Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Televizioni shqiptar është kthyer në një bajgë…

Televizioni shqiptar është kthyer në një bajgë…
October 02
18:27 2018

Nga Kejvin Kalo

Fillimisht duhet të them se mendimet dhe çdo gjë e shkruar këtu është qëndrim personal dhe komplet subjektiv. Gjithashtu duhet të bëj të qartë që në këtë shkrim nuk përfshij televizionin e bërë nga emisionet që trajtojnë çeshtjet politike apo sociale sepse mirë a keq, në fund të 90 minutave ato arrijnë të kryejnë misionin e tyre, diskutimin për një çeshtje të masës. A janë këto diskutimet në nivel apo analizat të bëra qartë, kjo është çeshtje tjetër pasi vend për kritika ka sa të duash.

Ndërkohë dalim në temë me televizionin e bërë për zbavitje, humor apo argëtimin e popullit. Pse i kam dhënë unë epitetin “bajgë” këtyre lloje formatesh? Pse mos ja jap do ishte pyetja sepse arsyet janë pafund. Si fillim mund ta nisim me atë që na percjellin këto formate, me materialin që na ushqejnë trurin. Justifikimi që ne bëjmë atë që kërkon populli apo përshtatemi me audiencën nuk qëndron më dhe është abuzuar shumë me të. Madje për mua kjo është fyerje për sensin e humorit të shqiptarëve apo për atë që atyre i intereson. Të kesh resurset dhe mundësitë për të punësuar skenaristë dhe të paraqitesh në prime time me batuta që përmbajnë akoma fjalët m*t apo b*thë është për të ardhur keq. Edhe më besoni unë nuk jam kundra humorit të pisët, madje më duket humor inteligjent.  Pastaj është çeshtja e kopjimit apo shkëmbimit të formateve. Ose njerëz të ndryshem kanë ide të njejta suksesi ose këta njerëz të suksesshëm nuk kanë ide fare dhe përdorin të njejtin “frymëzim” por ndryshojnë pak skenografinë. Problemi është që bien në sy sepse edhe logot përtojnë ti punojnë. Ose një moderator ka vetëbesimin që mund të bëjë dhe stand up para publikut në sallë dhe intervista para publikut nga shtëpia, ose kanë besimin në vetvete se mund të bëjnë skeçe të zgjuara plot humor. Le të themi që vetëm një prej gjerave ja dalin ta realizojnë si duhet ose dështojnë në mënyrë spektakolare tek të gjitha.

Kanë dhe guximin që të quajnë veten autorë të emisioneve kur ndërkohë ideja dhe realizimi janë të gjitha të huazuara nga shfaqje të huaja. Tashi që e mendoj prandaj moderatorët dhe humori  tyre i zgjuar ngjajnë kaq keq para nesh, sepse formatet e huaja nuk shkojnë me personazhet shqiptare. Sepse këta të fundit duan pyetjet para intervistave dhe kanë një listë të zezë pyetjesh që nuk mund ti bësh. Gjithashtu nuk shkojnë me humorin gropë dhe skenaret e 84 që as prindërit tanë nuk i bënin për të qeshur. Do thoni ju po aq personazhe ka në Shqipëri, tek ata do rrotullohesh. Epo një zgjidhje ka, fundja prandaj unë shkruaj dhe këta tipat merren me televizion, sepse duhet të jenë ekspertë të fushës. Të krijojnë pesonazhe nëse ky është problemi, siç ka kohë që bën një nga moderatorët më të vjetër të spektaklit të së premtes mbrëma. Pëlqehet ose jo nuk e di por të paktën na servir diçka ndryshe çdo puntatë. Mund dhe ti ftosh të njejtat personazhe por mos e pyet për të njejtat gjëra, sepse jemi lodhur duke e degjuar se çfarë kritersh duhet të plotësojë burri i ardhshëm i filan këngëtarje apo atë historinë e filan këngëtari me atë drekën që ka ngrënë para 5 vjetësh në një restorant në Vlorë. Edhe ata që nuk ndjekin fare televizion kur shohin kush ftohet nëpër emisione thonë “Prap këta?”.

Është dhe problem që nuk keni as kufij. Si mundet që në nje format familjar humori , pjesën më të madhe të dialogut ta zejë humori seksist, që për më tepër është dhe super shterpë e nuk e përçon asnjë mesazh. Madje krijoni dhe sterotipe të panevojshme mashkujsh dhe femrash, steriopitet të cilat shoqëria jonë po i lufton fort vitet e fundit.  Po meqë vdisni të kopjoni lojërat dhe skeçet e Jimmy Fallon dhe Ellen pse nuk “merrni me qera” dhe pjesën kur flasin me të ftuarit e tyre pa doreza, pse nuk i detyroni personazhet tuaja të flasin për atë që i bën të thjeshtë, për periudhat e vështira të jetës, të trajtoni tema reale e të prekshme bashke me ta. Bëni dhe humor patjeter, fundja talluni me ne që ju ndjekim por bëjeni bukur. Jimmy Kimmel, një nga më të kopjuarit në vendin tonë, në emisionin e tij që supozohet të jetë argëtues ka një javë që në një pjesë të tij trajton temën e abuzimeve dhe përdhunimeve tek femrat, tema që po diskutohet më shumë në të gjithë botën dhe është super aktuale dhe tek ne. Meqë doni të dukeni natyralë e të beheni njësh me publikun thuajeni dhe ju një llaf për hallet e njerëzve dhe të realitetit në minutazhin e pafundëm që ja kushtoni reklamave. Përveçse jeni shumë të parashikueshëm në ato që do flisni, të lodhur në batuta dhe me të qeshurat fallco që jua bëjnë emisionin të duket patetik, nuk jepni asnjë mesazh pozitiv.

Problemi i fundit është të mos shkoni përtej kapaciteteve dhe mos të ndërthurni disa lloje formatesh  në një emision. Nëse jeni për të kërcyer kërceni dhe na e kurseni moralin idiot për jetën e bukur. Nëse jeni të mirë për të intervistuar njerëzit në timon, jepini makinës, bëjini ato pyetje dhe lëreni pjesën tjetër se do ju heqin patentën. Nëse nuk dini të intervistoni mos e bëni, nuk është turp dhe nëse ideja për spektaklin tuaj është e vjetër ndaloni, jepini fund dhimbjes dhe uljes së IQ që na bëni të përjetojmë. Nuk ka më personazhe të paarritshëm dhe glamour, të gjithë po shkojnë drejt të thjeshtës, shërbejni publikut humor inteligjent, ironi, fundja dhe humor të zi nëse doni, më mirë të ndihemi të ofenduar se sa të na shtyni drejt një vdekje të ngadaltë të intelektualitetit. Ndoshta epiteit bajgë tani që e mendoj ështe pak i rëndë, por jo, nuk është fare i rëndë, kur ju mendoni se të bërit të publikut budalla dhe përgjithësimit si të trashë ju bën me lekë dhe cool, atëherë televizioni që bëni është një bajgë, por ne edhe pak edhe s’do jemi më shikues të stallës tuaj. /Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje