Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Teatri ra, bashkë me të ramë dhe ne…

Teatri ra, bashkë me të ramë dhe ne…
September 19
18:58 2018

Me siguri e keni dëgjuar e stërdëgjuar çështjen e Teatrit ditët, javët, muajt e fundit. Me siguri shumica prej jush pasi kanë lexuar ndonjë gjë për të, kanë vazhduar me hallet e tyre . Të tjerët që i kanë kushtuar një farë kohe dhe kanë dashur të kuptojnë ç’a po bëhet, prapë nuk kanë kuptuar gjë. Shumë veprime janë ndërmarrë(e kam fjalën për miratimin e dektretimet e ligjit për teatrin), më shumë janë thënë që nga koha kur u shpall qëllimi i qeverisë për të rrafshuar godinën ekzistenciale por tani siç po duket, kësaj çeshtje i ka ardhur fundi. Ndërtesa e teatrit sipas gjasave do shëmbet, por më shumë se shëmbja e mureve dhe tullave kjo ngjarje simbolizon rënien e teatrit si institucion. E aq më tepër kjo përkthehet në rënien tonë si shoqëri.

Që qeveria së bashku mund ta transformojnë e ta interpretojnë ligjin si të duan kjo nuk është gjë e re. Fundja ne me votën tonë i kemi dhënë fuqinë që të bëjnë ç’të duan. Për një moment u duk sikur nga fjalët dhe qëndrimet e shoqërisë civile (asaj që ka ngelur nga ajo), presidentit, dhe së fundmi Këshillit Europian, “shkatërruesit” e teatrit u zbythën pak. Por sigurisht, as këto nuk mjaftuan, sepse fundja politika është një lojë interpretimesh. E qeveria e interpretoi shqetësimin e Brukselit si nevojën për të pasur një konkurencë të ndershme për ndërtuesit e teatrit të ardhshëm, por fakti që do të prishet nuk vihet në diskutim.

E tani që fundi i teatrit është thuajse i vendosur, dhe që ligji e problemet teknike do të rregullohen si me magji nga kryetareministri yne i Rilindjes le të kalojmë pak te çeshtja që duhet ta shqetësojë më shumë. E përmenda shkurt pak më lart, tani sapo ka filluar rënia e artit në përgjithësi dhe e teatrit në veçanti e i është dhënë shtyrja e fundit shoqërisë tonë drejt greminës. Pse? Sepse stafi dhe mëndja gjeniale e udhëheqsve tanë arriti që në të njejtën kohë në të cilën po realizon planet e saj korruptive, të kthejë dhe aktorët e teatrit kundra njeri tjetrit, të bëjë pjestarët e shoqërise civile të na duken keq, të shfrytëzojë figurat e kombit tonë për shitje imazhi, e të na lodhë aq shumë me këtë çeshtje sa ti lëmë të bëjnë ç’të duan. Duke qenë pasivë ne sapo kemi hedhur poshtë fjalët dhe analizat e Aurel Plasarit, i cili shkruan se heqja e nervit historik(që në këtë rast është teatri) si pikën kyçe që e kthen një shoqëri në barbare. Nuk është e çuditshme që profesor Edmond Tupe dhe Fatos Lubonja arrijnë deri aty sa të thonë që të rinjtë duhet të marrin masa ekstreme, madje e të arrestohen për kauzën e mbrojtjes së godinës së teatrit. Nëse kjo do ishte thjeshtë një çeshjte muresh, mendoni se do e bëni këtë thirrje? Më tej, qeveria ja ka dalë që me propagandën e saj dhe me ndihmën e mosinteresimit tonë ti bëjë përpjekjet e sociologut Ergys Mërtiri dhe grupit e aktorëve për teatrin të pavlefshme. Doja të ndalesha pak dhe këtu. Njejtë si Mërtiri në shkrimin e tij të fundit shkruan, tani që Këshilli Europian konfirmoi se proçedura e tenderimit fillestar që gati sa nuk u aprovua ishte e paligjshme, ku janë ata që e mbështetën që në fillim. Aktorë e gazetarë të cilët venë përfitimet e pikpamjet politike para mbrojtjes së kulturës e shoqërisë tonë duhet të kërkojnë falje që besuan verbërisht në propozimin e qeverise. Kjo pra është ajo që bëri qeveria duke i blerë e mbyllur gojën atyre, denigroi shoqërinë tonë dhe e la pa zë.

Në fund, më e rënda ishte loja e pisët që u bë me figurat e kombit tonë, Robert Ndrenika dhe Reshat Arbana. Për respektin që kam për ta dua ti akuzoj për naivitet dhe jo për përfitim apo diçka tjetër. Të dy kundër prishjes së teatrit pas një farë kohe u kthyen në mbështetje të tij. Sepse mesa duket këta sipër nesh, me një skenar të denjë për “Hunger Games”, arrijnë të gjejnë për çfarë ke nevojë, shfrytëzojnë gjendjen tënde  dhe marrin atë që duan. E ne për sa kohë nuk kemi një “Mockingjay” duhet të shohim sesi gjithçka rrotull nesh rrëzohet, bie, çdo përpjekje minimale jo për të ngritur krye, po për të ushtruar të drejtën tonë, atë të dhënies së mendimit mbytet.

Kjo pra është çeshtja e Teatrit që në fakt nuk është fare çeshtja e teatrit. Ajo që filloi si një plan ndërtimi, u kthye një rast abuzimi ligjesh. E me një opozitë të paaftë dhe pa mbështjetje, u kthye në rastin e rënies së moralit dhe asaj që kishte ngelur e drejtë në shoqërinë tonë. Ta gëzoni tani teatrin e ri, se fundja siç thonë dhe këta që e mbështesin, edhe “Wembley” u prish. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje