Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Tërbohet rrjeti me tatuazhin e Albanës. E harruat kaq shpejt “Lulediellin”?

Tërbohet rrjeti me tatuazhin e Albanës. E harruat kaq shpejt “Lulediellin”?
July 22
15:54 2017
Nga EDONA HAKLAJ
 Çuditërisht dhe fatkeqësisht jemi një popull që harrojmë lehtë. Harrojmë lehtë të mirat apo të këqijat, pavarësisht se bëjmë sikur jo, shtiremi sikur jemi ata që gdhendim në kujtesë çdo gjë. Në fakt jo! Si popull më duket se kemi lindur me gjen mbizotërues të kujtesës afatshkurtër. Mund të thoni përse?

Ja, tani po jua shpjegoj.

Një ngjarje e ndodhur këto ditët e fundit më ka bërë të dal në këtë përfundim.

Të gjithë jemi njohur tashmë me fushatën dhe iniciativën e moderatores Albana Osmani (nën moton “”TIJENJËLULEDIELLI”) për ndihmën e fëmijëve talasemikë në QSUT dhe plotësimin e repartit me të gjitha mjetet e munguara, por aq të domosdoshme. Një iniciativë e cila jo vetëm gjeti mbështetje, por u kthye, nëse mund ta themi, në një “modë” që buronte nga shpirti. Të gjithë donim të kishim një bluzë me luledielli ose të sajonim diçka, një lojë, një ëmbëlsirë, një ushqim, por që aty të ishte domosdoshmërisht e pranishme lulja e diellit”.

Dhe kjo nismë nuk mori jetë vetëm në Shqipëri, por në mbarë trojet shqipfolëse, madje edhe më larg tutje, përtej kontinenteve, ku të huajt ishin ata që donin të porositnin një bluzë të tillë. Dhe padyshim që kjo gjë na bëri të gjithëve të ndiheshim krenarë, aq më shumë kur e dinim që kjo nismë ishte për një qëllim kaq të mirë, kaq bamirës. Por besoj se asnjëri prej nesh nuk mund t’i mohojë peripecitë me të cilat është përballur “koka” e kësaj nisme, Albana.

Ajo e nisi e vetme këtë rrugëtim dhe me skuadrën e saj arriti ta finalizonte me sukses. Pavarësisht çdo pengese, pavarësisht kohës apo vendit, ajo trokiti në çdo cep ku njerëzit kishin porositur bluzat për t’i falënderuar ata, për t’u treguar të gjithëve sa mirënjohëse ishte që po e mbështesnin në këtë kauzë.

Për të nuk kishte gjumë, nuk kishte orar ushqimi, nuk kishte flokë te krehura, siç thotë ajo, por kishte shumë më shumë, kishte forcën e lules së diellit, aty merrte jetën, gjumin, shpresën. Por jo vetëm kaq, sepse siç ka thënë ajo, gjithë kjo nismë së shpejti do të marrë një “emër tjetër”, një dimension tjetër. Dhe për të gjithë ne lulja e diellit ishte më shumë se një lule, ishte ngrohtësia dhe besimi. Të gjithë filluam ta shohim këtë lule ndryshe nga ç’e kishim parë.  Tashmë lulja e diellit është lulja e jetës!

Por ja, kthehemi në ngjarjen e vonshme. Nuk ka pak ditë që moderatorja Albana Osmani ka nisur pushimet dhe nëpërmjet postimeve të saj në Instagram ajo e ka bërë të ditur edhe një herë se sa e lidhur është me lulen e diellit, duke na treguar që edhe për pushime kishte vendosur që bikinit t’i ketë të dizenjuara posaçërisht për të, me lulen e diellit në zemër. Në ngjyra të ndryshme, por që mbartin mesazhin e njëjtë. Dhe kështu, në një foto të hedhur dy ditë më parë, moderatorja shfaqet me bikinin e saj të lulediellit në Maltë, ku duket padyshim në një formë mjaft të mirë dhe siç thotë një shkrim “Flakë fare për kauzën”. Dhe me të vërtetë, ishte diçka e bukur dhe e veçantë.

Por, për të dalë aty ku thashë në fillim, që jemi një popull me kujtesë afatshkurtër, duhet ta pranojmë që mediat e shumta e harruan kauzën për të cilën ishte dizenjuar veshja dhe filluan të merreshin me një çështje tjetër, mjaft “problematike” eee.

Cilën? – do thoni ju. Tatuazhin e Albanës, i cili ishte shfaqur vetëm pak në foto. Epo, ky po që është lajm, apo jo?

Albana paska dashur të na tregojë tatuazhin dhe jo veshjen, pse nuk thoni ju? Lajm, goxha lajm, u tërbua rrjeti!

Po prit njëherë… Po këtë tatuazhin mos e kishte që në 2013-n ore vajza? Më kanë bërë sytë mua apo e kishte publikuar njëherë në 2013-n dhe ishte bërë lajm, apo jo?

Po ore po, i njëjti qenka! Po harrojmë neve të shkretët, s’kemi faj. Ose duhet të përsërisim lajme se për t’i shitur kemi, tek e fundit.

Po mirë mo mirë, se nuk ndodhi gjë kushedi se na tregoi tatuazhin në cep të barkut se tatuazhe po shohim plot përditë, pastaj këtë e kishim parë që vite me parë, nuk ishte ndonjë gjë e re.

Por çfarë më habit mua është se si nuk u mor kush me veshjen mor aman? Si nuk doli dikush të thoshte: “Ja, edhe në pushime Albana nuk harron nismën”. Po si nuk tha dikush: “Kjo nismë është kaq e veçantë dhe lulja e diellit duhet të kthehet në simbol mode, pasi edhe Albana po shkëlqen me të veshur”!

Hë, çfarë u bë? I harruat këto? Apo duhej të merreshit me një çështje që s’ka fare logjikë? Në vend që të fliste dikush për punën e palodhur dhe për iniciativën që as shteti nuk e mori, duhej të flisnit për tatuazhin?

Ja pra, kot nuk them unë që jemi popull me kujtesë afatshkurtër.

Harrojmë që tatuazhi është bërë në 2013-n, harrojmë që ka bërë mjaft bujë edhe në 2014-n dhe ç’është më kryesorja harrojmë një ngjarje të ndodhur disa javë më parë në të cilën u përfshimë të gjithë dhe për të cilën ishte dhe qëllimi i fotos së moderatores.

Tani më thoni, jam gabim unë?

Apo vërtet qenkemi kështu?

/Blitz.al/
Komento
Shperndaje