeologjike të njohura siç janë Apollonia, Bylisi e Antigonea, apo nga Durrësi, Shkodra e zona e Korçës, por ka shumë nga pjesë të tjera më të vogla, fshatra e krahina të thella. Vetëm në këto bodrume janë mëse 22 mijë objekte të gatshme për t’u ekspozuar dhe shumë të tjera që pas restaurimit do t’u bashkangjiten. Në të gjithë Shqipërinë janë mëse 120 mijë, prej tyre 35 mijë mund të vendosen që sot në muzeun e ri që do të ndërtohej.

Përkrenare ilire, stela, altarë apo relievë të ndryshëm, kapitele, pituse, fragmente arkitektonike, e deri statuja të plota, e objekte të përdorimit të përditshëm qëndrojnë këtu si dëshmitarë të kohëve të hershme, që nisin që 8 mijë vjet më parë, e ndoshta shumë e shumë më thellë. 50 janë thesaret e mirëfillta me monedha që përbëjnë pasurinë e arkeologjisë shqiptare, të cilat ruhen në kasafortat e këtij institucioni. Çdo objekt ka historinë e tij, që lidhet padyshim jo thjesht me anën shkencore, por edhe ate njerëzore…

Mund të gjesh në këto bodrume objekte që i ka përshkruar Karl Pach apo Prashniker para ose gjatë luftës së parë botërore, objekte të zbuluara nga Ugolini, nga Leon Rey nëpërmjet dy luftrave, objekte të zbuluara nga Hasan Ceka, nga Selim Islami, Skënder Anamali, Frano Prendi, Aleksandra Mano, Dhimosten Budina, për të mos përmëndur Bep Jubanin e shumë arkeologë të tjerë që shpirtin ja dhanë zbulimit të rrënjëve tona.

Pak është përmendur fakti se muzeu i parë arkeologjik në Shqipëri është hapur në vitin 1936, me shtytjen e fortë të arkeologut francez Leon Rey. Jo pa qëllim ai u vendos në selinë e qeverisë së parë, atje ku ishte shpallur edhe pavarësia në vitin 1912, në qytetin e Vlorës. Financimi i përkiste autoriteteve shqiptare të kohës, ndërsa realizimi u bë me mbështetjen e Kryetarit të Bashkisë, të madhit Ali Asllani. Objektet i përkisnin zonave të ndryshme të cilat arkeologu francez i kishte mbledhur me kujdes dhe pa lejuar trafikimin e tyre, siç kishte ndodhur më parë me arkeologë të tjerë të huaj. Per fat të keq ky muze jetoi deri në vitin 1939, kur bombardimet Italiane e shkatërruan. Objektet e Leon Rey edhe sot janë të shpërndara pa patur fatin të qëndrojnë në një muze të vetëm.

Pas gërmimeve të luftës së dytë botërore në vitin 1948 u themelua muzeu i parë arkeologjiko – etnografik shqiptar i cili vazhdoi si i tillë deri diku në mes vitet ‘70, kur të dyja pjesët u profilizuan në mënyrë të veçantë. Në periudha të ndryshme u ngritën muzeumet në Durrës, Apolloni e Butrint. Ndërsa në Tiranë muzeu modest arkeologjik që prej vitit 1982 , nuk njohu më asnjë investim. Shumë premtime u bënë edhe në atë kohë për të ngritur një të tillë kombëtar, por kjo nuk u realizua, e aq më pak u mendua për të pas viteve ‘90. Pra sot Shqipëria pavarësisht kërkesave të shumta të institutit nuk ka një Muze Kombëtar Arkeologjik edhe pse këto objekte, me mijëra të tilla që qëndrojnë në këto bodrume, do të mjaftonin për të ngritur disa të tillë.

Është e kotë që problemin ta kërkojmë tjetërkund, të klithim apo të mërzitemi kur në fakt e kemi këtu në shtëpinë tonë. Ne jemi të aftë të ngremë pallate, kulla e kulla pafund, por jo një muze të denjë arkeologjik i cili do të pasqyronte këto vlera të jashtëzakonshme.

Komento
Shperndaje