Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Të tallesh me historinë

Të tallesh me historinë
March 30
13:22 2018

Nga Marin Mema

Shqipëria “mburret” vetëm me fjalë ndaj historisë e trashëgimisë që ka mbartur. Mëse 35 mijë objekte arkeologjike janë të gatshme për t’u ekspozuar, por nuk kanë se ku. Sot ato qëndrojnë në fondet përkatëse në magazina, sikur të jenë diçka e zakonshme, apo ndonjë produkt i rëndomtë i ardhur nga ndonjë cep i botës. Tre herë më shumë se aq pritet të restaurohen apo përgatiten për t’ju shtuar këtij fondi të përgjithshëm, e për t’u dergjur më pas të paktën siç ka ndodhur deri tani në sirtaret e harresës.

Në fakt e gjithë kjo është e turpshme, ashtu siç edhe më e turpshme është gjendja në të cilën ndodhet Muzeu Arkeologjik në Tiranë. Një pjesë nuk e dinë vendndodhjen e tij, të tjerë do të skandalizoheshin nëse do ta vizitonin. Që prej vitit 1986 askush nuk ka vënë më dorë në këtë muze, që të paktën nëse i referohesh pasurive të mëdha arkeologjike që ka nëntoka shqiptare duhet të ishte ndër më cilësorët në Ballkan. Por kjo jo vetëm nuk ka ndodhur, por aty mungon edhe mbështetja më minimale. Muzeu i sotëm mund të cilësohet gjithçka, përveçse i tillë.

Vendi është tërësisht i vogël dhe i pamundur për të ekspozuar objektet e zbuluara deri më tani, investimet mungojnë, ndërsa pjesa tjetër janë vetëm përralla që flasin për turizëm, për histori, për identitet, për trashëgimi e kulturë, në ndërkohë që gjithçka mbahet për turp. Ndoshta kërkojmë shumë, sepse Shqipëria jonë për hir të së vërtetës ka gjithmonë para për pallate, por shumë pak për muzeume. Fundja ç’mund t’i duhen “parisë” sonë muzeumet dhe kultura në tërësi kur ato nuk prodhojnë para në dorë./Blitz.al/

Komento
Shperndaje