Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Të urrehesh për atë që je apo të duhesh për atë që s’je…

Të urrehesh për atë që je apo të duhesh për atë që s’je…
January 25
18:19 2018

Nga Kozeta Kurti

 

Nuk dua të duhem për atë që s’jam. Nuk dua të duhem për njeriun që flet dhe bën analiza pse një djalë vrau në mes të ditës, para syve të dhjetëra kalimtarëve një vajzë të re.

Dua të urrehem për atë që jam: qënien pa dëshirë, pa mundësi, pa forcë, të fjetur, qullace, për t’u bërë e para ndryshimi që dëshiron.

Nuk dua të duhem për njeriun që flet në televizion a kudo për ngacmimet seksuale në punë e gjetkë, por dua të urrehem për faktin  që në vite kam patur dhjetëra studentë dhe nuk ndërmora asnjëherë një iniciativë sëbashku me ta, sikur edhe në një shkollë të vetme të mesme, për të treguar qoftë edhe eksperiencën personale se gjërat që të frymëzojnë e të bëjnë të lumtur, nuk janë ato që blihen me lekë.

Nuk dua të duhem për njeriun e dashur që s’lë qokë tapeti të kuq pa shkel’, për çelje dyqanesh sufllaqesh, synetllëqe etj, por dua të urrehem për faktin që s’kam fuqi t’u them sa më shumë njerëzve, në sa më pak kohë, që ky është një realitet fallco, një gënjeshtër e madhe dhe se ky vend nuk janë njerëzit që veshin fustane me xixa për promovime librash, por nuk kanë lexuar një rresht gazete në jetën e tyre.

Nuk dua të duhem për buzëqeshjen e shtirur majtas e djathtas, vetëm për të ruajtur interesa të vockla, mikroskopike, por të urrehem për të vërtetat e thëna troç, ç’rëndësi ka se sa shumë njerëzve mund të mos u pëlqejnë aspak.

Nuk dua të duhem për uljen e kokës, nënshtrimin, pritjen e shtypjes me krahë hapur, se gjoja kjo të jep idenë e njeriut modest. Dua të urrehem për vetëbesimin, vetëvlerësimin, krenarinë, dinjitetin që jo domosdoshmërisht janë megalomania dhe e vetëndjera, sikundër shpesh përshkruhen.

Nuk dua të duhem për bashkëshorten e devotshme që fal çdo arratisje të të shoqit, sepse “burri burrë është”, por dua të urrehem për lirinë që i jap atij me gjithë mirëkuptimin e botës, pa u lodhur aspak për të gjetur fajin e fajtorët, pa drama, pa mllef, por me pranim të realitetit, pak rëndësi ka në më pëlqen a jo.

Nuk dua të duhem për nënën e devotshme që grihet me gjysmën e lagjes për zënkat e kalamjve, por dua të urrehem për kthimin e shpinës ndaj konfliktit që veç konfikt pjell; s’ka gjë se kjo mund të përkthehet shpesh në paaftësi e pazotësi, frikë a inferioritet.

Nuk dua të duhem për kafshën e punës që i bën të gjitha, por dua të urrehem pse shoh veç punën time, s’ka problem se kjo ndonjëherë përkthehet si egoizëm,  mungesë tolerance apo kujdesi ndaj të tjerëve.

Nuk dua të duhem për atë që s’jam, sepse ajo nuk jam unë, por përpjekja për t’u dukur shpesh herë si ai a ajo, jetën e të cilit aspiroj.

Dua të urrehem për atë që jam, sepse ajo jam unë, me të mirat dhe të këqijat e mia e nëse unë s’kam kurajo të pranoj atë që jam, kurrë nuk mund ta pres nga askush.

Ç’mendime të zymta midis dashurisë e urrejtjes, kur mund të zgjidhja  të duhem për atë që jam e të të doja për atë që je, por kjo është dashuria e thellë, jo ajo e sipërfaqes, me të cilën shpesh njerëzit zgjedhin të prezantohen tek të tjerët.

Po ku ta gjej unë këtë? Ku ta gjejë mësuesin  që e do veten, pa urryer pagën? Ku ta gjej vajzën e bukur, plot talent që e do veten, por urren faktin që nuk mundet të prostituohet dot? Ku ta gjej atë djalin që do të ndërtojë familje, por urren faktin që s’ka kurajo të marrë këtë përgjegjësi? Ç’kufi midis dashurisë e urrejtjes…. por e gatshme, deri në sakrificë për të qenë UNË! /Blitz.al/

Komento
Shperndaje